Gara e Championsit në Serinë A, ja skuadrat që favorizohen në rast barazimi me pikë!

23 Prill 2019, 19:24Sport TEMA

Për të dytin vit radhazi, skuadrat që shkojnë në Europë nga Seria A mund të përcaktohen nga ndeshjet direkte. Kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi dhe në garë janë të përfshira 6 skuadra, që luftojnë për 2 vende. Janë afër me pikë dhe ashtu si në Formula 1, detajet do të bëjnë diferencën.

Sezonin e kaluar Interi e kaloi Lacion në kthesën e fundit, duke zënë vendin e 4-t pasi ishte më mirë në ndeshjet direkte. Po cila skuadër shkon në Champions, nëse do të kemi barazim pikësh në fund të kampionatit? Rregullorja e Serisë A parashikon që në rast se dy skuadra barazohen me pikë, si Milani dhe Atalanta aktualisht, së pari merren në konsideratë pikët në ndeshjet direkte. Këtu duhet theksuar se golat në ndeshjet jashtë nuk vlejnë më shumë. Nëse edhe në këtë rast ka barazi, atëherë llogaritet diferenca e golave në ndeshjet direkte, diferenca e golave në total, numri i golave të shënuar dhe në fund, nëse çdo gjë është në barazi, ka short, shkruan Vipsport.

Nëse tri ose më shumë skuadra e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta, atëherë bëhet një klasifikim i ri vetëm nga ndeshjet direkte mes skuadrave të përfshira. Ja avantazhet që ka çdo skuadër në këtë moment:

INTERI, 61 pikë — Zikaltrit, përveçse kanë më shumë pikë, janë në avantazh ndaj Milanit dhe Lacios sa u takon ndeshjeve direkte. Dy barazimet në sfidat me Romën e bëjnë përcaktuese diferencën e golave në total: aktualisht Interi është +24, Roma +12. Interi nuk është favorti, nëse barazohet me pikë me Atalantën dhe Torinon.

MILANI, 56 pikë — Kuqezinjtë kanë bërë mirë në shumë ndeshje të mëdha dhe nuk kanë frikë, nëse barazohen me pikë me Atalantën, Lacion dhe Romën. E kundërta është me Interin, pasi kanë humbur në të dy derbit. Milani sfidon Torinon, pas barazimit 0-0 në “San Siro”.

ATALANTA, 56 pikë — Skuadra e Berishës dhe Gjimshitit është në avantazh me Interin dhe në disavantazh me Milanin dhe Torinon. Dy herë barazim 3-3 me Romën dhe në këtë rast favorizohet skuadra me diferencën më të mirë të golave, aktualisht bergamaskët me +24, verdhezinjtë +12. Pas dy javësh Atalanta luan në fushën e Lacios, pasi e ka fituar ndeshjen e parë 1-0.

ROMA, 55 pikë — Diferenca e golave mund t’i kushtojë shumë skuadrës së Ranierit. Aktualisht, golaverazhi +12 do ta penalizonte Romën në raport me Interin dhe Atalantën. Në avantazh është vetëm me Torinon. Roma është në disavantazh edhe me Milanin dhe Lacion, në rast barazimi me pikë.

TORINO, 53 pikë — Dy ndeshje vendimtare: me Milanin pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë dhe me Lacion pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Të dyja këto ndeshje janë luajtur në transfertë. Torino ka bërë më mirë në ndeshjet direkte me Interin dhe Atalantën, kurse me Romën ka humbur 2 herë.

LACIO, 52 pikë — Në pritje të ndeshjes me Atalantën, pas humbjes 1-0 në Bergamo, Lacio shkon në Torino, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë. Lacio është në avantazh vetëm me Romën, ndërsa penalizohet nëse barazohet me pikë me dy skuadrat e Milanos.

EUROPA LEAGUE — Vetëm për dy nga 6 skuadrat e përmendura më lart do të hapen portat e Championsit, ndërkohë që dy ose tre të tjera do të kënaqen me Europa League. Për këtë kompeticion ka shanse edhe Sampdoria, me 48 pikë. Në Europa League shkojnë skuadrat e vendeve 5 dhe 6, por edhe ajo e vendit të 7-të, nëse Kupën e Italisë e fiton një skuadër e kualifikuar në një kompeticion europian.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje