“Belt and Road”, forumi që nxori në pah “dashurinë” ruso-kinezo-serbe

29 Prill 2019, 16:10Rajoni TEMA

Rusia do të bëhet pjesë e Rrugës së Re të Mëndafshit me një autostradë. Dy mijë kilometra asfalt do të lidhin Kazakistanin me Bjellorusinë, duke kaluar nga jugu i Moskës dhe do të bashkojnë Shangain me Hamburgun, pra Kinën me Europën.

Është objektivi ambicioz Meridian, projekti i parë rus i menduar posaçërisht për iniciativën e qeverisë kineze, “Belt and Road”.

Punimet për autostradën e re nisin në qershor dhe Kremlini ka përcaktuar si afatin e fundit të përfundimit vitin 2024.

Marrëveshja është arritur në forumin 3-ditor që u mbajt në Pekin, ku u mblodhën zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të biznesit nga 37 vende.

Mediat e huaja, sidomos ato ruse, raportuan gatishmërinë e dy vendeve për t’i forcuar shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe në ekonomi.

Vetë Putin u shpreh në fjalimin e tij se iniciativa kineze “Belt and Road” është një  projekt ambicioz që po shndërrohet në një sipërmarrje të suksesshme, e cila gradualisht do ta zgjerojë shtrirjen e saj globale.

Por përtej “dashurisë” ruso-kineze në këtë samit treditor, ra në sy edhe prirja e Serbisë për ta thelluar bashkëpunimin me Kinën dhe kompanitë e saj teknologjike.

Zëvendëskryeministrja dhe ministre serbe e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç tha se Serbia është krenare që i bashkohet iniciativës globale të Kinës, e cila, sipas saj, i ka dhënë një shtysë të re bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.

Ajo vuri në dukje se, duke pasur parasysh qëndrueshmërinë ekonomike dhe rëndësinë mjedisore të hekurudhave, Serbia i kushton vëmendje të veçantë kësaj lloj infrastrukture, si në nivel kombëtar dhe rajonal.

Në këtë kuptim, ajo deklaroi se përparimi i arritur nga Kina, Serbia dhe Hungaria në projektin hekurudhor Beograd-Budapest (me shpejtësi të lartë) ishte një nga projektet e para të bashkëpunimit të suksesshëm të zbatuara në kuadër të kësaj iniciative.

Mihajloviç shtoi se Serbia po finalizon ciklin aktual të investimeve, brenda të cilit janë rindërtuar 500 kilometra hekurudha dhe 300 kilometra autostrada, duke përfshirë përfundimin e ndërtimit në krahinat jugore dhe lindore të Korridorit 10 dhe autostradës nga Obrenovac në Çaçak.

Po ashtu, gjatë një vizite në kompaninë kineze të teknologjisë, “Huawei”, Mihajloviç diskutoi mundësitë për bashkëpunim në fushën e transportit hekurudhor.

Një bashkëpunim i tillë do të thotë instalimi i rrjeteve wi-fi në autostradat serbe, një gjë që bëhet e mundur falë gjigantit kinez të teknologjisë, “Huawei”, i cili në këtë mënyrë do të hynte për herë të parë në Ballkan.

Kjo vjen në një moment kur debati për “Huawei”-n është në kulmin e tij. SHBA i ka ndaluar produktet dhe shërbimet e Huawei-t dhe ka paralajmëruar edhe vendet e tjera, për atë që e konsideron si “rreziku i spiunazhit”.

Kompania kineze e pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikacionit “Huawei” planifikon të nisë një qendër digjitale të transformimit për Ballkanin Perëndimor në Serbi, tha qeveria serbe.

Huawei do të ofrojë një platformë për zhvillimin e ekosistemeve vendore në fushën e transformimit digjital në sektorin publik, financiar, arsimor, energjetik dhe transport, tha qeveria në një deklaratë të hënën.

Projekti është parashikuar në një memorandum mirëkuptimi me Huawei për zhvillimin e qyteteve të zgjuara (smart cities) të miratuara nga qeveria serbe të hënën e kaluar.

Iniciativa “Belt and Road”, të cilës shpesh i referohen edhe si ‘Rruga e re e Mëndafshit’, u lançua si ide gjashtë vjet më parë nga presidenti Xi Jinping gjatë një vizite shtetërore në Kazakistan.

Ideja themelore e projektit është krijimi dhe mirëmbajtja e korridoreve tregtare në mes të më shumë se 60 vendeve në Azinë Qendrore, Evropë dhe Afrikë.

Ideja e ka origjinën te Rruga e Mëndafshit, që shumë shekuj më parë lidhte Lindjen dhe Perëndimin.  (TemA TV)

4 komente në ““Belt and Road”, forumi që nxori në pah “dashurinë” ruso-kinezo-serbe”

  1. olimpia says:

    Ate qe duhet ta benim ne me Kinen ,per shume aresye te cilat njihen ,e bejne serbet dhe natyrisht perfitojne zhvillim ,mireqenie .Ne merremi me politike ,pa ekonomi ,serbet merren me politike per ekonomi .E gjithe klasa politike shqiptare e semure nga sindroma idiote e ,,politikes se madhe ,,ulerin per ,,partneritete strategjike ,,dhe ka tmerr se mos ndokush i akuzon per marredheniet me Kinen ,nderkohe,te medhenj e te vegjel ,perendimore te pasur dhe afrikane te varfer zhvillojne marredhenie qindramijardeshe me Kinen ,tashme superfuqi dhe investuesi me i madh ne bote .Vete Merkel e ka vizituar Kinen 11 here me delegacione te medha ,nderkohe qe ne nuk jemi ne gjendje te shkojme as ne Shenxhen per te terhequr ndonje investim hitech ne industri per zhvillim dhe punesim te te rinjve ,te cilet ,,cmenden,, gjithe diten ne ,,calL centeret ,,e deputetit SHEHAJ apo te italianeve ,PA PATUR ASNJE PERSPEKTIVE .Rama,kthehu ne boten reale te ekonomise ,pa industri nuk ka as zhvillim ,as mireqenie ,as kulture ,as lufte kunder krimit dhe korrupsionit .Kryeministri merret me problemet e mira njerezve ,me letrat dhe ankesat individuale merren nepunesit e caktuar .Forco zinxhirin e kontrollit per funksionimin e shtetit ,nderkohe qe problemet e medha qe prekin varferine ,ekonomine ,krimin ,zgjidhen me programe e objektiva konkrete te medha .Detyroi oligarket te investojne jo ne beton por ne industrine prodhuese ,sherbimet jetike ti beje shteti si kudo ne vendet e zhvilluara ,kush do te beje para le te investoje dhe rrezikoje .Ky eshte shteti modern kapitalist .

  2. dh+sli+blf+gjkr says:

    Punojne me vizion per te ardhmen , jo si ketu ku strategjia e kujdo qeverie bazohet ne injorancen si dhe ne nepotimin partiak , shtoj ketu dhe lidhjet e qeverise me disa oligark bastard.

  3. Ari says:

    Ketu, .Mr gazetar nuk me duket se keni zbuluar ndonje gje te madhe. Nen kendveshtrimin e nje gazetari psh serb ose rus, kur Shqiperia psh ofroi bazen e Kocoves, do te shkruante po me ironi: u provua dashuria e Shqiperise me Shba. Pra, ska ndonje cudi apo “inat” tonin. Serbia eshte e lire te bej zgjedhjen e saj ashtu si edhe Shqiperia.

  4. emigranti says:

    Qeveria te mos merret me lloqe por te loboje per tu bere pjese e ketij projekti gjigand..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje