Apeli i Christian Schwarz-Schilling për konferencën e Ballkanit në Berlin: Kapeni këtë shans

29 Prill 2019, 09:20Rajoni TEMA

Nga Christian Schwarz-Schilling*

Konferencë për Ballkanin – e pastaj? Nganjaherë disa thumbues që qesëndisin nuk e fshehin dot, se nuk kanë ç’të thonë. Që frazat e tyre kanë të njëjtat formula nuk e bën përmbajtjen e tyre më interesante.

Sepse ka ngjarje, nga të cilat shohim befas të shfaqet një potencial i ri veprues për çështje të vjetra. E një ngjarje e tillë mund të na çojë në një moment të papritur kthese të historisë e të na tregojë një kapitull të ri të së ardhmes së përbashkët. Konferenca e Ballkanit në Berlin më 29 Prill ka potencialin të jetë një ngjarje e tillë.

Asnjëherë nuk kanë dërguar një ftesë të përbashkët më parë tek krerët e Ballkanit Perëndimor me qëllim që të flitet hapur dhe me përgjegjësi për të ardhmen tonë të përbashkët dy kombet më të mëdhenj, më të rëndësishëm e më pranë gjeografikisht Ballkanit, Gjermania dhe Franca. Po t’i hedhim sytë tek e shkuara jonë, shohim në shekullin e 20-të humnera dhe katastrofa, që e kaluan masën e aftësisë sonë përfytyruese. Një dhimbje e pafund iu shkaktua popujve tanë dhe popujve të tjerë.

Asnjë diktaturë nuk e mposht dot idenë e lirisë

Nga mesi i shekullit të 20-të ne në Europë po përpiqemi me sukses të ndryshueshëm për të kuptuar shkaqet politike për një epokë të tillë çnjerëzore dhe për të ndërtuar për kontinentin një të ardhme, ku çdo qytetar ka të drejta të patjetërsueshme kundrejt shtetit dhe komunitetit, e ku kombet janë të lira, të pavarura, mbi bazën e shtetit të së drejtës. Në të njëjtën kohë, ky kontinent përmes integrimit të kombeve të veçanta është rikonfiguruar, me qëllim që të mbijetojë ekonomikisht e kulturalisht në kohët e globalizimit kundrejt kontinenteve e fuqive të tjera. Kjo përpjekje ka çuar në Europë në një bashkim vullnetar të demokracive parlamentare, unikale në historinë e njerëzimit dhe me suksese të mëdha.

Shpërbërja e perandorisë sovjetike ishte pasoja e asaj që me kohë asnjë perandori, asnjë sistem ideologjik, asnjë diktaturë megjithë gënjeshtrën, fallsifikimin e historisë, çimentimin e pushtetit dhe skllavërimin e njeriut nuk mund ta mposht dot idenë e lirisë. Kështu u përhap ideja e lirisë në Bashkimin Sovjetik, drejt Gjermanisë lindore, Europës Lindore deri në Azinë Qendrore dhe Lindore. Ajo bëri që Gjermania të bashkohej pa dhunë. Liria jonë dhe siguria u garantua nga NATO, aleanca e fuqishme euroatlantike.

Rruga fatale e ish-Jugosllavisë

Vetëm ish-Jugosllavia mori një rrugë tjetër, një rrugë fatale. Kreu i Jugosllavisë së atëhershme, Slobodan Milošević, që donte të sundonte me diktaturë në Beograd edhe pas dështimit të idesë komuniste, përdori një ideologji të re: Sundimin e popullit serb mbi të gjithë të tjerët në Ballkan. Nga të dyja rajonet erdhën qindra mijëra refugjatë në Europë dhe në botë, kështu që u bë e pashmangshme lufta për stabilitetin e perëndimit dhe lindjes.

Vetëm rrëzimi i tiranëve dhe ndihmësve të tyre mundi të hapte rrugën për shtete të reja e të pavarura në Ballkan. Tani popujt e Ballkanit Perëndimor presin shansin e tyre të hyjnë në Europë. Këtë rrugë Europa e hapi me konferencën e BE në Selanik në vitin 2003.

Luftëra ideologjike në Ballkan

Por sot gjendja është serioze, sepse në këto vende ende zhvillohen luftëra ideologjike. Milorad Dodik, një nga presidentët e sotëm të Bosnje-Hercegovinës, që mban fort një entitet, Republikën Srpska, kërcënon prej vitesh që të shkëputet nga Bosnje-Hercegovina dhe të krijojë një shtet më vete.

Në këtë përpjekje ai punon ngushtë së bashku me partinë nacionaliste të kroatëve, HDZ duke e mbështetur fort kreun e kësaj partie, Dragan Čovićnë përpjekjen për të krijuar një etnitet të tretë në Bosnje-Hercegovinë, me synim përçarjen e mëtejshme të federatës. Qëllimi është që rajonet e federatës që banohen me shumicë nga kroatë, në plan afatgjatë t’i kalohen Kroacisë. Edhe nacionalistët në Kroaci luftojnë në Parlamentin Europian dhe Kroaci për këtë qëllim.

Perëndimi duhet të veprojë – jo kufij të rinj

Ajo që po ndodh aty nuk duhet të nënvlerësohet nga perëndimi si „retorikë”, por ai duhet të veprojë. Aty ku nuk respektohen sinjalet e politikanëve më të lartë europianë dhe institucioneve në Bosnje-Hercegovinë, në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit, duhet që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë.

As negociatat që zhvillohen prej kohësh mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet asnjëherë të çojnë në vendosje të reja kufijsh në bazë të kritereve etnike. Do të priten edhe njëherë mijëra refugjatë si në vitin 1999? Pas gjithë asaj që ka ndodhur, propozime të tilla duhet të lihen mënjanë si ide të vjetëruara të „pastrimit etnik”. Ambicie të grupeve të caktuara për ndarje të tjera në rajonin e Ballkanit sipas „kritereve etnike”, duhet që të përjashtohen në të ardhmen njëherë e përgjithmonë, sepse në këtë rajon nuk duhet të përsëriten kurrë më luftërat e viteve 90-të.

Problemet e prekura më lart prekin edhe të ardhmen e vendeve të tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në këtë pikë duhet parë rajoni si i tërë dhe jo të mendohet e veprohet në mënyrë izolacioniste. Shteti ligjor në vendet e Ballkanit Perëndimor ashtu si edhe tek ne duhet të ketë prioritet kryesor –forcimin e bazës demokratike dhe zhvillimin e mëtejshëm në drejtim të ndarjes së pushteteve dhe mbështetjen e shtetit ligjor.

E në fund dua t’i drejtoj një apel urgjent Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron: Futeni në udhën e duhur me vendosmëri dhe forcë veprimi këtë hap të guximshëm – Konferencën për Ballkanin Perëndimor! Kapeni me këtë konferencë shansin tuajin dhe tonin për Europën! Kështu ju jepni për ne në Europë edhe për njerëzit në Ballkanin Perëndimor një kontribut të rëndësishëm për një të ardhme të sigurtë dhe në paqe!

*Njohësii Ballkanit dhe ish-politikan gjerman

4 komente në “Apeli i Christian Schwarz-Schilling për konferencën e Ballkanit në Berlin: Kapeni këtë shans”

  1. Ano Nimi says:

    Nuk pata nerva te lexoja deri ne fund kete shkrim te te shume respsktuarit zotit Schilling, te mbushur me moralizime dhe me sllogane diplomatike, drejtuar kujt?

    Drejtuar nje tryeze te ujqerve ballkanike qe eshte kapur prej veshi dhe eshte prure ne nje tavoline bisedimesh me vendimin e prere ne koke se do te ikin prej andej, ashtu sic kane ardhur.

    Problemet e Ballkanit Perendimor, qe kane ne qender konfrontimin shqiptaro-serb mbi arren gunge te Kososves, nuk zgjidhen me keto lloj tryezash pa buke, megjithithe dashamiresine dhe sinqeritetin gjerman te zonjes Merkel dhe me gjithe pranine filoserbe te franceze te zotit Macron.

    Nese do ishte konceptuar kjo lloj zgjidhje tavolinash e genocidit serb ne Kosove atehere nga Klintoni, Ollbrajt dhe Nato, sot KOsova do te ishte e zbrazur nga shqiptaret dhe brenda hartes politike te Serbise.

    Pse eshte sot e ngrire ceshtja e Kosoves, pas clirimit te saj nga serbet dhe pas shpalljes se pavaresise se saj 10 vjet me pare dhe akoma bisedohet per te ne Bruksel e Berlin se si do merret vesh Serbia me Kosoven sikur ajo te ishte akoma province serbe?

    Sepse keshtu e donin te perfundonte kjo ceshtje edhe Brukseli, edhe Parisi dhe per fat te keq edhe Berlini dhe per fat edhe me te keqe, se fundmi, edhe Washingtoni i Boltonit dhe i Trump-it, per te begenisur ariun rus qe ka zgjatur kthetrat edhe nje here si ne kohet e careve drejt Ballkanit.

    Lobet e fuqishme filoserbe ne Evrope dhe Washington ja arriten te dekriminalizojne Serbine, te deligjitimojne Rambujene dhe pavaresine e Kosoves ne pritje te nje Dejton-i te ri,kete here me pranine kercenuese te Putinit ne tavoline, ne pritje te bosnjakezimit te Kosoves nepermjet projekteve te tipit “Zajednica”

    Kush ka iluzione se do dale dicka e mire per shqiptaret nga ky Samiti i Berlinit, eshte duke ngrene kumbulla te tharta dhe do dale me buze te mpira dhe me dhembe te shkulura.

    E para qe do ta pesoje, do jete taksa 100% ose doreheqja e Hajradinajt.

    Keto tryeza te shipfura, si strumbullari i tryezave serbo-kosovare ne Bruksel, ku jane vene ne tryeze me pergjegjesi te barabarta kasapi serb dhe viktima kosovare, nuk kane bere gje tjeter vecse kane legjitimuar tashme ne opinionin publik indiferent evropian edhe nje here se ka nje problem serbo-kosovar per tu zgjidhur, a thua se Nato dhe Rambujeja tallen koqet nje here e nje kohe me ksaspet e Ballkanit.

    Dhe, qershia mbi torte, c’pune ka Edi Rama atje kur, duke qene me breke neper kembe ne Shqiperi eshte gati te firmose dhe te beje yesman-in ne faredo projekti qe i ngul thiken brinje me brinje Kosoves dhe ceshtjes kombetare shqiptare, njelloj sic ja nguli ceshtjes came ne bisedat me greket, vetem per te shmangur veton e tyre antishqiptare per BE-ne.

    Keta zagare te perjetshem te pushteteve vazhdojne ta luajne cshtjen kombetare ne kumar, mjaftin qe te ruajne karriket e tyre.

    Kurre mos befshin hajer! Amin!

  2. Ano Nimi says:

    Mungon komenti im moderator.

  3. Ano Nimi says:

    Moderator, ku eshte komenti im i postuar ketu rreth 12 ore me pare.

  4. Ano Nimi says:

    E dashur redaksi e Gazetes Tema.
    Te dashur moderatore te komenteve te Gazetes Tema.
    Asnjehere nuk e kam kuptuar praktiken tuaj te injorimit te komenteve per te cilat ju ftoni lexuesit tuaj te shprehen.
    Nuk po flas per censurimin.
    Po flas per praktiken e injorimit te komenteve te postuara, duke detyruar komentuesin tua kujtoje perseri se ka postuar dicka; po flas per cfaqjen, per shkak te ketij injorimi, te komenteve tona pas 10-12 oresh pasi eshte postuar nga komentuesi, shpesh pasi shkrimi qe komentohet nuk eshte tashme ne “dritaren” e lexueshme online te gazetes, ka kaluar tashme ne arshive dhe vete komenti eshte bere praktikisht i palexueshem nga vizitoret e faqes online te gazetes.
    Kjo praktike e cuditeshme, jo vetem i humb aktualitetin reagimit te komentuesve tuaj per shkrimin, por ne fakt, praktikisht i ben nul, sikur te mos egzistojne vete keto komente.
    Une dua te besoj se kjo praktike nuk eshte e qellimshme nga Redaksia apo Moderatori sepse perndryshe, perse i ftoni lexuesit te komentojne.
    Une besoj se ne kete menyre, gazeta humbet refleksionin e gjalle imediat te lexuesit per tema dhe ceshtje te rendesishme aktuale dhe qe eshte po aq i rendesishem per opinionin publik sa edhe vete kendveshtrimi i autorit te shkrimit apo edhe i vete redaksise se gazetes.
    Nese kjo praktike e papranushme eshte thjesht nje neglizhence burokratike apo per shkak pamjaftueshmerie te stafit qe moderon komentet, ndofta duhet pare me mire menagimi nga redaksia i ketij problemi.
    Mbetem gjithmone dashamires i gazetes,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje