Prokurori i dyshuar për korrupsion, pjesë e grupit shqiptaro-grek të trafikut ndërkombëtar të drogës

7 Maj 2019, 11:35Kronika TEMA

Policia shqiptare zbuloi të martën se prokurori i Gjirokastrës Spartak Çoçoli, fillimisht i proceduar në janar 2019, u evidentua falë një operacioni masiv dhjetëmujor kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, operacion që u finalizua të martën.

Rasti i prokurori Spartak Çoçoli i Gjirokastrës, i marrë fillimisht në pyetje në janar të këtij viti nën dyshimet për korrupsion dhe i lënë nga gjykata me masë sigurimi “detyrim paraqitjeje”, u identifikua si pjesë e hetimeve  mbi një organizatë të madhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, bëri të ditur policia të martën më 7 maj.

Policia shqiptare njoftoi përfundimin e një operacioni dhjetëmujor, që solli ndalimin e 14 personave në qytete të ndryshme të vendit dhe u sekuestrua mbi një ton kanabis e një kilogram heroinë e kokainë.

Para përfundimit të operacionit, policia bëri të ditur se hetimet kishin sjellë përgjatë dhjetë muajve të fundit goditjen e rasteve të ndryshme të trafikimit të drogës në Shqipëri dhe Greqi.

“Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë”, bëri të ditur policia të martën.

“Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër)”, vijon më tej njoftimi.

Çoçoli është deklaruar i pafajshëm.

1 komente në “Prokurori i dyshuar për korrupsion, pjesë e grupit shqiptaro-grek të trafikut ndërkombëtar të drogës”

  1. Bibi says:

    Shko flit njeher edhe me prokuror Gjergji Thaka ne Tirane se ka hapur biznes 3 million leke per 1 ceshtje…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje