Mund të konsiderohet si vjedhja e shekullit. Më shumë se 1260 miliardë euro, të destinuara për 28 vendet anëtare të BE-së, janë zhdukur në periudhën mes viteve 2009 dhe 2016. Vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre janë rikuperuar. Shuma në fjalë, që është e barabartë me PBB (GDP) e Australisë, duhet të ishte arkëtuar nga autoritetet fiskale të vendeve europiane në formën e TVSH (tatimi mbi vlerën e shtuar).
Teknikisht, kjo që ka ndodhur njihet si VAT Gap dhe është diferenca mes TVSH-së që duhet derdhur dhe asaj që paguhet realisht. Vetëm në vitin 2016, TVSH-ja e papaguar në Bashkimin Europian ishte 147.1 miliardë dollarë. Kjo është njësoj sikur i gjithë kapitali i faturuar nga General Motors, kompania më e madhe e makinave në SHBA, të zhdukej brenda pka minutash.
Vetëm me atë që njihet si “falsifikimi karusel”, 50 miliardë euro u janë vjedhur çdo vit taksapaguesve evropianë. “Falsifikimi karusel” është një mekanizëm mashtrimi me TVSH-në përmes një sërë operacionesh që synojnë ngritjen e aktiviteteve fiktive ekonomike, për të marrë kredi tatimore, të cilave u korrspondojnë fitime shumë të larta. Duke qarkulluar mallra dhe shërbime në të gjithë kufijtë e brendshëm të Bashkimit Evropian, mashtrues, kriminelë dhe madje edhe terroristë po përfitojnë para nga buxhetet publike.
Ndonëse këto manipulime njihen si skema nga autoritetet tatimore evropiane që nga futja e TVSH-së së Unionit në vitin 1993, pothuajse asnjë masë nuk është ndërmarrë në nivel global për të zvogëluar efektivisht shumën e këtyre humbjeve. Pamundësia e shteteve anëtare të BE-së për të rënë dakord unanimisht për çështjet e taksave dhe mungesa e besimit të ndërsjellë u ka kushtuar shtrenjtë taksapaguesve.
Kështu, ndërsa disa vende kanë marrë masa në nivel kombëtar për të zvogëluar dëmet, këto përpjekje shpesh zhvendosin mashtrimin në shtetet e tjera anëtare dhe nuk e zhdukin atë. Paratë e vjedhura përmes këtyre skemave përfundojnë te krimi i organizuar dhe financimi i terrorizmit, duke deformuar ekonominë dhe duke vënë në rrezik sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. (TemA TV)
Suedia dhe Danimarka kanë të drejtë që refuzuan euron.