Përplasja Rama-Haradinaj, Ditmir Bushati: Nuk shërben loja me ultimatume

8 Maj 2019, 08:11Rajoni TEMA

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, komentoi në studion e ABC News, përplasjen mes kryeministrave Rama-Haradinaj, pas samitit të Berlinit. Sipas tij, Haradinaj nuk duhet të bëjë publike bisedat që kryhen me dyer të mbyllura.

Ai theksoi se Kosova nuk duhet të lëshojë ultimatume ndaj Bashkimit Europian, por të ketë një strategji në mënyrë që të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave.

“Mos të fokusohemi në çështje që nuk mendoj se kanë vlerë për opinionin publik. Ka një rregull që çështjet që bisedohen brenda dyerve të mbyllura nuk mund të bëhen objekt diskutimi apo spekulimi publik. Vetë kam drejtuar një ekip të gjerë në bisedimet me Greqinë, në bisedime të tjera dypalëshe gjithmonë kam qenë në kriticizmin e drejtë të mediave që ka kërkuar informacion, por nuk ka bisedime apo negociata që të zhvillohen nën prozhektorët apo nën kamera.

Do doja që komentin ta bëja krejt ndryshe. Kam mbajtur qëndrime të rrepta për një çështje dhe kam marrë duartrokitje , ndërkohë që kur jam ulur për çështje konkrete jam përballur me akuza dhe skepticizëm.

Mendoj se kur shkohet në një tryezë para Francës dhe Gjermanisë duhet të jemi seriozë, sepse Haradinaj nga njëra anë kam parë që ka vlerësuar qëndrimin e Francës dhe Gjermanisë për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe ka akuzuar Presidentin e Kosovës dhe Kryeministrin e Shqipërisë për çështjen e tarifave, kur dihet se nuk ka një vend të Europës apo SHBA që mund ta vlerësojë vendosjen e taksës si një akt të drejtë.

Unë e kuptoj rrethanat që e kanë shpënë qeverinë e Kosovës drejt vendosjes së taksës, por në politikë të jashtme nuk e ke gjithmonë luksin të zgjedhësh mes dy të mirave. Ndonjëherë duhet të zgjedhësh mes të keqes më të madhe apo keqes më të vogël për të arritur në qëllimin final.

Shpresoj që Kosova të ketë një strategji të qartë për të përfituar në procesin e liberalizimit të vizave. Nuk i shërben loja me ultimatume ndaj BE-së kur kthehemi pas samiteve sepse pa partneritetin e vendeve kyçe procesi nuk do ishte i mundshëm”, tha Bushati gjatë rubrikës “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori.

2 komente në “Përplasja Rama-Haradinaj, Ditmir Bushati: Nuk shërben loja me ultimatume”

  1. ¬ says:

    Është në interesin e Kosovës të ndëgjoj udhëzimet tona, sepse politika s’është çetë partizane.

  2. Beni USA says:

    Mos u merni me Ramushin, e shikoni qe ai nuk mbush, ka ngele ne nivelin e druvarit, pune qe e ka bere ne Zvicer, shikojeni si hecen, si flete, te le ndjesine se nuk ka lexuar nje liber ne jeten e tij,dhe nje njeriu te tille kosovaret i kane besuar drjtimin e shtetit. Zoti e ruajt Kosoven, shteti nuk drejtohet nga lopcaret, sado trim dhe patriot te jet ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje