Një ëndërr e së shkuarës, një ëndërr që vazhdon…
Durimi kishte humbur në radhët e Partizanit dhe tifozët nuk pranonin më justifikime, 26 vjet pa titull ishin shumë. Asnjë justifikim nuk mund të pranohej, asnjë arsye idiote, duhej të fitonin titullin, pasi gota po derdhej, mjaftonte dhe një pikë për ta rrëzuar.
Në një situatë të tillë, në një ambient të demoralizuar nga rezultatet dhe investimet e pashpërblyera, troket në portë Skënder Gega.
Një ish-kampion që ka djersitur për fanellën e kuqe dhe i di vlerat e klubit. Me modesti, pa objektiva dhe me vetëm një çantë nga Amerika e largët, erdhi për të realizuar ëndrrën e tij, pasi atë të qindra shqiptareve e kishte jetuar prej vitesh në kontinentin e pasur në anën tjetër të globit.
Pikëpyetjet ishin të mëdha, askush nuk besonte, pasi klubi vinte nga një sezon skandaloz dhe arkat ishin rrënuar. Administrimin i të madhit Luciano Moggit dhe Antonello Preitit kishte bërë me makthe drejtuesit dhe tifozët e dëshpëruar.
Presidenti Gaz Demi i lodhur nga situatat e pakuptimta në klubin e tij i dha vetëm një direktivë drejtorit Olsi Rama: Pastro “gjelat”, kthe harmoninë dhe nuk dua shpenzime të çmendura! U tha, u bë.
Zyrtari i kuq i besoi çelësat e skuadrës Gegës dhe i tregoi objektivin kryesor: Fitimin e grupit dhe jo trofeve.
Tifozët nuk ishin dakord, pasi as optimistët më të mëdhenj nuk e besonin se skuadra do të ishte në këtë pikë. Aventura europiane nxori në pah problemet e shumta të të kuqve, ndërsa Maribori i përdori për stërvitje.
Gega besonte, pa zhurmë, pa deklarata, pa akuza ndaj gjyqtarëve, por Partizani eci si një nëndetëse që nuk e kishte frikë askush, por i shkatërroi të gjithë.
E nisi keq, pasi humbi ndaj Skënderbeut që në ndeshjen e parë duke i dhënë motiv klubeve të tjera të besonin se mund t’i mposhtnin.
Rezultatet erdhën njëri pas tjetrit, ndërsa ekipi nuk të krijonte frikë. Partizani në çdo moment mund të ndalej dhe nga çdo skuadër.
Presidenti Safet Gjici nisi batutat me gjunjët, ndërsa kryeqytetasit vazhduan të qetë në objektivat e tyre.
Meritë absolute e trajnerit që formoi një grup të bashkuar, hallet e shtëpisë mbeten brenda familjes dhe me motivin e Ramës, Partizani ia doli mbanë.
U mendua utopike, pasi merkatoja e verës nuk ishte bombastike, e janarit vazhdoi në të njëjtën linjë, ndërsa në fund të sezonit shohim Partizanin kampion. Rrugëtimi nuk ishte i lehtë, por kishte një pikënisje.
Gega e fitoi titullin kampion në sezonin 1987-87 me të kuqtë si lojtar, ndërsa tashmë e bën dhe si trajner në sezonin 2018-19.
Duhej të vinte një kampion që të realizonte ëndrrën e madhe të klubit, prej atyre që punojnë dhe flasin pak. 55-vjeçari solli një frymë ndryshe, atë që i duhej Partizanin të lëkundur nga njëra dallgë në tjetrën.
Kemi ardhur në fund të sezonit dhe trofeu është i “Demave”, tifozëve të kuq nuk i mbetet gjë tjetër vetëm t’i heqin kapelën Gegës.
Ai ka arritur që të shkruajë emrin e tij me gërma të arta në historinë e Partizanit, pasi fiton kampionatin si trajner dhe si lojtar.
Urime dhe faleminderit, profesor, i tregove të gjithëve se kampionatin mund të fitohet dhe ndryshe… me kulturë dhe futboll, duke i kthyer lojtarët në ushtarë, pavarësisht se mungojnë yjet në skuadër! (Telesport)
Faleminderit!Te gjithe lojtareve,stafit,dhe ne vacanti Geges!