Partizani kampion, në FSHF nuk e dinë ende

13 Maj 2019, 12:04Sport TEMA

Të dielën pasdite Partizani, pas shumë e shumë vitesh pritjeje, u shpall kampion i Shqipërisë. Festë e madhe për klubin me më shumë tifozë në vend, natyrisht interesimi mediatik ishte maksimal para, gjatë dhe pas ndeshjes.

Ndërkaq, qeveria e futbollit shqiptar, Federata Shqiptare e Futbollit, as që është kujtuar fare që është ajo organizatore e Kategorisë Superiore dhe për pasojë i vetmi burim zyrtar informacioni në vend.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, postoi një mesazh urimi në rrjetet sociale, ndërsa FSHF u mjaftua me shpërndarjen e të njëjtit postim, duke e përqendruar vëmendjen te fakti që foli presidenti dhe jo te lajmi real. Thjesht një ndarje postimi, asnjë fjalë nuk denjuan zyrtarët e FSHF-së që të shkruanin në faqen zyrtare të federatës.

LAJMET E FUNDIT NË FAQEN ZYRTARE TË FSHF-SË

Nëse dikush kërkon të dijë kush e fitoi titullin kampion dhe pse festohej nëpër Tiranë, në faqen zyrtare www.fshf.org nuk gjen asgjë në lidhje me zhvillimet e fundit në Superiore, por ditën e kurorëzimit të Partizanit janë postuar… ekipet kampione të moshave!

Nuk mund të lihet mënjanë as absurditeti i dorëzimit të trofeut “pas pilafit”, sepse Partizani do ta ngrejë kupën e titullit në Gjirokastër, në javën e fundit, mes 200-300 tifozëve, ndërkohë që logjika thotë që duhej dorëzuar të dielën në “Selman Stërmasi”, por kjo është histori tjetër.

Ndoshta FSHF do të justifikohet që nuk ka staf e nuk ka gazetarë, por nuk u kushtonte më shumë se 5 minuta punë që të merrnin disa foto borxh nga Partizani dhe t’i publikonin, me 2 fjali, për të zyrtarizuar në sytë e botës Partizanin kampion.

Nuk po shkojmë larg, në Angli, Gjermani, etj, por po qëndrojmë në viset shqiptare, sepse Federata e Kosovës na jep leksion, duke hedhur përditë lajme dhe duke përditësuar me artikuj edhe zhvillimet e fundit në Superligën e Kosovës. Ndërkaq, në FSHF nuk dihet ende sa kanë dalë ndeshjet e të shtunës në Kategorinë e Parë!(Telesport)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje