Hetimi ndaj Manchester Cityt për shkelje të rregullores së Fair-Play financiar ka përfunduar dhe hetuesi i çështjes ka gjykuar se klubi kampion i Premier League është fajtor, duke e kaluar çështjen te Organi i Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB), që do të vendosë në lidhje me dënimin e mundshëm.
Me fjalë të thjeshta, UEFA ka prova tashmë se City ka bërë manovra të pista dhe ka shkelur rregullat, ndaj së shpejti pritet një vendim, që mund të jetë ndër më të bujshmit në histori, sepse CFCB do të kërkojë përjashtimin e Man Cityt nga kupat e Europës për një sezon, sipas Sky Sports.
Manchester City ka reaguar menjëherë pas lajmit të sotëm, duke thënë se “klubi është i zhgënjyer, por për fat të keq jo i befasuar” nga raportimi te CFCB, ndërsa hedh poshtë me vendosmëri çdo akuzë, duke i konsideruar falsitete.
Një deklaratë e UEFA-s, lëshuar sot, thotë: “Kryehetuesi i Organit të Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB), pas konsultimit me anëtarët e tjerë të dhomës së pavarur hetuese në CFCB, ka vendosur sot ta raportojë Manchester Cityn te Dhoma Gjykuese e CFCB, për shkak se hetimi ka përfunduar.
“Dhoma Hetuese e CFCB kishte nisur një hetim ndaj Manchester City në 7 mars 2019, për shkelje të mundshme ndaj rregullores së Fair Play Financiar (FFP), që janë bërë publike në media.
“UEFA nuk do të lëshojë komente të tjera në lidhje me këtë çështje, derisa një vendim përfundimtar të publikohet nga Dhoma Gjykuese e CFCB“.
Përjashtimi i Cityt nga Europa, ja skenarët në Premier
Përjashtimi i Manchester City nga Kupat e Europës (nëse padia e ngritur nga UEFA, në bazë të hetimit për shkelje të FFP) do të hapte skenarë të rinj në renditjen e Premier League. Momentalisht, katër vendet e para të renditjes shohin Manchester City, Liverpool, Chelsea dhe Tottenham.
Arsenali ka vetëm një rrugë për ta arritur Kupën e Kampionëve, pra nëpërmjet Europa League. Nëse në finalen e Bakut, në Azerbajxhan, do të mposhtë Chelsean e Sarrit, atëherë do t’i shtohet katër ekipeve që janë pjesëmarrëse, duke shkuar në pesë lista, ndryshe mbetet jashtë.
Por, nëse Manchester City përjashtohet, atëherë edhe nëse nuk fiton Europa League, Arsenali do të shkonte në Champions League, ashtu sikurse edhe Everton do të përfitonte, duke u bërë pjesë e kualifikueseve të Europa League dhe nisur nga turet kualifikuese në korrik.
Juventusi “fërkon” duart
Massimiliano Allegri ende nuk është i sigurt nëse do të vazhdojë të qëndrojë te Juventusi pas pesë vitesh apo do të provojë një eksperiencë të re. Takimi i shumëpritur ka ndodhur, sipas shumë organeve të shtypit, por në mënyrë krejt sekrete, në mbrëmjen e ditës së mërkurë.
Gjithçka larg dritës së reflektorëve… Por, ndërkohë, UEFA mund t’i japë një dorë të madhe Andrea Agnellit, duke qenë se mund të dënojë Manchester Cityn, duke e përjashtuar nga Kupat e Europës dhe kështu “detyruar” Pep Guardiolan që të prishë kontratën përpara kohe.
Në këtë pikë, pritet të përfitojë Juventusi, që ka disa muaj që po përpiqet të bindë spanjollin të zgjedhë bardhezinjtë si projektin e rradhës, për të provuar synimin e Champions. Bardhezinjtë, madje, kanë gati edhe rrogën prej 16 mln eurosh.
(Telesport)
U buuu – buuuuu, sa e bujshme !!!!!! Opo kuje, or, kuje, gjëmë e shkuar gjëmës.!!!!!!