E tani? Vetëm një gjë nuk guxon të ndodhë: që të sillemi sikur me kaq iu vu kapaku tenxheres së rrenave dhe manipulimit nga ana e PDK-së.
Jo, tash duhet të nisë largimi nga pushteti i kësaj partie që nga Kosova e dëbon edhe dinjitetin elementar njerëzor, edhe turpin, edhe fijet e fundit të së vërtetës.
Nga Enver Robelli
Dje PDK nisi shfaqjen e një emisioni me titullin: «24 orë rrena me deputeten e PDK-së». Zonja jofisnike doli e tha: kam unë disa dëshmi, disa fotografi, dhe – hop! – ngriti me dorën e saj një fotografi dhe me atë rast ajo dukej si një boksiere që ka fituar një ndeshje. Tha se në fotografi po shihen serbë me uniforma duke dhunuar një grua shqiptare. Pastaj në foltore nxori edhe një fotografi të dytë, por para se të bënte këtë pëshpëriti diçka me shefin e saj në parti dhe kryetarin e parlamentit.
Ndërsa tronditja në opinion po zgjerohej e thellohej, deputetja me sigurinë e një të shkalluare, nguli këmbë: fotografinë, tha ajo, e kam publikuar me lejen e familjes. Tha se e kishte marrë nga dikush në vitin 2003/04. Tha çfarë nuk tha. Ishte një emision i gjatë. I rrenave. Kur presioni i publikut u bë i madh, i pari që e la në baltë ishte shefi i saj. Ai tha se edhe nëse nuk është e vërtetë fotografia, Serbia ka kryer krime. Kështu tingëllojnë poezitë satirike të këtij personi pa fije vetëdijeje se çka domethënë të luash me dinjitetin e njerëzve – të gjallëve dhe të vdekurve. Siç e keqpërdorën dje, ashtu e kanë përdorur dhe keqpërdorur këtë grua qe sa vite këta të PDK-së. Për shembull për të udhëhequr seanca parlamenti me qëllim të bllokimit të punës për aq kohë sa vendimet nuk shkonin në favor të PDK-së. I ka bërë ajo poshtërsitë me vullnetin e saj. Shpresojmë të jetë e fundit kjo që bëri në 24 orët e fundit.
Sot, kur më në fund drejtësia e ballafaqoi me pyetje të pakëndshme, ajo tha se nuk e ka verifikuar fotografinë. E familja ku na mbeti? A nuk tha dje se po e publikonte fotografinë me leje të familjes? Cilës familje? A është kjo fotografi nga Kosova apo nga qytetet irakiane Naxhaf, Falluxha, Bakuba, apo Qerbelaja? Tha se shefi i saj nuk ka qenë në dijeni për idenë e saj për të prezantuar fotografinë, por opinioni duhet ta kuptojë të kundërtën. Tha se fotografinë e ka marrë nga një ish-deputete e LDK-së, por kjo e fundit e demantoi menjëherë. I tha direkt: po rren, zonjë jofisnike. Por modeli është interesant këtu: kjo kastë shpifarakësh të PDK-së edhe për skandalet e veta e njollos LDK-në, e cila ka «merita» të mëdha për këtë gjendje në të cilën është katandisur Kosova. Përse heshtin për këtë skandal këta djemtë e PDK-së që çdo ditë shurdhojnë opinionin me gjoja qasjen e tyre moderne në politikë? Këta janë më të pamoralshëm se shefat e tyre nëse vazhdojnë të heshtin. Sa për prurjet e reja – një skëterrë. Në këso ngjarjesh shihet shumë mirë sa kushton morali i një njeriu që shtiret si parimor – sa një premtim bosh për të përfituar diçka nga sistemi i kalbur.
Kjo poshtërsi e PDK-së nuk duhet të marrë fund me vetëm një bisedë në prokurori. Tani vetëm një gjë nuk guxon të ndodhë: që të sillemi sikur me kaq iu vu kapaku tenxheres së rrenave dhe manipulimeve nga ana e PDK-së. Jo, tash duhet të nisë largimi nga pushteti i kësaj partie që nga Kosova e dëbon edhe dinjitetin elementar njerëzor, edhe turpin, edhe fijet e fundit të së vërtetës.
Zonja jofisnike e pranoi se u shfaq në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e terrorizoi opinionin me një fotografi filmash. Shefi i saj, i trembur si lepur që dështoi një sajesë e radhës e nëntokës, tha me gjakftohtësi mizore se duhet ta kalojmë këtë shqetësim «me besim». Me besim ndaj kujt? Besim ndaj mashtruesve ordinerë? E tani? Tani t’i kthehemi përditshmërisë? Llafeve për arushën dhe fierin e njomë në malet e Kosovës? Ky terror psikik ndaj viktimave dhe ndaj opinionit nuk duhet të kalojë pa konsekuenca. Tregtarja e fotografive duhet të largohet menjëherë nga parlamenti. Partia e saj duhet t’i kërkojë falje opinionit. Shefi i kësaj partie të zhytur në moçal duhet të kërkojë falje dhe të mos vazhdojë talljen me opinionin dhe keqpërdorimin e vuajtjes së viktimave për interesat e tij komerciale-politike.
Kosovës i është bërë një dëm i madh. Një dëm që me këso barbarie ndoshta vetëm propaganda serbe apo ruse do të ishte në gjendje t’ia bënte po të kishte mundësi. Ky dëm është atak edhe ndaj Kongresit Amerikan që para pak ditësh organizoi një dëshmi për krimet e Beogradit në Kosovë. Kjo poshtërsi nuk duhet të kalojë me dy llafe nga një gojë e ndyrë, nuk duhet të kalojë me deklarata bajate të pushtetarëve të papërgjegjshëm. Koha është për revoltë paqësore qytetare!
Sepse këta nuk ndalen. A ju kujtohet fundi i vitit 2008? Atëherë në Prishtinë u arrestuan tre agjentë gjermanë, u nxorën para mediave si trofe lufte dhe pa ndonjë dëshmi u akuzuan se kanë sulmuar selinë e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO).
Kur presioni nga Gjermania u rrit, befas një organizatë e panjohur, njëfarë AKSH-je e krijuar në ndonjë kompjuter Commodore 64, mori përgjegjësinë për sulmin. Gjermanët u liruan dhe dështoi plani që atyre t’u ngarkohej faji për vrasjen e komandant Drinit në Prizren.
A ju kujtohen trazirat e marsit të vitit 2004? Kur një raportim joprofesional medial u bë shkas për një shpërthim dhune kudo në Kosovë. Propaganda serbe edhe sot i prezanton fotografitë e shqiptarëve të dalldisur që djegin kisha e shtëpi të pakicës serbe.
Emisioni «24 orë rrena me deputeten e PDK-së» do të jetë një burim i pashtershëm për propagandën serbe. Pse jo kur në Kosovë ka parti që më shumë e kanë vendin në koleksionin e rrëfimeve të baronit të rrenave Ernst von Münchhausen se sa në parlament. Baroni Münchhausen gënjen se fluturon me një gjyle topi. Është rrenë kreative për argëtimin e publikut. Ndërsa rrena e deputetes F.B. ishte mizore.(dp)
Nuk e kuptoj pse thoni rrena.Po a nuk jane sjelle keshtu serbet?Na vjen rende kur e shohim por keto te verteta kane ndodhur.Jane marre nga diku apo jo kjo ka mdodhur ne Kosove.Ka deshmi qe rrenqethin trupin.E tmerrshme reagimi juaj…..
Ndonese nuk jam ndonje simpantizant i Robellit, mendoj se ka te drejte kur thote se me kete genjeshter publike tashme te demaskuar, propaganda serbe e ruse do ta perdore si shembull per te hedhur poshte cdo prove e ngjarje qe do te paraqitet me vone perpara publikut mbi krimet qe ata kane bere ne Kosove. A nuk e quajten edhe masakren e Rreshakut si te paverte perpara pak javesh qe nga Min. Jashtem Dacic e me rradhe. Tani do e perdorin kete rast per te thene qe ja se si genjejne dhe ndryshojne ngjarjet shqiptaret. Shume turp per kete politikane, ka bere nje gabim qe do kete shume pasoja. Kush deshmitar do guxoje tani te denoncoj publikisht, do kete frike se do konsiderohet genjeshter.
Robelli eshte per vete celule e paguar nga serbet,ruset dhe greket, lajmi i rreme u postua nga kjo gazete.
Kur deputetet si puna kesaj kane mision te hapin probleme e jo ti zgjidhin ato. Se mos eshte vete ne ate foto para 15 vitesh….
dakort, mund te mos jete e vertete, ama mos te kompleksohemi me shume se pala qe ka bere vertet krime e perdhunime, e ne mos foto, ka deshmitare vetem se eshte problem delikat per familjet, krimet e serbit jane llahtari, mos u merrni qofte dhe sajese,sepse serbie greku kane me qindra vjet qe sajojne dhe bota i perkrah, lereni prokurorine te hetoje.
Nqa kjo foto nuk perputhet me deklaraten e bere nga kjo deputete atehere ky eshte skandali me i madh kundra krimeve te Serbeve. Turp i madh!!
Rrobeli shkruan me porosi,aq sa edhe Gaeta proserbe Bota Sote ne kohen e fundit eshte duke e refuzuar.Disa here ja qellon qerrataj,varet nga vjen porosia.
Demi eshte kolsal, i pa imaginueshem, cdo akuze per krime te bera vertet, vihet ne dyshim. Ky veprim i tmerrshem relativizon perdhunimet ne syte e opinionit boteror qe sigurish do te mendojne se do te kene ndodhur gjera sporadike qe i zmadhojne qellimisht shqipetaret per tu viktimizuar.
Vini re komentet (të cilat në fakt tregojnë se “ç’racë” jemi…), ku nuk na vjen keq e nuk turpërohemi për gënjeshtrën dhe veprimin e deputetes më keq se një rrugaç injorant, imoral e i pacipë, por na vjen keq …, sepse u zbulua dhe u demaskua kjo gënjeshtër, sepse “ishte e bukur” dhe kundër “shkjaut”… (???!!!) Mos harroni, i dashur Robell, se ata deputetë e politikanë, janë “pjella” jonë, ne i kemi zgjedhur dhe ne “i ushqejmë”…!