Një gjykatë federale në SHBA ka ngritur 17 akuza të reja për spiunazh ndaj themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, i cili ndodhet në Britaninë e Madhe, në pritje të një vendimi ekstradimi.
Akuzat kanë të bëjnë me dokumentet që Wikileaks publikoi në vitin 2010. Në bazë të akuzave, Assange ka zbuluar emra të individëve që kanë qenë duke punuar me qeverinë e SHBA-ve dhe në këtë mënyrë i ka vënë në rrezik.
“Aktakuza kryesore pohon se Assange kishte bashkëpunëtore Chelsea Manning, një ish-analiste e inteligjencës në Ushtrinë Amerikane, në marrjen në mënyrë të paligjshme dhe zbulimin e dokumenteve të klasifikuara në lidhje me mbrojtjen kombëtare”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë.
“Departamenti e merr seriozisht rolin e gazetarëve në demokracinë tonë. Nuk kemi dhe kurrë nuk kemi politika për t’i orientuar ata për raportim. Por Julian Assange nuk është gazetar”, tha John Demers, kreu i Divizionit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë.
Akuzat e reja zgjerojnë akuzat fillestare me një akuzë komplotit për të hakeruar kompjuterat e qeverisë amerikane, një akuzë kjo që u ngrit në mars, përpara arrestimit të Assange në Londër. Ai përballet me deri 10 vjet burg për secilën akuzë, mbi pesë të tjera nga akuza e mëparshme, nëse dënohet.
Chelsea Manning, ish-ushtarake e ushtrisë amerikane, e cila ia dha dokumentet e Departamentit të Shtetit dhe dokumentet ushtarake Assange-it, ka refuzuar të dëshmojë. Ajo është aktualisht në burg pa afat për mospërfillje të gjykatës.
Assange kaloi pothuajse shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku ai kërkoi strehim në vitin 2012, me pretendimet se akuzat për sulme seksuale të ngritura ndaj tij në Suedi ishin pretekst për ta arrestuar dhe ekstraduar në SHBA. Pasi qeveria e re ekuadoriane, siç raportohet, arriti një marrëveshje me SHBA, Asange-it iu revokua azili dhe policia britanike e arrestoi për llogari të drejtësisë amerikane.