Partizani do të ngrejë nesër pas 26 vitesh trofeun e kampionit, në takimin përballë ekipit të Kukësit në stadiumin “Selman Stermasi”.
Një sfidë që pritet të ketë një interes mjaft të madh nga tifozeria e kuqe, e cila do të festojë së bashku me lojtarët këtë sukses të merituar, pas një sezoni të jashtëzakonshëm dhe të dominuar nga të kuqtë.
Ndërkohë, një detajë interesant nesër është prania e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Dukës.
Burime për Gazetën TemA thanë se presidenti i FSHF-së do të jetë nesër prezent në stadium për t’i dorëzuar titullin kampion klubit të Partizanit, ku do të shoqërohet dhe nga sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku, i cili është një ish i kësaj skuadre si dhe ka fituar titullin kampion me fanellën e kuqe.
Kjo është hera e parë që Armando Duka, do të jetë përballë “demave të kuq”, pas shumë përplasjeve që kanë pasur gjatë këtyre viteve të fundit.
Kujtojmë që Duka ka qenë një emër që është sulmuar shumë ashpër nga ana e tifozerisë së kuqe dhe drejtuesve të kuq për mënyrën se si ai e ka drejtuar FSHF-në dhe sulmet tendecioze që ka pasur në drejtim të skuadrës së Partizanit, duke i shkaktuar shumë dëme.
Dhe ceremonia e nesërme do të jetë një moment krenarie për të kuqtë të cilët kanë fituar një titull ku i kanë mposhtur të gjithë.
Gjithashtu, pas ngritjes së titullit kampion, festa do të vijojë në mbrëmje në sheshin “Nënë Tereza”, ku është planifikuar një koncert i madh me praninë e shumë emrave të njohur të muzikës shqiptare dhe asaj kosovare.
Bie në sy prezenca e Aleksandër Gjokës, Eneda Tarifës, Shpat Kasapit, Gjikos, Fiqiri Sula, Hysni Zela, Arben Aliu etj.
Mbrëmja do të moderohet nga Hygerta Sako dhe Aulona Musta të dyja gazetare dhe tifoze të zjarrta të skuadrës së Partizanit, ndërkohë që përkrah tyre do të jetë dhe Koço Devole. (TemA)