Përmeti i mirësisë dhe shekullori malëshovit Visho Emini…

27 Maj 2019, 18:31Blog TEMA
Përmeti i mirësisë dhe shekullori malëshovit Visho

 

Nga Kristo Mërtiri

I pari Maj i Lirisë nuk harrohet! Përmeti ynë binte ende erë baruti, tymi e hiri nga gërmadhat e shkrumbuara. Qytet i djegur katër herë nga pushtuesit. Nuk kursyen as djepet e foshnjave, as trëndafilat fletë-fletë. As lulet e tjera që mbytnin sokakët në mëhalla, avllitë, sofatet e portave kanathapura dhe parmakët e penxhereve që prisnin e përcillnin yjet mbi Dhëmbel e Nemërckë, mërmërima e fjalë të kulluara dashurie e mirësie me njeri-tjetrin. Historikisht kështu. Përmbytje, zhuritje e uri e pllakosur që cante edhe gurin! Dhe i thërrisnin qytetit si djalit të vetem: O Përmet, O Përmet, – bukë pak e ujë det! Mbijetesë mbinjerëzore përballë shtypjes e mjerimit. Prandaj i përngjante “atij zogut të Lindjes, që digjet edhe ringjallet prej hirit te vet”. Vetëm dialogun e përjetshëm të maleve me Vjosen, nuk e ndërprenë dot. Shpirtin paqedashës, atdhetar e liridashës të përmetarëve nuk e shkrumbuan dot kurrë. Zëri i bijave e bijve të vet luftëtarë, të thjeshtë, të ditur e modestë, hynte e bënte vend zemër me zemër:

“- Kasollet digjen, por idealet kurrë!

– Njerëzit vriten e burgosen, por idealet kurrë!

– Dheu zhuritet, por bari mbin përseri!…”.

 

Nuk ishte hic rastësi zhvillimi i Kuvendit të Parë Antifashist Nacionalclirimtar në ketë qytet të dashur e mjaft dinjitoz. Ndoshta e vetmja trevë në botë që vetem nga një shtëpi i dha kombit tre prijës të pavdekshëm, tre rilindasit e mëdhenj, vëllezërit Frashëri! E të tjera figura të ndritura që i bëjnë dritë mëmëdheut në cdo kohë e sistem. Më tej. Vërshimi e krijimi i Cetave, Batalioneve, Brigadave e Divizioneve Partizane buzë Vjoses, flet e do të flasë fort, brez pas brezi. Dhe jo më kot është pagëzuar bukur nga populli: Qyteti i Kongresit! Aty i hodhi themelet Kuvendi i vërtetë Popullor (Parlamenti). Aty u zgjodh Qeveria e parë Demokratike (e përkohëshme). Me votat e delegatëve të zgjedhur nga populli në Jug e Veri. Shumica e tyre nuk e kishin teserën e Partisë Komuniste, por kishin fituar besimin e njerezisë nëpër fshatra, krahina e qytete. Besimin e shqiptarëve të ndershëm dhe sidomos bekimin e paster të Vegjëlise. 186 vajza dhe djem të nënave kishin kaluar mjaft prova zjarri në zona të cliruara dhe të pacliruara, ne luftime e beteja historike. Madje, nuk kishte “të djathtë e të majtë”. Edhe Enver Hoxha, aty u emërua Komandant i përgjithshëm i UNCL. Komandant që nuk erdhi në krye nga bulevardet me dy gishtat lart! Historia, e vërteta mund të hollohet por kurrë nuk këputet. Sistemet politike vijnë e shkojnë. Baltrat “pluraliste” i pastron koha, bashkë me jargët e kalemxhinjve të ndryshkur të akshamit, kalemxhinj që shesin edhe nënën e babanë për ca para e favore të pista. Përshembull, para se të mbyllte sytë përgjithmonë, e tha bukur historiani e akademiku frashërlli: “Jezu Krishti në kohën e vet nuk e donte Jul Cezarin, megjithatë, jepini Cezarit atë që i takon Cezarit!”. Për atë kongres e në atë Kuvend të Parë, nuk duhet harruar: për herë të parë në histori votuan edhe nënat e motrat shqiptare. Një progres i rrallë dhe meritë e pamohueshme e Luftës Antifashiste Nacionalclirimtare. Te dera e asaj Salle historike të thjeshtë, kishte bërë roje edhe miku im i vjetër, ish partizani përmetar Koco Culli (i ndrittë shpirti atje ku prehet!). Krah për krah me “Gëzimin” që nuk do e gëzonte Lirinë, partizanin trim e të mencur, kucjotin Birce Sinemati (xhaxhai i Gëzimit, kolegut tim të vjetër në gazetën “Bashkimi”). Atë Kuvend përmendore nderi e shqiptarie, e mbronin bijtë e popullit nëpër Ceta, Batalione, e Brigada Partizane. Një fakt i rrallë: e mbrojtën edhe dyqind vajzat luftëtare që ishin mbledhur në Sukë të Dëshnices dhe u radhitën në Brigadën e 12 Sulmuese të sapoformuar! Edhe të hënën e javës që kaloi, te ai shesh e rreth atij lapidari u mblodhën mjaft veteranë e pasardhës. 75 herë kështu! Sinqerisht, u kënaqa dhe u emocionova kur më mori në telefon djali i komisarit të asaj Brigade Partizane, Prof. Fatos Klosi. “Babë Qemali” (kështu e thërrisnin deri në fund edhe hamenjtë e portit të Durrësit), ishte mik i xhaxhait tim të ndjerë. Iku pa bujë e zhurmë, në 1996, në një kohë kur Televizioni e mjaft gazeta nuk begenisnin të thoshnin as dy fjalë për keto figura popullore të dashurae luftëtarë për një Botë të Re. Jam krenar që atëherë munda të botoj një shkrim të vecantë e me zemër për atë burrë mallakastriot.

Fjala vjen, kur punova gazetar profesionist, në Tepelenë më ka treguar gjatë edhe një grua ish partizane në atë Brigadë. Mirëpo një mbrëmje, nuk i shpëtova dot meditimit: …Ju udhëtarë që shkoni e vini në Sasaj a në Lukovën e bukurive të Bregut të Detit, në ato kodra të mbuluara me lavdi e djersë, 75 vite më parë rrodhën edhe dy cesma gjaku. U plagos për të dytën herë Tafili (Danaj) nga Progonati! U shkoq e bë copë nofulla e njomë e pionieres partizane Dallëndyshe Bektashi. Por një luftëtar, një burrë trim e sua trimash nuk mund ta braktiste e linte aty “cikëndinë e nënës”, vajzën e parritur mirë. Ashtu me plagët e veta të lidhura nxitimthi e që pikonin ende, e hodhi mbi shpinë si motrën e vogël dhe u nis me hapa tronditës e me një frymë drejt “spitalit partizan”. Mbi pikat e gjakut të tij e që po kuqonin gurë e drurë, pikoi e u bë curg edhe gjaku i partizanes Dallëndyshe…”Më shpëtove jetën, o vëlla Tafil!”. Kështu i drejtohej shpesh bashkëluftëtarja, një nga dallëndyshet e para të Lirisë. Nëpër vite kështu, derisa mbylli sytë e iku krenare në atë botë (5 vite më vonë, në kodrat plot zjarr e hekur të Vidohovës, një tjetër djalë nga Danajt e Kurveleshit, djali i xhaxhait të Tafilit, mbrojti me gjakun e jetën e tij cdo pëllëmbë tokë përballë provokacioneve të zeza të Gushtit ‘49…

Meditimi i mësipërm u ndërpre vetiu, kur në zemër të qytetit historik, po më afrohej një burrë shtatdrejtë e i mbështetur në një shkop të zakonshëm pleqërie, me syze të errëta e me një buzëqeshje ujëvare në fytyrë. Me hapa të qetë e të sigurt, befas më thirri ne emër. Ishte shekullori Visho Emini, “babulja”, sic i thërrasin djemtë, nipat e mbesat, nuset, fisi, shokët e miqtë. Sivjet po pergatiten të gjithë ti festojnë 100 vjetorin e lindjes! U përqafuam me shumë mall. “Eh, more Kristo djali, vetëm mali me malin nuk piqen! Më gëzove shumë…Më ke lënë pa shkop e më gjete me shkop. Ty të lumshin këmbët! Ti më thoshje shpesh se jam djalë i ri, kur ishe korrespondent këtu në Përmet. Ndërsa sot, jam vërtet djalë i ri, por vetëm nga mendja ama. Tani po mbaj 100 samarë!…”. Ky plak i urtë e i mencur, ish partizan, dikur drejtonte Këshillin Antifashist Nacionalclirimtar në Leskaj të Malëshovës. Ishte vetëm 24 vjec! Por populli e donte dhe e vlerësonte besnikërinë dhe ndershmërinë e tij proverbiale. Babai e kishte lënë kërthi bashkë me motrën e vogël. U rrit jetim nëpër duart e nënës e të gjyshes së moshuar. Përfytyroni një 13 vjecar, përmes flakës së luftës që po digjte e shkretonte cdo gjë me urën e zjarrit të pushtuesve e kolaboracionistëve, që përvesh mëngët e u hyn punëve në bujqësi e blegtori dhe gjer te ndërtimi i rrugëve në Gjirokastër e Tiranë! Pra, një lloj “kryefamiljari” i parakohshëm, gati i pabesueshëm. Sepse jeta, Visho Eminit nuk i hodhi vetëm lule, por edhe gurë. “- Vecse pleqëria vjen me kusure. Plaka po bën dhjetë dimra që më iku, më qorollisi fare…rroftë e qoftë Vjollca, nusja e djalit, Eminit! Se djalin tjetër (Safetin) e kam në Shkodër, mbeti atje që kur ishte me shërbim të detyrueshëm ushtarak. U dashurua atje, ndertoi jetën me zanatin e rrobaqepesit. Por e kam shumë male kaptuar…qaj hallet me Vjollcën, që e uroj dhe e bekoj përditë me shpirt e jo sa për të larë gojën. Unë i ngjava gjyshes Dylbere që rrojti 102 vjece, por edhe mëmës Hance që iku 95 vjece…”.

– Festofsh edhe 150 vjetorin, vakërrjoti im (patrioti)!, – e urova aty për aty, duke u capitur ngadalë e me vështrimin e ngulur tek Monumenti i Partizanit kushtuar Kongresit te Përmetit.

– Ngrije dhe pak kandarin, ngrije, se nuk i dihet, dëgjo mua!, – ma ktheu buzagas e duke më shtrënguar krahun. – Sikur kam ardhur dje në jetë, kështu më duket. Kam parë e degjuar shumë në këtë botë. Por djemtë e Luftës Clirimtare më dalin shpesh edhe në gjumin me ëndrra shumë. Ja, ti më the se je ngritur pa dalë mirë dielli dhe shkove te lëndina përtej, sic bëje shpesh kur ishe me baluke, te lëndina e trimave, te Dëshmorët përmetarë. Atje prehen edhe bashkëfshatarët e vërsnikët e mi Stefan Jorgo e Shaqo Tafani (dhe sytë i rrëmbushen papritur). Kjo tregon se ke mbetur ai që ke qënë, nuk të është turbulluar “komiteti qendror” (mendja) nga llagëmet dhe palldrëmet e qelbura në pluralizmin pa kokë e pa këmbë. Se sot, politikanët nuk e duan Shqipërinë si bashkëfshatari ynë fatzi, i kulturuari Sejfulla Malëshova. Sot e duan vetëm për ta mjelë e përvjelë… A po kënaqesh me ndryshimet e mira në Përmet e Këlcyrë? Ka vajza e djem të zotë nahija jonë. Nuk u punon mendja vetëm për të qëruar (vjedhur) e rrëzhgapur apo për të marrë arratinë. Mileti i njeh një për një dhe nuk vrapon hic pas valles së mangët (të majtë e të djathtë). Partitë e udhëheqësit në Tiranë kanë punët e tyre, por mileti ka kandarin e tij që nuk gabon kurrë. Vec të tjerave, jeta me ka mesuar se burri a drejtuesi i kolmë lidhen nga fjala, kau lidhet nga brirët… Do ma bësh kabull, se sot nuk u shkoqitëm tamam. Do vete në mbledhje. Mbase piqemi prapë…

Këtë burrë shekullor e respektojnë në qytet e në fshat. Ai nuk flet asnjëherë me qëllime të liga dhe as është fjalë e halë. Do shkonte në Konferencën e Veteranëve të LANC të rrethit. Ashtu haplehtë, me trokun e shkopit (“Me nevojitet kur më merren mendtë dhe për tu mbrojtur nga qentë, u them me shaka shokëve që më kanë mbetur gjallë. Se deri dje e mbaja ndezur zjarrin e muhabetit me Simo Tyton e rrallë, por edhe me Jorgo Xhanin që më dogji xhanin e iku përgjithmonë”) këmben përshëndetjet e përditëshme me njerëzit e mirë të Përmetit tonë të dashur. Fjalëbutë e të shtruar, kështu e pagëzojnë në vite. Larg fjalëve rrumbullake që shpesh rrokullisen në tym e nuk zënë vend… “Ja, më thuaj, miku im, a do të kishte Shqipëria Rilindje Kombëtare pa tre vëllezërit e një dere në Frashër; Abdyl, Naim e Sami?! Po nëse nuk do të kishte një Mentor Xhemali, një Tefta Tashko Koco, një Odhise Paskali, një Laver Bariu, një Androkli Kostallari etj.?! Po nëse nuk do të kishte një Kongres Antifashist si ai i pari në Përmet?!… Lum kush i nderon në cdo kohë! Ne të dy e pimë një kafe bashkë, e bëmë një copë rrugë në shëtitore dhe prapë na mbeten mjaft netë dimri e pranvere pa u molloisur. Mosha e pleqërisë herë-herë është hileqare e me huqe, mbaje mend këtë llaf! Lum ti, që të shoqëron prokja (gruaja) kur shkon gjëkundi. Rrofshi e pleqërofshi sëbashku, miku im i vjetër!…”

Përmet, Maj 2019

 

 

 

3 komente në “Përmeti i mirësisë dhe shekullori malëshovit Visho Emini…”

  1. Seiti says:

    Shkrim qe te emocionon. Edhe gur te jesh, te mbush te terin. Respekt pa fund kesaj pene qe mbeti e mprehte dhe e pa fund per dashurine ndaj njerezve. Jam i lumtur qe eshte pena e shokut tim te shkolles, te mirit, te thjeshtit, qe te bardhes i thote te bardhe dhe te zezes i thote e zeze. Ja ku gjendet forca e ketyre shkrimeve. Respekt dhe per gazeten Tema dhe botuesin e saj, qe boton shkrime si keto.

  2. Sejdin Reholli says:

    Hymn i fuqishem per Permetin dhe permetaret, per luften antifashiste nacional clirimtare dhe vajzat dhe djemte shqiptare qe bene kete lufte, per tere ata qe per lirine dhane dhe me te shtrenjten qe ka njeriu, JETEN. Te harrohet komisari Qemal Klosi, ky luftetar e burre i nderuar? Apo kucjoti Birce Sinemati, 200 vajzat qe u mblodhen ne Suke? Kurre, kurre. Ky autor i shkrimit, qe i lumte dora, na i sjell vazhdimisht te gjalle e me dashuri te madhe, sic sjell dhe miresine e njerzve te thjesht, si shekullori Visho Emini apo te atyre qe sot prehen ne varreza. Kemi nevoje per keto shkrime.

  3. stefan says:

    Te lumte dora per ato qe ke shkruar me zemer o Kristo!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje