Nga Andrea Llukani
Ish korrespodenti i gazetës “Bashkimi” për rrethet Përmet, Tepelenë, Gjirokastër dhe Sarandë, Kristo Mërtiri u shpall “Qytetar Nderi” i Përmetit. Pena e Kristo Mërtirit nuk rreshti së shkruari për të vërtetat e mëdha dhe të pakundërshtueshme. Përherë ka qenë i drejtpërdrejtë dhe i prerë, duke goditur pa kompromis abuzuesit. Kristo Mërtiri asnjëherë nuk e shiti penën nëpër tregje për ca palo privilegje. Kurdoherë ka qenë kritik dhe opozitar i çdo lloj pushteti të gënjeshtërt.
Duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar në fushën e gazetarisë me propozim të shoqatës atdhetare kulturore mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri”, Këshilli Bashkiak i Përmetit miratoi shpalljen e Kristo Mërtirit “Qytetar Nderi” i Përmetit. Kjo medalje i shtohet dekorimeve më të hershme. Kristo Mërtiri është dekoruar nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, me Medaljen “Naim Frashëri”.
Gjithashtu, me propozim të shoqatës atdhetare kulturore “Ismail Qemali”, Bashkia e Selenicës e ka nderuar me titullin e nderit “Për kontributin e shquar si publicist, në pasqyrimin e traditave, historisë dhe jetës së Labërisë”. Si bashkëfshatar i Kristos nuk mund të mos shkruaj diçka rreth të parëve të tij, sepse e ndiej si detyrim moral për ata që janë gjallë dhe për ata që kanë ikur nga kjo botë. Njerëz të mirë dhe fisnikë. Me këto fjalë i përkufizonte njerëzit e Kristos, diplomati Vangjel Vllaho.
Rrethi familjar i Kristo Mërtirit
Publicisti Kristo Mërtiri rrjedh nga një familje patriotike dhe atdhetare, e cila ka dhënë një kontribut të çmuar për kombin dhe për Peshtanin. Toponimet e Peshtanit dëshmojnë se Mërtirat qenë trima dhe patriotë. Ata e kanë vaditur me gjak tokën e tyre të shtrenjtë. Shembull heroizmi ka qenë Kara Mërtiri, qe u sakrifikua, duke mbrojtur vatanin e të parëve. Që nga ajo kohë vendi ku i prenë kokën quhet “Ara e Karait”
Kiço Mërtiri zotëronte mjeshtërinë e muratorit. Dëshmi janë krojet e shumtë të Peshtanit, që gurgullojnë ujin e kristaltë, por edhe këngët që i këndojnë bukurisë natyrore të fshatit. Kiço Mërtiri këndonte bukur. Ai mbahej si hedhës në këngët labe. Tre burra kujtohen me respekt në Peshtan. Lekë Gjoka, si marrës i këngëve labe, Kiço Mërtiri si hedhës dhe Çoko Malua. Kur ja merrnin të tre këngës tundej dheu, saqë fshatarët thonin: “Po zbresin kopetë e bagëtive nga Goliku”. Dy të parët e patën fatin e njënjtë, sa të dhimbshën, por edhe aq të lavdishëm. U pushkatuan nga okupatorët e vendit. Lekë Gjoka u pushkatua në Grykën e Mezhgoranit në vitin 1943, ndërsa Kiço Mërtiri u pushkatua më 1944 te Shkëmbi i Peshtanit.
Në janar të vitit 1944 nazistët gjermanë, pasi shkrumbuan fshatin rrëmbyen 35 banorë nga Peshtani, midis tyre edhe Kiço Mërtirin. Pasi kaluan shkëmbin e madh të Peshtanit, Kiço Mërtirin e masakruan dhe e vranë. Por, bishat naziste nuk u mjaftuan vetëm me kaq. Trupin e tij të bërë shoshë nga plumbat e hodhën në humnerë. Prandaj udha e ngushtë mbi “Buzën e Savës” edhe sot e kësaj dite pikon gjak. Është gjaku i të paharruarit Kiço Mërtiri, trupin e masakruar të së cilit e varrosën buzë Vjosës, sepse në fshat qenë nazistët gjermanë, që shkrumbonin shtëpitë e ndërtuara aq bukur dhe me aq dashuri nga plaku i urtë Kiço Mërtiri.
Djali i Kiços, Gole Mërtiri ka qenë një ndër organizatorët e revoltës së punëtorëve tek Ura e Bënçës, më 10 maj të vitit 1939. Në ditën e përurimit të urës punëtorët kundërshtuan të merrnin pjesë në pritjen e ministrit italian të Punëve Botore. Gole Mërtiri me guximin që e karakterizonte ishte i pari që ngriti zërin dhe grushtin e protestës, prandaj fashistët e prangosën. Bashkëfshatari i tij, Lipe Kele nuk mund të bënte sehir, por iu vërsul barrakës ku mbahej i arrestuar Golja dhe me varenë e gurëve e shkatërroi atë. Fashistët e burgosën Gole Mërtirin në burgun e Gjirokastrës dhe vite më vonë e internuan në Shëngjin të Lezhës, por akti heroik i tij mbeti dëshmi frymëzimi për brezat. Syrit të kalimtarit që kalon nga Ura e Bënçës i tërheq vëmendjen një pllakë përkujtimore, të cilën e vunë me inisiativën e tyre dy peshtanakë të mirë Aljosha Jorgo dhe Josif Gjoka.
Në këtë shkrim modest nuk mund të lë pa përmendur nënë Vathinë, e cila ka qenë burim mirësie dhe dashurie për të gjithë njerëzit pa dallim. Qenë ditët e ftohta të dhjetorit të vitit 1966. Familja e xhaxhait tim, Aleksit u dëbua nga qyteza e minatorëve në Memaliaj për të jetuar në Peshtan. Aleksi, Thianoja dhe gjashtë fëmijët e vegjël në moshë mbërritën në fshat në orët e vona të mbrëmjes. Me ata pak dru që gjetën ndezën zjarrin në vatër dhe filluan të thanin rrobat e lagura nga dëbora. Në shtëpi nuk kishin asgjë, sepse patën vite që qenë larguar, por edhe nga qyteza e minatorëve kur u larguan nuk mundën të merrnin asgjë, sepse nuk i lejuan ata që i dëbuan. Orët e mbrëmjes kalonin dhe ata mendonin se çfarë do të bënin të nesërmen? Në cilën derë do të trokisnin për ndihmë? Por, befas bie dera! Ishte Vathi Mërtiri, e cila u solli dy kuleçë të ngrohtë, djathë, gjizë dhe qepë. Një gjest fisnik dhe human i një gruaje të thjeshtë. Fëmijët pasi hëngrën i zuri gjumi. Tashmë e kishin një engjëll mbrojtës, nënë Vathinë zemërmirë.
Pranë njerëzve në nevojë
Populli thotë: “Dardha bie nën dardhë”. Këto cilësi të të parëve mishërohen edhe tek biri i tyre, Kristo Mërtiri. Vështirësitë ekonomike e detyruan Kriston të emigronte në Greqi, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga misioni i fjalës së lirë. Gjatë viteve që kaloi në emigracion, Kristo Mërtiri ka qenë kryeredaktor i gazetave: “Vëllazërimi” dhe “Zëri i Emigrantit”, që botoheshin në Athinë. Në artikuj e tij që ka shkruar në ato vite spikat fryma patriotike, atdhedashuria, si dhe bashkëjetesa vëllazërore me fqinjët. Artikujt e tij kurdoherë qenë në mbrojtje të interesave të emigrantëve. Në mars të vitit 1999 Kristo Mërtiri u kthye në Shqipëri dhe deri në shkurt të vitit 2000 ka punuar si ekspert i mediave në Ministrinë e Informacionit dhe në aparatin e Këshillit të Ministrave. Gjatë krizës së Kosovës, ai ka dhënë një kontribut të çmuar profesional në Kukës, ku ishte pika hyrëse të emigrantëve kosovarë. Për punën e tij Kristo Mërtiri është nderuar me titull nderi nga Këshilli i Qarkut të Kukësit me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në pasqyrimin mediatik të ngjarjeve në krizën Kosovare të vitit 1999”.
Shpallja “Qytetar Nderi” i Përmetit të gazetarit Kristo Mërtiri është një akt fisnik që na nderon të gjithëve. Ne krenohemi me birin e Peshtanit, Kristo Mërtiri dhe i urojmë suksese dhe pleqëri të mbarë.
Shkrim dinjitoz per kete familje atdhetare patriote si familja e Kristo Mertirit Le te krenohemi me keto figura fisnike qe i kane dhene e i japin me punen e kontriburin e tyre vendit , e tille eshte dhe ku shkrime per familjen Mertiraj e per gazetarin e talentuar me shpirte atdhetari Kristo Mertiri Ta gezoj dhe e meriton plotesishte kete titull Qytetar nderi i Permetit !
Nje familje fisnike me njerez fisnike.
Cfare lidhje ka Xristo Eporoti I Epirit dhe i biri I Grigorit qe do quhej Gole ne Al-Banistane me Frashellinjte,Ismailin qe shkuan ne Atdheun e tyre Turqine?
Ku jane emrat e Arvanitasve dhe respekti per ta qe jane “vellezer” me musllumanet turq si Frashelinjte?
Pse keta turq ne ndergjegje shkuan ne Stamboll dhe nuk u bashkuan me Arvanitasit?
Aresyeja eshte e thjeshte,se keta nuk menduan oer ndonje shtet te pamvarur nga Turqia,ndryshe nuk shpjegohet.