VIDEO/ Kandidatja e "BD", që kërkon postin e Vangjush Dakos, zbulon disa nga pikat e programit të saj për Durrësin

28 Maj 2019, 12:07Politika TEMA

Ndërsa fushata zgjedhore është në prag, programet elektorale me të cilat do të prezantohen kandidatët para elektoratit janë në fazën e përmbylljes.

Kandidatja e Bindjes Demokratike, Valbona Sakollari, deklaron për “DurrësLajm” se është një grup specialistësh të fushave të ndryshme që po merren me hartimin e programit të BD-së për Durrësin.

Fushatë atipike e cilëson Sakollari fushatën zgjedhore të Bindjes Demokratike në Durrës, pra një prezantim ndryshe nga ajo çfarë jemi mësuar deri më tani nga partitë e mëdha.

Sipas Sakollarit, pikat e forta ku do të përqendrohet programi i saj elektoral për zhvillimin e Durrësit në 4 vitet e ardhshme janë turizmi, investimet dhe përmirësimi i shërbimeve në zonat rurale, agroturizmi për vetë rëndësinë që përfaqëson ky sektor si dhe përmirësimi i transportit urban dhe interurban, si dhe një përkujdesje e shtuar për shtresat në nevojë.

Sakollari shprehet se programi elektoral do të jetë i bazuar në zgjidhje konkrete për të garantuar shërbime më cilësore për qytetarët durrsakë.

Ndërkohë, përsa i përket problematikave aktuale me të cilat përballen qytetarët, Sakollari rendit rrjetin e kanalizimeve, që janë bërë shkak përherë për përmbytjen e qytetit, stresin që shkakton trafiku i rënduar dhe mungesa e parkimeve, investimet e munguara në zonat rurale apo menaxhimi i mbetjeve urbane, një problem i trashëguar ndër vite.

Si një parti e re, e krijuar vetëm një muaj më parë, Sakollari shprehet se fokusi i Bindjes Demokratike do të jetë kryesisht elektorati i djathtë, që është dhe baza e BD-së, si dhe personat e dyzuar, ata që nuk ndihen të përfaqësuar dhe qëndrojnë në pritje të një alternative të re që do të fokusohet në ofrimin e zgjidhjeve konkrete.

Kush është Valbona Sakollari?

Sakollari prej shumë vitesh është e angazhuar në pozicion drejtues në një kompani ndërkombëtare që filialin e saj e ka në Durrës dhe njëkohësisht është lektore në UAMD.

Nënë e tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë e vogël, Sakollari përfshihet për herë të parë në politikë, duke u bërë pjesë e partisë më të re, Bindja Demokratike.

Përveç skepticizmit të fillimit, mbështetja që ka marrë nga rrethi familjar dhe ai shoqëror, e bën Valbonën të ndihet e sigurt se ka bërë zgjedhjen e duhur në kohën dhe vendin e duhur.

1 komente në “VIDEO/ Kandidatja e “BD”, që kërkon postin e Vangjush Dakos, zbulon disa nga pikat e programit të saj për Durrësin”

  1. ¬ says:

    PS të mos kishte pranuar asnjë parti të opozitës në zgjedhjet e 30 Qërshorit. Janë mësuar këta të opozitës të hanë në dy krahët. Dhe në parlament flitet që e kanë lënë, ndaj jo edhe kështu edhe ashtu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje