“Qorrsokaku” i prishjes së zgjedhjeve si “Sjellësi i fatkeqësisë”

29 Maj 2019, 12:52Blog TEMA

Nga Odise Kote

… nuk e di përse “qorrsokaku” i aksionit opozitar të Lulëzim Bashës me radikalizmin butaforik të tij, më rri në simbiozë me romanin “Sjellësi i fatkeqësisë” të Ismail Kadaresë. Mbase prej faktit se piknisja e dy personazheve; sjellësit të ferexheve që kërkonte mbulimin me errësirë të gjysmës së kontinentit dhe radikalizmit të dhunshëm për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve e deri në përplasje fizike, gjendet në thellësitë e asaj zone të errët që gjithnjë ka qënë kundër interesave kombëtare shqiptare.

Ne shqiptarëve, historia europiane na ka rezervuar një rol të thjeshtë, modest. Por kjo s’do të thotë se duhet të ikim në të kundërt të rrjedhës europiane, të dalim nga skena e të rrimë heshtur diku në një cep të saj. Asnjëherë nuk e kemi patur luksin që të ndalemi, aq më keq të ikim e të zhytemi në atë botën ku dielli nuk lind andej nga perëndon… e ku do të na duhen shekuj të tjerë për tu rikthyer në normalitetin e gjenezën tonë.

Shenjat tashmë janë të qarta, të shfaqura ditë pas dite, miting pas mitingu, në emër kinse të demokracisë, zgjedhjeve të lira etjetjetj. Lulëzim Basha po e çon opozitën drejt këtij diskursi. Iluzionet e zgjedhjeve, ose iluzionet e opsioneve, janë më të rëndësishmet ndër të gjitha iluzionet, janë marifetet më të arrira në stilin e jetës perëndimore në tërësi dhe të demokracisë perëndimore në veçanti. Por jo më të drejtat, më të vërtetat!

Megjithatë refuzimi i tyre, dhe orientimi drejt realiteteve të “paracaktuara” është gabimi më foshnjërak për një forcë politike që ka zgjedhur të veprojë në demokraci, e sipas ligjeve të saj.

Situata në fakt është shumë më serioze se kaq: në deklarata nxitëse të drejtuesve të opozitës, në mediume, intervista etj po artikulohen përditë fjalitë – përplasje fizike, luftë civile, togfjalësha të tmerrshëm aq sa të ngjan se ky flirt me dhunën ka ndërhyrë po dhunshëm te truri i tyre dhe ata nuk dinë ç’të bëjnë me ndërgjegjen e tyre të transformuar.

Mund të ketë njëmijë arsye për protesta, për mospranime, por nuk ka asnjë arsye të vetme për të penguar Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të krijuar në Shqipëri terrenin e një “lufte civile” me gjasë më pas ndërhyrjen e të gjithë faktorëve përfshirë edhe fqinjët, Rusinë e “miqtë” e fshehtë të nëntokës sulltanore. Ndërkohë, interesi i tyre në algoritmin politik të Shqipërsë është i thjeshtë për t’u kuptuar.

E kemi provuar njëherë djegien dhe shkretimin në 1997! Viti i zi, më antishqiptari. Viti i mbrapshtë si 1914! Mjaft më me urrejtjen e shqiptarit ndaj shqiptarit! Më shumë se gjithë të tjerët rrotull nesh që janë të dashuruar me idetë e globalizimit (ngatëruar paksa me ato të Internacionalizmit të dikurshëm) dhe përhapin nevojën e dyerve të shqyera, ne shqiptarët në mënyrë konstante duhet të kujdesemi më tepër se kushdo për sovranitetin dhe interesin tonë kombëtar, pasi ato kanë një rëndësi ekzistenciale për ne.

Po duket se 1997 është harruar… Mësimet e saj janë hedhur tej…(Sjellësit e fatkeqësive janë të gatshëm të mbërrijnë çdoherë në qëndër të botës shqiptare). Prej radikalizimit aktual të opozitës, të lëshuar si një kalë i hazdisur e pafre, shkatërrimit, dhunës së përgjithshme (jo thjesht atë të mitingjeve) vërehet qartazi që testet e stresit, presionit depresionit social e shoqëror po bien direkt mbi shëndetin e njeriut shqiptar, në ekonominë dhe psikikën sociale të brezave që po rriten me sindromën :ky vend nuk bëhet!

Kosto e këtij radikalizmi e këtij flirti me “dhunën e përplasjen civile” do të ndihen jo vetëm për vitet e ardhshme, por për dekada dhe me shumë të ngjarë, për të gjithë shekullin e ardhshëm.

Nëse do të bënim një pyetje kthjelluese në lidhje me këtë realitet : kush ka interes ta shohë Shqipërinë në këtë situatë? shumë prej qytetarëve që ende nuk e kanë shprehur mendimin e tyre do reagonin menjëherë, të gjithë ata që duan t’i bëjnë varrin Shqipërisë!

Kjo koshiencë, kjo qytetari që me heshtje është vërtet qortuesi më i madh i klasës politike shqiptare, ka ardhur koha të zgjohet. Të zgjohet e ti vendosë gjerat në vendin e vet, mjafton që secili të rishikojë këndvështrimin mbi thelbin, thellësinë, sipërfaqen dhe vitrinën. Ti thotë : Ndal edhe “sjellësve të fatkeqësive!”

Ndërsa Lulëzim Bashës, miqësisht le ti  kujtojmë sentencën e Erich Frommit,” Nuk ka liri të vërtetë pa lirinë e dështimit”.

 

2 komente në ““Qorrsokaku” i prishjes së zgjedhjeve si “Sjellësi i fatkeqësisë””

  1. O lUlash me qe nuk na thua dicka te besueshme na thuaj se une pi vetem uje burim Lajthiza.qe te paktente besh nje reklame.

  2. Hajde uje burim Lajthize ujima i mire reklama nga kryetariPD Lulzim Basha.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje