Atalanta ka mbyllur një kampionat që do ta mbajë mend gjatë. Bergamaskët ia dolën të renditeshin në vendin e tretë dhe si pasojë siguruan kualifikimin historik për herë të parë në grupet e Ligës së Kampionëve.
Pjesë e padiskutueshme e suksesit ishte Berat Gjimshiti.
Mbrojtësi fitoi statusin e titullarit ndeshjes pas ndeshje, ndërsa e kundërta ndodhi me portierin Berisha, i cili pasi e nisi si titullar e humbi më pas postin për t’u ulur në stol.
Duke parë suksesin e jashtëzakonshëm të ekipit, kanë filluar opinionet për ata që ishin më të mirët në sezonin e lënë pas.
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, nga gazetarët është cilësuar si zbulimi i këtij viti futbollistik. Në përshkrimin e tyre 26-vjeçari është vlerësuar për rritjen e tij taktike dhe personalitetin.
“ Berat Gjimshiti është te Atalanta prej viteve por gjithnjë është huazuar dhe nuk ka qenë në grumbullim. Është thërritur në momentin e fundit dhe është rritur shumë në nivelin teknik dhe taktik. Në fillim nuk besoja shumë te ai, por ka personalitet. Blerje më e mirë ndoshta edhe se Zapata”.
Ndërsa një tjetër gazetar më pranë Atalantës, shpreson që klubi të mos e shesë lojtarin. “ Për mua zbulim është Gjimshiti, sepse shkoi rastësisht në grumbullim dhe mund të largohej pasi kishte merkato. Shpresoj të mos largohet sepse ka personalitet dhe fizik, nuk ka shumë si ai në qarkullim”.
Ndërkohë, nga ana tjetër ka zhgënjyer paraqitja e Berishë, i cili nuk mundi të ishte për gjithë sezonin portieri titullar. “ E vështirë të gjesh një lojtar që të ketë zhgënjyer në një sezon të tillë, por nëse një që ka bërë më pak është Berisha. Por ka luajtur pak dhe nuk mundësinë nuk e shfrytëzoi”, ishin fjalët për Berishën.