Të paktën 12 vetë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën të premten gjatë një sulmi masiv me armë zjarri në një ndërtesë qeveritare në shtetin e Virgjinias në Amerikë, raporton BBCnews.
I dyshuari, i përshkruar nga zyrtarët si një punonjës i pakënaqur i qytetit në Virgjinia Beach, ka sulmuar njerëzit me armë zjarri në mënyrë të pakontrolluar në një ndërtesë administrative të këtij rajoni.
Sulmuesi, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Zyrtarët thanë se një polic është lënduar pasi u qëllua në jelekun anti-plumb që e kishte të veshur.
Sulmi filloi pak pas orës 16 sipas kohës lokale në Qendrën Komunale të qytetit Virginia Beach, ku ka shumë ndërtesa të autoriteteve të qytetit. Zona u bllokua për qarkullim nga policia dhe të gjithë punëtorët u evakuuan.
“Ne vetëm dëgjonim njerëz duke bërtitur dhe duke kërkuar që të tjerët të zbresin nga katet”, tha Megan Banton, asistente administrative në ndërtesën ku ndodhi sulmi.
Njëra nga viktimat u qëllua jashtë ndërtesës, në veturën e tij, ndërsa të vrarët e tjerë u gjetën në tri kate të ndryshme të ndërtesës. Lajmin e bëri të ditur shefi i policisë, James Cervera. Ai tha se skena e krimit ishte e tmerrshme dhe do të mund të përshkruhej më së miri si zonë lufte.
Ai tha: “Dua që ta dini se gjatë shkëmbimit të zjarrit me sulmuesin, policët e ndaluan atë të kryente më shumë vrasje në atë ndërtesë”.
Identitetet e viktimave dhe sulmuesit nuk janë publikuar. Raportohet se në këtë sulm janë plagosur katër persona, përfshirë një polic, shkruan “BBC”.