Një nga katër shqiptarët e arratisur nga paraburgimi i Athinës në fillim të muajit Qershor vijon të jetë në kërkim.
Policia greke ka publikuar foton e shqiptarit që është ende në kërkim prej 4 ditësh, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve që të japin informacion nëse kanë dijeni për vendndodhjen e tij.
Por, njëkohësisht autoritetet bëjnë thirrje edhe për kujdes, pasi shqiptari konsiderohet i rrezikshëm.
Ai ka disa identitete dhe mosha të ndryshme. Bëhet fjalë për Astrit Hasanin 35 vjeç, i cili përdor edhe emrat Titi dhe Jorgo, si dhe mbiemrat Asani, Hasan, Ashani, Astri, Xhelo.
Policia e Athinës thotë se 35-vjeçari figuron edhe me moshë të ndryshuar; 36 vjeç, 34 vjeç ose 33 vjeç.
Autoritetet greke e konsiderojnë person me rrezikshmëri dhe nuk përjashtojnë mundësinë që të jetë i armatosur.
Astrit Hasani është i dënuar për vrasjen e një 30-vjeçari grek në vitin 2012, dhe në të paktën 8 raste ka qenë i përfshirë në shkëmbim zjarri me policinë.
35-vjeçari u arratis nga paraburgimi i Athinës së bashku me 3 shqiptarë të tjerë.
Këta të fundit janë kapur dhe janë dërguar sërish prapa hekurave, teksa në kërkim është vetëm Hasani.