Nga Anton Martini tek Besim Hajdarmataj, ja prokurorët që "patën në dorë" dosjen 339 (dhe nisja e hetimeve për nxjerrjen e sekretit hetimor)

7 Qershor 2019, 15:37Kronika TEMA

Drejtuesja e prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela deklaroi se hetimet për dosjen 339  janë kryer nga disa prokurorë. 

Në një deklaratë për median ajo tha se hetimet per dosjen i nisi prokurori Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore, më pas dosjen e morën në dorë prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore dhe aktualisht ajo po hetohet nga prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi. 

Gjithashtu gjatë fjalës së saj kreu i Krimeve të Rënda tha se prokuroria ka nisur hetime për nxjerrjen dhe publikimin e akteve sekrete hetimore dhe të përmbajtjes së tyre, fakte të cilat sipas Prelës, jo vetëm janë të dënueshme penalisht por edhe dëmtojnë seriozisht vazhdimin e hetimeve. 

 “1-Nga fillimi i proçedimit penal datë 28.12.2016, deri më datë 20.11.2017 hetimet janë kryer nga prokurori Z.Anton Martini dhe dy oficerë të policisë gjyqësore. Pas kësaj date Prokurori është transferuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Shkodër. 

Gjatë hetimeve të kryera në këtë periudhë një vjeçare e cila përfshin dhe periudhën kohore të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (periudha qershor 2017), janë regjistruar hetime vetëm për veprat penale të “Trafikimi i narkotikëve”,  në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuara nga nenet 283/2, 283/a/2, 287 të Kodit Penal. 

2-Nga data 20.11.2017, deri më datë 21.09.2018, hetimet janë kryer nga Prokurori Besim Hajdarmataj, dhe 3 oficerë të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë dhe të policisë së shtetit. 

Me urdhërin e datë 05.03.2018, të prokurorit të çështjes Z. Besim Hajdarmataj,  është vendosur regjistrimi i veprave penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 333/a dhe 334 të Kodit Penal dhe po kështu me urdhërin e datës 05.07.2018, nga prokurori i çështjes Z. Besim Hajdarmataj, janë regjistruar emrat për 13 subjekte, si të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “ Korrupsion aktiv në zgjedhje“, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe me urdhërin e datës 14.08.2018është regjistruar emir i 8 personave si të dyshuar për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendore”, “Prodhim dhe shitje narkotikeve”, etj, të parashikuara nga nenet 283, 283/a, 333/a, 245, 260, 328 të Kodit Penal. 

3-Pas largimit të Prokurorit Besim Hajdarmataj për shkak të caktimit të përkohshëm pranë Prokurorisë Pogradec, me vendimin e drejtuesit të prokurorisë, datë 25.09.2018, janë caktuar për hetimin e procedimit,  prokurorët Z.Vladimir Mara dhe Z.Dritan Prençi, ku ky i fundit rezulton se ka qenë prokuror dhe ne disa procedime te tjera penale të bashkuara me procedimin penal nr 339/2016 më parë. 

Theksojmë se paralelisht me kryerjen e veprimeve hetimore për veprat penale në fushën e zgjedhjeve, prej datës 18.10.2018, janë duke u kryer hetime edhe për faktet penale të nxjerrjes dhe publikimit të akteve sekrete hetimore dhe të përmbajtjes së tyre, fakte të cilat jo vetëm janë të dënueshme penalisht por edhe dëmtojnë seriozisht vazhdimin e hetimeve. Në këtë periudhe për hetimin e tyre është caktuar si pjesë e hetimeve dhe një prokuror tjetër. 

Sigurojmë opinionin publik se Prokuroria për Krimet e Rënda Tiranë, gjatë kësaj periudhe është duke kryer veprime intensive hetimore për të gjitha veprat penale të cilat dyshohen se janë kryer në kuadër të këtij procedimi penal, veçanërisht për episodet që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve për të cilat është intensifikuar puna pas zbardhjes së transkripteve të përgjimeve.- tha Prela. (TermA) 

1 komente në “Nga Anton Martini tek Besim Hajdarmataj, ja prokurorët që “patën në dorë” dosjen 339 (dhe nisja e hetimeve për nxjerrjen e sekretit hetimor)”

  1. Beni says:

    Kjo eshte cmenduri te bjeri qeverria per ca biseda te Nices dhe mos te preken me dore njerez nga PD qe kane dore ne 600kg kokaine te kapura ne maminas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje