Zv/ndihmësi sekretari amerikan i Shtetit: SHBA e mbështet dialogun, duam që taksa të hiqet

10 Qershor 2019, 13:39Rajoni TEMA

Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Serbisë dhe Kosovës, tha zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

“Shohim se taksa është pengesë e tij. Duam që ajo të hiqet dhe në këtë mënyrë të dyja palët t’i kthehen tryezës së bisedimeve”, tha Palmer, duke folur për tarifën 100% që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Që nga ky vendim, Serbia është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke thënë se negociatat nuk do të vazhdojnë pa heqjen e taksës.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

I pyetur se çfarë pret nga takimi i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, nën organizimin e Gjermanisë dhe Francës, Palmer tha se Uashingtoni e mbështet plotësisht atë që bëjnë partnerët evropianë për zgjidhjen e problemit.

“Nuk mund t’ju them se si do të rrjedhë takimi në Paris, por qëllimi ynë i përbashkët është të arrijmë te marrëveshja. Besoj se ai takim do t’i udhëheqë të dyja palët në atë drejtim”, tha Palmer, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se nuk është i sigurt nëse takimi në Paris do të mbahet.

“Jemi gati për këtë takim, por nuk mendoj se dikush dëshiron të dëgjojë edhe një herë se si dikush nuk do ta anulojë taksën”, tha Vuçiq.

Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun qysh në vitin 2011. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.

1 komente në “Zv/ndihmësi sekretari amerikan i Shtetit: SHBA e mbështet dialogun, duam që taksa të hiqet”

  1. epo kjo pune says:

    fjala e amerikes vath ne vesh … por, se diplomacia e tille eshte, te pakten amerika ia le ne dere rusise duke thene keto fjale se qe te kete normalizim duhet qe te vije ministri jashtem rus ne Kosove dhe te beje thirrje ndaj serbeve ne beograd qe te njohin kosoven… rusi kete nuk e ben, ndaj amerika i le ne dere dhe serbia do nuk do do pranoje realitetete dhe do kerkoje ndjese se rruge tjeter nuk ka. Nderkohe duhet ruajtur gjakftohtesia sepse serbia e greqira jane kampion bote per turbullira.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje