Zgjedhjet e 30 Qershorit, kandidatët e pavarur shpalosin platformën

12 Qershor 2019, 01:12Politika TEMA

Kandidati i pavarur për Bashkinë Devoll Fejzi Shaholli, ka vijuar takimet për garën e 30 Qershorit.

Ai është ndalur në disa prej fshatra të zonës ku ka shpalosur platformën e tij elektorale.

Krahas dëgjesave publike dhe dialogut, Shaholli ka treguar edhe arsyet se pse ka zgjedhur të hyjë në zgjedhje.

“Unë vendosa të kandidoj si i pavarur, jo se nuk kam bindje apo afërsi me parti politike, apo se nuk kam mundësi të bëj aleanca fluide, për të lehtësuar procesin e kandidimit. Bindjet e mia politike janë të qarta dhe unë nuk i kam ato për t’i fshehur. Unë i përkas me vetëdije dhe pa lëkundje qendrës së djathtë. 

Por unë vendosa të kandidoj si i pavarur, sepse sot, më shumë se kurrë, duhet çrrënjosur mentaliteti i mbrapshtë i atyre që mendojnë se populli dhe zgjedhjet ekzistojnë për t’u shërbyer partive politike. Ky mentalitet në sferat e larta të politikës sonë është i përhapur, sa majtas edhe djathtas. Ky nuk është botëkuptimi im. Nëse me nismën e kandidimit dola përpara Jush me ofertën për t’Ju shërbyer, atëherë shërbëtor dua të jem i Juaji, jo i liderve nga Tirana, që Devollin e shohin nga harta, e që Devollinjtë i duan vetëm si numra. Unë dua të jem kandidati Juaj, ndaj dal sot dhe kandidoj si i pavarur”, shprehet ai.  

Shaholli është shprehur se kandidon në këto zgjedhje si për të përfaqësuar të djathtën, duke i bërë thirrje qytetarëve që ta votojnë atë në bazë të programit që ofron.

“Unë nuk dua që qytetarëve të mi të Devollit, mbi hallin e madh të keqqeverisjes qendrore,  t’u shtohet dhe një keqqeverisje lokale, apo gjëma që ndodh në Tiranë, të vijë me të njejtat ngjyra edhe në Devoll.

Unë besoj se qytetarët e Devollit, me mençurinë që i karakterizon, do të dinë të vlerësojnë situatën dhe do të marrin vendimin e duhur, do të shkojnë në zgjedhje dhe nuk do të lejojnë që një “rilindas” i ri lokal, ndoshta më i keq se gjithë “rilindasit” e tjerë qëndrorë, të cilët kanë 6 vjet që po tallen me ta, të marrë në dorë qeverisjen e tyre lokale.

Nuk kam asgjë me popullin socialist të Devollit. I garantoj ata se, nëse unë do të jem kryetar i Bashkisë, do t’i shikoj të gjithë si të barabartë”, shprehet Shaholli.

Për Bashkinë Devoll në këto zgjedhje garojnë katër kandidatë si e vetmja bashki me më shumë kandidatë.

Në fushatë janë Artur Poporllogu, nga partia Shpresa për Ndryshim,  Eduard Duro nga Partia Socialiste, Fejzi Shaholli kandidat i pavarur dhe Ylli Cenkolli nga Fryma e Re Demokratike.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje