Irani rrëzon një fluturake amerikane pa pilot

20 Qershor 2019, 13:29Bota TEMA

Irani rrëzoi të enjten një fluturake amerikane pa pilot, në një incident që zyrtarët iranian thanë se ka ndodhur mbi territorin e tyre, por zyrtarët amerikanë thanë se ka ndodhur në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Sipas iranianëve, fluturakja ishte një ‘RQ-4 Global Hawk’ që u rrëzua nga Rojat Revolucionare paraushtarake në hapësirën ajrore të krahinës jugore të Hormozganit në afërsi të Ngushticës së Hormuzit.

Një zyrtar amerikan e identifikoi fluturaken si një ‘MQ-4C Triton’ që po fluturonte mbi Ngushticën e Hormuzit.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore amerikane, Bill Urban, i tha Zërit të Amerikës se “asnjë fluturake amerikane nuk po vepronte sot mbi hapësirën ajrore iraniane”.

Ai refuzoi të komentojë më shumë rreth incidentit.

Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se Irani u përpoq të qëllonte një fluturake amerikane javën e kaluar dhe tensionet midis dy vendeve u rritën pas sulmeve mbi cisternat e naftës në rajon, për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, i cili ndërkaq mohon t’i ketë kryer sulmet.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara e kanë dëmtuar ekonominë iraniane dhe Irani ka paralajmëruar shtimin e sasisë së uraniumit të pasuruar, ndërsa kërkon ndihmë nga vendet evropiane për të shmangur masat e SHBA.

1 komente në “Irani rrëzon një fluturake amerikane pa pilot”

  1. V.F.L.P says:

    “Mize fluturake ishte”!!! Apo ishte avion pa pilot ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje