Prova e fundit e Ilir Metës

27 Qershor 2019, 20:30Politika TEMA

Nga Artur Ajazi

Presidenti i Republikës më në fund u zgjua, dhe si “kofini pas të vjelit” vendosi të merrte flamurin e “prijësit të shtetit”. Vendosi të bëhet “babai i kombit” dhe të thërrasë në pallatin e tij presidencial Lulzim Bashën dhe Edi Ramën, me arsyetimin për “të zgjidhur krizën politike”.

Pra, nuk i mjaftuan 6 muaj tallaze, dhunë, djegie, zjarre mbi institucionet, tym e flakë për qytetarët e vendit veçanarisht të Tiranës, por kreu i shtetit, ai që duhet të ishte mbi palët, por kujtohet në 72 orët e fundit para 30 qershorit, të ulë në tavolinë aktorët kryesorë politikë. Por ajo që ra në sy, ishte mungesa e ftesës për kryetaren e LSI, ndoshta duke mos e konsideruar faktor politik në krahun opozitar?

Nejse, kësaj here (nuk) dihet sepse kreu i shtetit Meta nxitoi madje të mbushte ftesën për kryeministrin Rama të cilën e kishte nisur me vrap në kohën, kur ai ishte në takimet e tij elektorale në Gramsh dhe Elbasan. Ta quash hipokrizi apo lajthitje e thjeshtë logjike, por kjo që bëri Ilir Meta me ftesat e tij për të “zgjidhur” krizën politike të stisur nga ai, ndryshe mund të quhet provokim i hapur, ose prova e fundit .

Meta e dinte fare mirë refuzimin e Ramës, edhe pse ftesa e tij ka mbërritur shumë vonë në Kryeministri(në kohë), madje para se të shkonte në SHQUP. Meta e dinte fare mirë, se Rama kurrë nuk do të pranonte një ftesë paçavure, e cila nuk ishte dhe nuk është për zgjidhjen e krizës, por thjesht për të testuar diçka tjetër, ndoshta fillimin e fundit të tij. Meta ka qenë, mbetet, dhe do të jetë palë me SHQUP-in deri në momentin kur ai të heqë ankthin e “bllokut” dhe blloqeve të tjera që një ditë do të hapen nga SPAK.

Meta ka kërkuar gjithmonë ortakëri me Doktorin dhe Lulzimin, si njerëzit e vetëm me të cilët ai, mund të mbijetojë jo vetëm politikisht, por me gjasë mund ti shpëtojë edhe ndëshkimit të drejtësisë. Veçse një gjë dihet publikisht, shqiptarët qysh ditën e parë kur Meta u zgjodh kreu i shtetit, ishin të bindur se ai njeri kurrë nuk do të ishte mbi palët, se ai njeri kurrë nuk do të ishte i paanshëm, se ai njeri kurrë nuk do të personifikonte denjësisht presidentin e gjithë shqipëtarëve.

Dhe kjo për faktin sepse ndaj tij, ka mjaft enigma të pazgjidhura nga organet ligjzbatuese. Kriza më e fundit politike, shkaktare e të cilës ishte dhe mbetet edhe bashkëshortja e tij Monikë, tregoi se Meta ka qenë dhe është “strumbullari” i revolucionit të pakallur të Lulzimit.

Edhe “ftesa” për Edi Ramën padyshim ishte produkt i një “pleqësie” të gjatë mes Ilirit dhe Lulzimit, me shpresën se “Ai” do të bindet dhe do të vendosë të shkelë në Presidencë, qoftë edhe 72 orë para 30 qershorit. Ftesa e Ilirit ishte prova e fundit me “zjarrin” e ndezur nga ai Monika dhe Lulzimi (natyrisht me bekimin e Doktorit) duke treguar se kriza e stisur mbetet sa politike aq edhe morale dhe ligjore. Ftesa e Ilirit, ishte shpresa e fundit e tij, por që Rama e preu në mes, për ti treguar vendin ku duhet të “falet” ai pas 30 qershorit, ndoshta për të gjetur konak në SHQUP (pasi LSI e ka Monika) me shpresë se Doktori do të ketë menduar diçka edhe për mikun e tij të vjetër.

3 komente në “Prova e fundit e Ilir Metës”

  1. ilir hoxha says:

    prova e zjarrit, do ta coje per skrap meten

  2. Jimi says:

    Artur! Gabon vetem ne nje gje, kjo nuk eshte levizja e fundit e ketij banditi te veshur padrejtesisht me petkun e pushtetarit me te larte te vendit. Asi nen menge i tij ende nuk ka dale! Deri te shtunen, ne menyre antikushtetuse, ai ka ne dore te shkrije parlamentin! Keta bandite perballe rrezikut nuk ndalen para asgjeje.

  3. Skrapari says:

    Te lumte pena.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje