Nga Ylli Pata
Ka prej daljes së shifrave të pjesëmarrjes në votime, që opozita po i mëshon një debati politik mbi shifrat e pjesëmarrjes, problemet në proces dhe natyrisht, çështjeve teknike të tij.
Është një debat jo i ri për zgjedhjet shqiptare, që natyrisht do trajtuar me të gjitha komponentet e tij, megjithatë rëndësia kardinale i jepet arbitrit ndërkombëtar, që është OSBE-ODIHR.
Sa është përqindja? Kush mori pjesë? Si mori? Si dhe problem të tjera po shtrohen si problem primare sot që procesi i 30 qershorit u vulos tashmë si zgjedhje kombëtare vendore, edhe pse nuk pati alternativë.
Por deri 48 orë më parë flitej se nuk do të kishte zgjedhje, nuk do të kishte proces, nuk do të lejohej, nuk do të kishte zgjedhës që do të votonin, komisionerë që do të organizonin zgjedhjet në qendra votimi, komisionerë zonalë që organizojnë komisionet e më pas grupet e numërimit, dhe në fund KZAZ që administrojnë votimet.
Nuk pamë KZAZ që digjeshin, fletë dhe materiale zgjedhore që shkrumboheshin, kryebashkiakë që kërcënonin qytetin, luftë në shumë zona që parashikonin apo paralajmëronin hatanë, prishjen e sistemit.
Në fund pati një proces zgjedhjesh. Një proces që do të hulumtohet në detaje dhe po hulumtohet.
ODIHR si arbitri ndërkombëtar dha raportin e saj mbi procesin, i cili do të plotësohet, dhe në bazë të tij do të flasin kancelaritë.
Pra të gjithë po flasim për proces politik për zgjedhje, standard apo edhe rregulla të zbatuara dhe shkelura.
Që do të thotë, po flitet për politikë dhe tërë këtë e bëjnë ata opozitarë që deri dje nuk flisnin për process, por për luftë ndaj sistemit.
Lufta nuk ndodhi, por u zhvillua një proces.
E kontestojnë? Shumë bukur! Tani duhet të ndiqen rrugët e kontestimit, së bashku me shtigjet përkatëse ligjore që parashikon ligji.
Pra kontestohet në KQZ dhe në Kolegj Zgjedhor.
Ose i kërkohet Parlamentit, Komision Parlamentar Hetimor për procesin, pra të hapen kutitë.
Kjo është rruga më normale, edhe pse e gjatë; atë që ofron sistemi.
Në një farë mënyrë te gjithë u kthyem në sistem, falë edhe 30 qershorit…