Llogaritë qesharake të 30 qershorit dhe naiviteti i vijimit të protestave

2 Korrik 2019, 19:42Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Ishin zgjedhje të shëmtuara. Madje nuk ishin zgjedhje fare, ishin votime. Le t’i qëndrojmë këtij përcaktimi dhe të mos kërkojmë as nga Audrey Glover e vëzhguesit që ajo drejton, që t’i japin një certifikatë kaluese ose pakaluese këtyre votimeve. Në 30 qershor u votua që të mbahej shteti shqiptar në procedurë dhe që t’u dëshmohej atyre që donin kaos dhe pushtet në tavolinë, se sistemi është më i fortë sesa interesat e partive. Të tjerat janë broçkulla si kofini pas të vjelit.

Të tilla janë edhe llogaritë që bëhen mbi pjesëmarrjen në zgjedhje, duke prodhuar një realitet aq haluçinant e qesharak, sa të dyja kampet këndojnë fitore njëkohësisht! Rama thotë se arriti fitoren më të mundimshme, ndërkohë që është votuar për një palë të vetme, pa garë dhe pa programe apo bilance. Kurse Basha, Meta e të tjerët shkojnë edhe më larg në budallëkun e shifrave, kur thonë se 85% e votuesve janë kundër Ramës.

Edhe ata që prej 20 vitesh kanë emigruar në Australi, edhe fëmijët e tyre të ikur dy apo tre vjeç e që sot s’dinë asnjë fjalë shqip, por figurojnë formalisht në listat zgjedhore! Shqiptarët kanë dekada që votojnë më masën 45-50%, edhe kur në garë kanë qenë Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Të bësh kalkulime se cili doli fitimtar e humbës nga këto votime, do të thotë të mos kesh nxjerrë asnjë mësim nga ajo që ndodhi. Në 30 qershor qeveria mori mesazhin se do të mbajë artificialisht të gjithë pushtetin vendor mbi shpinë, edhe duke fituar në vende të tilla si Tropoja e Shkodra. E kjo është një anomali që s’mund ta bëjë të lumtur asnjë socialist me dy pare tru.

Edi Rama duhet të nxjerrë mësimin se nga kjo përballje që për pak degjeneroi në përplasje civile, duhet të ndërtojë një iniciativë që të tërheqë gradualisht (të paktën të tentojë ta bëjë) edhe opozitën në sistem. Pas 30 qershorit asgjë nuk është si më parë, megjithëse duket kështu.

Ftesat formale për dialog duhet të jenë më insistuese dhe të mbushura me përmbajtje, për të mos mbetur në shpotitë dhe batutat e rrjetit social, por për të ndërtuar një strukturë negociatash serioze, e që do të ngërthejnë të gjithë gamën e krizës politike shqiptare.

Nga ana e saj, opozita, e cila duket se ndodhet në pozitën e vështirë të gjendjes së një rrugëdaljeje nga Amoku i lëvizjes së dështuar “Rama ik”, ka rastin që këtë votim ta shohë jo thjeshte me syzet prej miopi të atij që llogarit 85% të shqiptarëve si anëtarë të Partisë Demokratike.

Por me logjikën e ftohtë të grupimit politik që aktualisht ndodhet jashtë çdo formati institucional të këtij vendi (me përjashtim të organizatës opozitare me emrin Presidencë). Mosrrëzimi i Edi Ramës, pamundësia e pengimit të 30 qershorit dhe kriza e thellë me ndërkombëtarët, janë piketa që duhet të bëjnë të reflektojë çdo zyrtar të opozitës së sotme.

Për pasojë, ata që thonë me lehtësi fluturake se pas kësaj të diele nuk ndryshon asgjë, se do të vijojmë protestat, se kemi fituar, se i kemi votat – pra nëse vijohet me këto fantazira pa sens, dy rrugë mbeten: ose të shkohet në zgjedhje që ato vota të kthehen në mbështetje për të fituar pushtetin, ose të vendoset ulja në dialog.

Protestat e provuan veten si një mjet që futi në krizë Shqipërinë më shumë sesa Edi Ramën dhe si një rrugë e shkurtër që nuk e afroi opozitën tek pushteti.

30 qershori i përket një kohe tjetër. Tani jemi në korrik. Asgjë s’është më si më parë.

11 komente në “Llogaritë qesharake të 30 qershorit dhe naiviteti i vijimit të protestave”

  1. Flutura says:

    Pse t’u duk e lehte fitorja e Edi Rames ty Skender? Habitem me ty, ishte i vetem nga politikanet qe mbrojti me kembengulje deri ne fund shtetin, shqiptaret nga kaosi sebashku me aleatet. Zgjedhjet i ka fituar edhe kur pushtetin e kishin PD LSI.
    Nuk munda te te lexoj deri ne fund se me tmerrove me rreshtat e pare.

    1. Grigor says:

      Flutura, nuk ka gje. Mos u bej merak. Skenderi duhet te jete i paanshem, si te gjithe gazetaret e vertete. Keshtu behet i lexueshem edhe nga ata qe ua ka hequr trurin Berisha dhe u ka futur balte ne vend te tij.
      Por problemi qe ngre Skenderi eshte i vertete, dhe ti e di besoj.
      Familja ime, vete i peste, kemi me shume se njezet vjet jashte Shqiperise, por figurojme ne listat e votimeve, megjithese as nuk lejohemi te votojme, sepse vijme ne Shqiperi me pasaporta te huaja. Cuditerisht une paskam votuar tre here mbas vitit 2000, kur ne fakt votimi i fundit qe kam bere eshte i vitit 1996. Nuk e dija qe qenkam kaq i tmerrshem qe te jem te djelen ne Shqiperi per votime, dhe te henen ne mengjes te jem ne pune ketu jashte Shqiperise, dhe pa hypur fare ne aeroplan. Do kem zbuluar ndonje menyre te re udhetimi dhe une nuk e di akoma.
      Besoj kesaj radhe nuk kam votuar. Paskam qene kunder Rames. Tani, qe te flasim hapur, une vertet nuk jam me Ramen, por perpara se te votoj per Saliun dhe Meten, une i pres te dy duart. Po te isha ne Shqiperi, do kisha votuar per Bindjen Demokratike ose per ndonje te pavarur. Nuk eshte krim te jesh kunder Rames, por eshte krim te jesh kunder Shqiperise, per nje interes te ngushte personal. Njeriu duhet ta kete nje vije te kuqe qe nuk e kalon, kur interesi personal prek interesin a shumices se shqipetareve.

  2. BRSS says:

    SKENDER ME GJITH RESPEKTIN QE KAM PO TE THEM SE JA KE FUTUR PORDHES ,SHTETI KETYRE MERCENAREVE QE PER 30 VJET KAN BER TE TILLA SKENARE DUHET TU TREGOJ FORCEN DHE TI ÇOJ PARA LIGJIT QE KEMBENGULJA E RAMES QE DHE NDERKOMETARET E MBESHTETEN KA MAR MANDATIN PER TE QEVERISUR DERI NE 2021 DHE SKA PSE TJU LUTET KETYRE PUSHTAVE KATA DUHET TE IZOLOHEN TE NXIREN JASHT LIGJIT PARTI FASHISTE ME ILIR METEN NE KRYE

  3. Erindi says:

    Ke te drejte Skender. Analize perfekte.

  4. Xhaxhi says:

    Nuk ka opozitë për të tërhequr në sistem. Opozita ishte/është në kaos, dhe sipas ligjeve të natyrës, pas kaosit vjen edhe rregulli. Opozita do të rikrijohet, puna është nëse do të ketë që njëjtin emër apo jo.

  5. astrit says:

    Z. Minxhozi. L. Basha ka deklaruar mese nje here se nuk dialog me E. Ramen. Atehere nese PD dhishiron tr dale ngs gremina, ta shkarkorkojne dhe te zhjedhin nje kryetar te ri,

  6. Haka Tekizoti says:

    Kësaj opozite e udhëhequr nga hajdutët e kriminelët me damkë që kanë në krye, nuk i hyn në vesh asgjë normale, asnjë lloj ftese e logjikshme, dashamirëse për reflektim e parimore. Pa u vetpastruar nga brenda ajo do të jetë një turmë e drejtuar nga banditët, prandaj zoti Minxhozi e analistë të tjerë që përpiqen ta sjellin në udhë të mbarë, duhet të shprehin këtë të parë dhe gjinjë e jo nganjëherë.

  7. Engie says:

    Opozita shqiptare eshte si ata femijet e vegjel qe duan dicka dhe shtrihen per toke dhe ulerijne derisa tu plotesohet deshira. Nuk ecet me keshtu. Nuk duhet te kete me zhdekretim te dates se zgjedhjeve pervecse ne raste te jashtezakonshme dhe sipas kushtetutes. Jo me perpjekje per te marre pushtetin ne tavoline ose me dhune, jo me vjedhje votash. Shumices se shqiptareve u ka ardhur ne maje te hundes nga keto marifete. Opozita le te ristrukturohet dhe te dale me nje program te besueshem per shqiptaret dhe te perpiqet te fitoje zgjedhjet. Por me pare duhet tu vere shqelmin atyre politikaneve qe i rrokullisen ne humnere. Edi Rama s’ka pune tu ofroje atyre pushtet qe se kane fituar me vote.

  8. Tori says:

    Siguro mor xhaxhi qe do krijoje nje opozite te re Rama yt se nje e krijoi per zgjedhje.

  9. Pokeristi says:

    Me keqardhje z.Minxhozi,me nje ndjenje pretendimi per te qene objektiv,keni rene ne nje subjektivizem te pa justifikuar.
    Per hir te se vertetes per cdo njeri normal gjthcka u sajua nga nje bande politikanesh hajdute .Ata duke qene ne grahmat e fundit u perpoqen me te gjitha mjetet dhe menyrat ,per te ruajtur gjithcka te vjedhur.
    Pra,kjo dhe vetem kjo duhet zberthyer dhe ndricuar.
    Kjo mendoj eshte detyre mund te them patriotike ne rradhe te pare e analisteve dhe gazetareve ,pastaj eshte e te gjithe intelektualeve te pergjumur dhe se fundi qe duhesh te renditej e para eshte detyre e kujtdo qe e do sadopak Shqiperine.

  10. sorge says:

    Ato jane zgjedhje e fund

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje