Presidenti Trump urdhëroi të mërkurën një hetim mbi taksën që Franca ka planifikuar t’u vendosë kompanive të teknologjisë, një hetim që mund të çojë Shtetet e Bashkuara drejt vendosjes së tarifave të reja ose kufizimeve të tjera tregtare. Taksa në fjalë do të shqyrtohet sot nga Senati francez.
“Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara se taksa e shërbimeve digjitale, e cila pritet të kalojë në Senat synon në mënyrë të padrejtë kompanitë amerikane”, tha përfaqësuesi i tregtisë së SHBA, Robert Lighthizer, në një deklaratë.
Masa e firmosur nga Trump i jep Lighthizer-it deri një vit kohë për të hetuar nëse plani i taksës franceze do të dëmtojë kompanitë e teknologjisë amerikane.
Hetimi “Seksioni 301” do të përcaktojë nëse taksa përbën një praktikë tregtare të padrejtë. Hetimet e mëparshme kanë mbuluar praktikat tregtare kineze dhe subvencionet e Bashkimit Evropian në avionë të mëdhenj komercialë.
Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha në mars se një taksë prej 3% mbi të ardhurat franceze të kompanive të mëdha të internetit mund të gjenerojë 500 milionë euro (563 milionë dollarë) në vit.
USTR tha në një deklaratë se “shërbimet e mbuluara janë ato ku firmat amerikane janë liderë globalë. Struktura e taksës së re të propozuar si dhe deklaratat e zyrtarëve sugjerojnë se Franca synon në mënyrë të padrejtë të taksojë disa kompani të teknologjisë që e kanë bazën në SHBA “.
Lighthizer tha se Trump “ka hapur dritën jeshile për hetimin e efekteve të këtij ligji dhe përcaktimin nëse ai është diskriminues apo i paarsyeshëm dhe ngarkon apo kufizon tregtinë e Shteteve të Bashkuara”.
Ministri Le Maire ka thënë se taksa do të synojë rreth 30 kompani, kryesisht amerikane, por edhe kineze, gjermane, spanjolle dhe britanike, si dhe një firme franceze dhe disa firma me origjinë franceze që janë blerë nga kompani të huaja.
Taksa do të ndikojë te kompanitë në masën rreth 750 milionë euro (844 milionë dollarë) mbi të ardhurat vjetore. Kompani si Alphabet Inc (GOOGL.O) Google, Apple Inc (AAPL.O), Facebook Inc (FB.O) dhe Amazon.com Inc (AMZN.O) pritet të jenë subjekt i taksës. / Reuters / Përgatiti: Gazmira Sokoli /