Telenovela “Matthijs de Ligt” ka mbërritur në serinë e fundit. Tashmë është në Torino dhe shumë shpejt do të zyrtarizohet si lojtar i Juventusit. Për të gjithë procesin e negocimit dhe ndodhitë u ndal të flasë agjenti i tij, Mino Raiola, i cili sqaroi disa çështje kryesore.
Juve e kërkoi më shumë? “Nuk është çështja se kush e kërkoi më shumë, por ekipi që i përshtatet më mirë atij. Për një mbrojtës, të shkojë në Itali është e rëndësishme.
Ai mund të mësojë të bëhet numri një në botë. Për karrierën e tij është i nevojshëm ky hap. Ai mund të mësojë të jetë numri një në nivel të lartë. Për shpirtin dhe punën që bën, ngjan me Nedved, për mentalitetin më kujton Ibrahimovic.”
Raiola sapo mbylli me sukses transferimin e Matthijs de Ligt te Juventus, por vera për të është e gjatë, sepse lojtarë të tjerë në patronazh të tij janë me valixhe në duar.
E paqartë është e ardhmja e Moise Kean, për të cilin ka interes të fortë nga skuadra të mëdha në Europë, por Juventus nuk dëshiron të humbasë një lojtarë të tillë.
Raiola e sinkronizoi presionin e tij ndaj klubit italian me dy fjali të thjeshta, duke e ngritur Kean në nivelin e de Ligt (i cili merr pagë 12 mln euro tani), me pak fjalë kërkon rinovim të kontratës me përmirësim të pagës.
Kean? “Ai është në nivelin e de Ligt, është një kampion i madh, do të shohim”, tha Raiola, duke lënë gjithçka të hapur.
Më pas ai u ndal të flasë edhe për Paul Pogba, i cili e ka shprehur se dëshiron të largohet nga Manchester United, por Real Madrid nuk ka hedhur hapa konkret drejt tij.
Pogba? “Nuk ka asgjë, askush nuk më ka shkruar mua, asnjëherë! Unë e jetoj jetën time ditë pas dite”, vijoi ai më tej, duke vënë në dukje se është radha e klubit madrilen për të bërë lëvizjen e mëtejshme.