FOTOT/ Revista e njohur amerikane: Enver Hoxha vërtet s'jeton më, por bunkerët e tij do jetojnë përgjithmonë. Dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin

28 Korrik 2019, 10:45Turizëm TEMA

Kryeministri i vendit, Edi Rama, përmes një postimi në Facebook, ka nxjerrë artikullin e revistës amerikane Wired, e cila i ka dedikuar një artikull për bunkerët e Shqipërsë, të cilët janë transformuar.

“MIRËMËNGJES ?

dhe me këtë artikull të revistës amerikane Wired për Shqipërinë dhe atraksionet e veçanta që e bëjnë vendin tonë një destinacion për të mos u humbur, ju uroj një të diel të bukur ?”, shkruan Rama.

Revista shkruan se, bunkerët janë ndërtuar në kohën e komunizmit, ndërsa fotografi i njohur Robert Hackman, i ka fotografuar dhe ka sjellë albumin  “Metamorfoza: Ripërdorimi i Bunkerëve Shqiptarë të Epokës Komuniste”.

Më poshtë gjeni artikullin e plotë në shqip

Wired: Bunkerët e Shqipërisë, dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin

Më shumë se 750 mijë bunkerë ushtarakë mbinin dikur anembanë Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik i Europës Juglindore me sipërfaqe prej vetëm 28 748 kilometrash katrore.

Bunkerët u ndërtuan nga diktatori komunist Enver Hoxha, i cili sundoi për 40 vjet pas Luftës II Botërore duke besuar se armiqtë mund ta sulmonin nga çasti në çast. Kjo në fakt nuk ndodhi kurrë. Më vonë, krejt pa zhurmë, qytetarët i përdorën vendstrehimet e luftës për të tjera qëllime si për të strehuar bagëtitë, akomoduar turistët ekskursionistë apo për të shitur ushqime të shijshme.

Fotografi britanik Robert Hackman ka fiksuar imazhe të 250 prej tyre gjatë udhëtimeve të tij anembanë Shqipërisë në dekadën e fundit. Ato shfaqen në librin e titulluar “Metamorfoza: Ripërdorimi i Bunkerëve Shqiptarë të Epokës Komuniste”, një botim për të cilin ai shprehet se është “një dëshmi e triumfit popullor mbi shtypjen dhe nënshtrimin”.

“Dëshira ishte që ta regjistroja këtë kapitull kalimtar të historisë shqiptare”, shprehet ai, “dhe për të bërë të njohur jo vetëm bunkerët, por edhe popullin shqiptar dhe vendin e tyre në sytë e një audience më të gjerë”.

Bunkerizimi i Shqipërisë ishte një sipërmarrje 2,2 miliardë dollarëshe e nxitur nga izolimi ekstrem i vendit. Hoxha, vartësit e të cilit e quanin “forca e vetme”, mori kontrollin e vendit në vitin 1944, duke ndërtuar një formë fanatike të komunizmit, që nuk krahasohej me asnjë aleat tjetër. Në vitin 1968, ai doli nga Traktati i Varshavës, që ishte një kundërpërgjigje e Moskës ndaj NATO-s, ndërsa ftohu dhe tendosi marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik, ish-Jugosllavinë dhe Kinën. Pa asnjë vend aleat, ai u mbyll në bunkerë. Gjatë gjithë periudhës mes viteve 1970-’80-të, fabrikat prodhuan blloqe dhe kupola betoni të përforcuara me çelik për vendstrehime, madhësia e të cilëve varionte nga një vendrojë për një ushtar të vetëm, në fortesa nëntokësore pesëkatëshe. Punëtorët përdorën traktorë dhe vinça për t’i ndërtuar bunkerët në plazhe, fusha dhe rrugë qytetesh anekënd vendit dhe qindra prej tyre humbën jetën në punë.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, tokat ku ishin ngritur bunkerët iu rikthyen pronarëve të tyre të dikurshëm, të cilët u përpoqën t’i shfrytëzonin sa më mirë. Ata i shndërruan në gjithçka, nga qebaptore, në salla bilardosh, siç ishte rasti i bunkerit që Hackmani pa në vitin 2001, ndërsa shërbente në Shqipëri si përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët.

“E dija se ishte temë e pazakontë dhe do të ishte një projekt i veçantë fotografik”, shprehet ai.

Por ishte viti 2008 kur ai nisi ta merrte seriozisht fotografimin e tyre. Pas fluturoi nga Londra drejt Tiranës, ai do të kalonte më shumë se dy javë duke udhëtuar anembanë vendit në kërkim të gjurmëve të kupolave prej betoni. Vendasit ishin në përgjithësi të lumtur që ai i fotografonte këto struktura, edhe pse nganjëherë vetëm pasi kishin kaluar së bashku një ditë duke pirë raki, një pije shumë e fortë alkoolike. “Kur ngrihesha të fotografoja rreth mbrëmjes, mezi rrija në këmbë”, rrëfen Hackman.

Ndërkohë që vazhdonte projektin e tij, Hackman vuri re se bunkerët po zhdukeshin në masë. Çmimet e metaleve për skrap ishin rritur me shpejtësi, shprehet ai, dhe shqiptarët e varfër përdornin lëndë shpërthyese dhe makineri industriale për shkatërrimin e bunkerëve. Ndonëse që atëherë qeveria i ka marrë nën mbrojtje, pasi ende i konsideron pronë publike, bunkerët vazhduan të shkatërroheshin. “Besoj se popullata vendase ka humbur mundësinë për të qenë mbrojtëse e kujtimit të atyre që kanë vuajtur nën regjimin e Enver Hoxhës, duke i mohuar vetes në të njëjtën kohë një burim të madh të ardhurash nga turizmi”, shprehet Hackman.

Sa u takon shqiptarëve, ata kanë opinione të ndryshme: disa janë të lumtur që shohin shkatërrimin e tyre, ndërsa të tjerë janë të një mendjeje me Hackman dhe kërkojnë ruajtjen e tyre. Në vitin 2012, studentët e Universitetit ”Polis” në Tiranë ndërmorën projektin “Bunker me Mëngjes” (Bed and Bunker), një përpjekje për t’u shndërruar bunkerët në hotele me mëngjes për turistët. Projekti “Kërpudhat prej Betoni” krijoi gjithashtu hap pas hapi një manual lidhur me transformimin dhe ripërdorimin e bunkerëve. Në periudhën mes viteve 2014 dhe 2016, dy bunkerë të mëdhenj të nëndheshëm u shndërruan në muze, njëri prej të cilëve u dëmtua gjatë ndërtimit nga një grup protestuesish, që e shikonin muzeun si glorifikim të së kaluarës.

“Enver Hoxha vërtet nuk jeton më, por duket se së paku disa prej bunkerëve të tij do të jenë aty përgjithmonë”.

5 komente në “FOTOT/ Revista e njohur amerikane: Enver Hoxha vërtet s’jeton më, por bunkerët e tij do jetojnë përgjithmonë. Dëshmia e triumfit mbi nënshtrimin”

  1. Durimi says:

    Jeni bere oktapode te kohes. Kush nuk ka bunkere, Amerika, Gjermani, Franca, Anglia? Kush nuk ka bunkere? Vecse keta kane bunkere te mbrojne vetem kokat e sunduesve, ndersa Enveri i ndertoi dhe per te mbrojtur kokat e popullit tij. Ky eshte ndryshimi.

  2. Kasandra says:

    Z. Kryeministër tani edhe zëdhënës i gënjeshtrave antishqiptare!?
    Ai riboton artikullin e revistës WIRED me gjithë gënjeshtrat që mban brenda dhe komentet denigruese dashakeqe për përpjekjet e popullit të pamposhtur shqiptar për vetëmbrojtje kur bota ka ngritur me kohë bunkerë të vegjël e të mëdhenj deri edhe qytete të tërë nëntokë vetëm për një moment rreziku potencial. Me këtë veprim Kryeministri konfirmon përmbajtjen mashtruese antishqiptare të sheqerosur të artikullit. Ç’nevojë ka!?
    Në vend të përgënjeshtrimit Ai konfirmon se ishte Shqipëria që tendosi marredhëniet me aleatët kur në të vërtetë ishin ata që i ndërprenë ndihmat dhe lidhjet me ne se nuk pranuam të ktheheshim në vasalë të tyre; Ai konfirmon se në sistemin e kaluar janë ndërtuar 750 mijë bunkerë kur në të vërtetë kanë qenë vetëm 165 mijë bunker. Ai pranon se ata nuk kanë qenë të nevojshëm dhe nuk pati ndonjë sulm kur Shqipëria ka qenë në të vërtetë gjithë kohës e sulmuar gjatë luftës së ftohtë të cilës nuk i dihej fundi. Konflikti me BS dhe Traktatin e Varshavës u kapërcye me politikë konsekuente mbrojtëse, e paqësore ndaj vendeve të tjera.
    Ai harron historinë përfshirë sulmin nga jugu të vitit 1949 që dështoi me turpin e agresorit, luftën kundër diversantëve dhe komitëve të maleve që nuk kursenin asnjë dhe asgjë.
    Ai harron se bunkerët dhe gjithë Shqiptarët u vunë në shërbim të mbrojtjes kosovare nga genocidi serb në kohë paqeje, që vërteton domosdoshmërinë e tyre dhe se politika shqiptare përgatitej për mbrojtjen e gjithë shqiptarëve në trojet e tyre, se armatosja e shteteve rreth nesh dhe shprehja hapur e pretendimeve të tyre nostalgjike bënin dhe bëjnë të domosdoshme që edhe shqiptarët të jetojnë me kohën në unison me aleatët të cilët i dinë të gjitha të vërtetat.
    Ai e di mirë se nuk ishte populli nisiator për t’i kthyer bunkerët në skrap, por ata që dogjën grurin në arë, që rrafshuan vreshta e fabrika, qendra pune pa fund, madje edhe bunkerë, gjithëçka që siguronte jetesën e popullit sipas një strategjie makiaveliane, se ky ishte një krim i madh. Ndryshimi i regjimit nuk do të ndihej në se vendi nuk do të bëhej tokë djerr siç e dëshironin lakmitarët historikë që e realizuan ëndrrën e tyre me dorën e lakenjëve shqiptarë të cilët i kordinuan dhe intensifikuan sulmet një herësh në të gjitha fushat deri në asfiksimin e plotë të jetës hapur dhe nën rrogoz.
    Urrejtja është shkatërrimtare. Ripërdorimi i bunkerëve tregon shpirtin praktik krijues popullor për t’iu përshtatur kushteve të reja. Jeta vazhdon, historia gjithashtu. Mosrespektimi i historisë e ul dinjitetin e kujtdo, drejtues ose jo.
    Së fundi, revista WIRED pranon se sistemin e kaluar e quan “… një formë fanatike e komunizmit që nuk krahasohej me asnjë aleat tjetër.”, “fanatike” domethënë socialism real, pa deformime e reformime shkartisur me ekonominë e tregut siç bënë aleatët…Pra Shqipëria ishte në rrugë të drejtë dhe la pas, veç të tjerave, tre mësime të mëdha:
    1. Nuk është e lehtë të ndërtoshë e ta mbroshë socializmin në kushet e rrethimit të përhershëm armiqësor e në gjendje lufte siç ishte Shqipëria.
    2. Arritjet e jashtëzakonshme social ekonomike, politike e kulturore i treguan botës edhe një herë në kohët moderne se shqiptarët kanë kapacitetin e domosdoshëm dhe dinë si paraardhësit e tyre të ndërtojnë shtet të fuqishëm dhe paqedashës.
    3. Fakti që shqiptarët përqafuan alternativën demokratike, aleancën me SHBA dhe integrimin në BE tregon se dinë të ndajnë epokat historike dhe të ecin përpara me objektiva të reja. Këto janë sot deviza jonë. Kasandra.

  3. Kasandra says:

    Ndoshta ju mendoni se vonesa e postimit të komentit tim ose mospostimi i tij janë në të mirë të KM. Edhe komenti im atë ide përcjell nëpërmjet fakteve historike, duke shpresuar që të kuptohet thelbi i artikullit të revistës në fjalë. Kasandra.

  4. american16al says:

    Komentet e mesiperme tregojne ate qe diktatori Hoxha beri jo vetem shkaterrimin ekonomik, izolimin e tmerrshem por ai krijoji vemjen shqipetare te vecante qe do kohe ta tjetersosh dhe ta afrosh me perendimin e qyteteruar.
    Shikoni realitetin politik shqipetare te mbushur te gjithe me sojin e krijuar prej tij injorante , hajdute, prostituta, servile dhe lamashe te te gjitha ngjyrave.

  5. veterani says:

    Qe ndertoi aq shume duke renuar ekonomine ish gabim fatal por ne SHBA bunkeret ndertohen 20 kate nen toke….
    Ne u katandisem nje shtet pa ushtri pa nje avjon etj etj. Thone shume njerez qe jemi ne NATO, po shtetet fqinje a nuk jane ne NATO qe blejne avjone te markes se fundit…. Ja kete beri komunisti legjendare Sali krimineli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje