Koncert në vitin 2019

29 Korrik 2019, 17:00Politika TEMA

Nga Skënder Minxhozi

E keni parasysh filmin e famshëm shqiptar “Koncert në vitin ‘36”, ku çdo frazë dhe dialog është kthyer në batuta dhe shprehje humori?! Është filmi që, përtej dozës së kudondodhur të progandës së kohës, zbërthen në mënyrë të pamëshirshme e mjeshtrore arsenalin e zakoneve, sjelljeve, situatave e raporteve njerëzore, sociale e politike në një provincë shqiptare të viteve ‘30.

Nëse ka një arsye përse ai film dhe të tjerë si ai vazhdojnë të jenë edhe sot ndër të preferuarit e publikut shqiptar, nëse kërkoni një motiv përse pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë e kanë “Koncertin…” në arkivin filmik personal, nuk është vetëm pasi aty luajnë aktorë të mëdhenj dhe gjithçka është e bukur dhe e gjetur. Natyrisht që ky që është një faktor me rëndësi, por përtej kësaj rrethane, shqiptari i sotëm gjen tek këto vepra filmike të së shkuarës një copë ende të gjallë e vibrante të Shqipërisë sotme.

Shikoni sherrin për bashkinë e Devollit. Dy kryetarë grinden për një zyrë. Më saktë, ish-kryetari (pasi i ka mbaruar periudha e mandatit), kërkon të pengojë fillimin e punës së pasardhësit të tij. Një ngjarje e cila nis si dramë në mjediset e qytetit të vogël provincial, e që përfundon si barcaletë në mediat e Tiranës, të etura për lajme në këto kohë plazhi. Nëse i vendos përballë filmin e dikurshëm të Kumbaros, me grindjen prej gjelash të krerëve të Devollit, gjen pafundësisht paralele. E pra, këto dy histori janë 80 vjet larg njëra-tjetrës. Tetë dekada, ose dy regjime që zgjatën së bashku nja 60 vjet, si dhe një sistem i vendosur pas vitit 1990, që ka prodhuar një dyzinë qeverish e qindra krerë bashkiakë të harruar nga koha. Ikin e vijnë fytyrat dhe emrat, mbeten aty prapambetja, paaftësia për të qeverisur, dallaveret, tarafet, korrupsioni dhe provincializmi i shtetarit.

Kur sheh ngjarje si kjo e Devollit, apo kur mëson se një tjetër kryetare bashkie kërkon komision ndërkombëtar për të dorëzuar zyrën (!), kupton se ana e errët e këtij populli, nyja e tij e madhe e pazgjidhur që e ndan nga normaliteti demokratik, është një masë e palëvizshme dhe përjetshme, që riciklohet, shndërron formë, vishet herë me smoking e herë me xhinse, udhëton herë me makinën butaforike të Tefta Tashko Koços nëpër baltrat e Myzeqesë, e herë në avionët supersonikë të Rinasit. Por mbetet në fund fare, po ajo që ka qenë: një mal i lartë dhe i pakalueshëm injorance, interesash meskine, hilesh e bërrylash dhe prapambetjeje shekullore.

Shqipëria ndërron petkat, por nuk e harron zakonin e keq të hallakatjes nëpër kallamishtet e një shteti të dobët dhe të pazotin për të qëndruar mbi këmbët e veta. Prej shkurtit nuk merremi me gjë tjetër, veçse me sherre dhe protesta. Po të shohim 30 vjetët e fundit, thuajse çdo verë kemi pasur drama të ngjashme politike, të yshtura nga interesat e pista të partive dhe të ushqyera me “mish militantësh”. Parodia e shtetndërtimit vijon të konsumohet si në sheshin e përbaltur të Lushnjes, ku kamarieri i shkretë me tabakanë e kafeve në dorë, nuk di kujt t’i shërbejë të parit: kryetarit të bashkisë, nënprefektit apo shefit të policisë. Shikoni atë konflikt satirik dhe keni kuptuar edhe bashkinë e Devollit…

7 komente në “Koncert në vitin 2019”

  1. Shqiperia e Shqiptareve says:

    Po normal o Minxhoz qe keto skena do ndodhin kur shteti fle gjume. Po to shkoje atje nje njeri I thjeshte dhe te pengoje kryetarin e bashkise te hyje ne zyre ligji do veproje si jo me mire, me disa vite burg nuk do I shpetonte, kurse per ish kryetarin qe I ka mbaru mandati ky ligj thjesht rri e fle gjume. A pika shtetit qe kemi.

  2. Ardi says:

    Ndersa mua me duket nje deja vu, dmth e pare edhe me pare ne fillim te ketij viti. Kur studentet e drejtesise vendosen tu riktheheshin auditoreve fakulteti i tyre ishte bllokuar tamam si tani bashkitë, keshtu që ata u detyruan te rifillonin leksionet tek Petro Nini.
    Mua me shume me duket si estradë ne Vitin 2019.

  3. H says:

    Njerëzit e prapambetur, merren me gjëra të kota.

  4. naim says:

    E vertet e dhimeshme.Ky asht mentaliteti yn.Haxhiqamili e haxhiqamilistat jetojne akoma,akoma duan qerpiq, ndertesat e reja e shumekateshet modern ja “marrin frymen”.Lufte per cdo mendim te ri e progresiv,kuptim jo I drejte i cdo gjeje progressive nese ndokush nuk perfiton ndonje gje.Qyteti i Tiranes ka planin e vet te zhvillimit.Nuk duhet te lejohet qe nje grup “haxhiqamilist” me mendesi e mentalitet te tille e te maskim te qellimeshem antiperparimtar perpiqen ta ndaloj ket zhvillim e vazhdim te transformimin te Tiranes.Duhet ta kuptojme drejt.Prishjen apo jo prishjen e Teatrit Kombetar i takon institucioneve perkatese e ne asnje mendyre artistave qe ne fund te fundit jane puntor te kualifikuar ne sektorin e artit,ashtu sic jane ingjinjeret,doktoret,avokadet ne sector te ndryshem punesimi.Ju lutem:Lereni institucioneve perkatese te merren me prishjen apo ndertimin e Teatrit kombetar.Teatri i ri Kombetar duhet te jete e kombit shqiptar e jo i nje pjese aktoresh me mentalitet haxhiqamilist apo partiak

  5. Artan says:

    Shume e vertete fatkeqsisht.

  6. fredi says:

    ekselent, me 40 rreshta ka bere nje grafi te vendit ku jetojme…

  7. leka says:

    pse nuk nderhyn shteti? apo i leverdis rames qe ti nxjerri bojen edhe me shume ketyre debilave?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje