Katastrofat natyrore, bota humbi 44 miliardë dollarë në 6 muaj

18 Gusht 2019, 15:51Bota TEMA

Rreth 44 miliardë dollarë është kostoja e katastrofave natyrore që kanë prekur globin vetëm gjatë gjysmës së parë të vitit 2019. Të dhënat kanë dalë nga një analizë e Institutit zviceran Suis Re.

Pavarësisht se është një shifër që rëndon mbi ekonominë globale dhe sidomos mbi atë të vendeve më të prekura, kjo shumë është më e ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në gjysmën e parë të 2018-s, kostoja e katastrofave natyrore dhe atyre të shkaktuara nga njeriu ishte në nivelin 51 miliardë dollarë.

Sa i përket vitit 2019, nga totali i vlerës së dëmeve, vetëm 19 miliardë kanë qenë të mbuluara nga skemat e sigurimit. Dëmet kanë ardhur kryesisht si pasojë e stuhive dhe përmbytjeve në zona të ndryshme të globit. Më shumë se 5 mijë njerëz kanë humbur jetën apo rezultojnë të zhdukur si pasojë e këtyre fatkeqësive gjatë 6-mujorit të parë të 2019-s.

Ndër katastrofat më të mëdha natyrore që prekën globin në gjysmën e parë të vitit 2019 ishin cikloni Idai në Afrikën Jugore dhe cikloni Fani në Indi, të dyja zona me nivel të ulët të sigurimit të jetës dhe pronës. Cikloni Idai, i cili shkaktoi erëra të forta dhe përmbytje të mëdha në Mozambik, Malavi, Zimbabve dhe Madagaskar, ishte katastrofa natyrore më vdekjeprurëse në gjysmën e parë të këtij viti, me më shumë se 1 000 viktima. Humbjet ekonomike nga cikloni Idai vlerësohen të paktën në 2 miliardë dollarë, nga të cilët vetëm rreth 7 për qind ishin të siguruara.

Rreziqet sekondare si stuhitë, reshjet e rrëmbyeshme dhe shkrirja e borës sollwn humbjet më të larta përmes dëmtimeve të shkaktuara nga erërat e furishme dhe uji në gjysmën e parë të vitit 2019 në shumë rajone të botës, përfshirë SHBA-të, Kanadanë, Evropën, Australinë, Kinën dhe Iranin.

Ashtu si në gjysmën e parë të 2018-s, disa pjesë të botës përjetuan gjithashtu valë nxehtësie dhe thatësire edhe këtë vit, sidomos në disa zona të Europës. Megjithatë, impakti i tyre në ekonomi do të vlerësohet në fund të vitit. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje