Dy nga donatorët më të mëdhenj për ruajtjen e pyjeve të Amazonës kanë hequr dorë nga financimi. Pas Gjermanisë, edhe Norvegjia ka bërë të ditur se do të ndalojë fondin prej 30 milionë eurosh, pasi Brazili e ka braktisur luftën kundër shpyllëzimit.
Norvegjia është një nga donatorët më të mëdhenj, me një total prej 830 milionë eurosh të dhuruara që nga krijimi i fondit të Amazonës 11 vjet më parë.
“Brazili e ka shkelur marrëveshjen me Norvegjinë dhe Gjermaninë që prej pezullimit të bordit të drejtorëve dhe komitetit teknik të Fondit Amazon“, tha ministri norvegjez i Mjedisit, Ola Elvestuen.
Kontributet vjetore të Norvegjisë në fondin e Amazonës përllogariten nga një komitet teknik dhe përcaktohen nga rezultatet e arritura në luftën kundër shpyllëzimit.
Një javë më parë, Gjermania njoftoi se do t’i bllokojë Brazilit pagesën prej 35 milionë eurosh për programet e ruajtjes së pyjeve dhe diversitetit, megjithëse do të vazhdojë të mbështesë fondin Amazon.
Një ditë më pas, presidenti i djathtë i Brazilit, Bolsonaro, deklaroi se vendit të tij nuk i nevojitet ndihma gjermane për të mbrojtur Amazonën.
Pyjet e Amazonës, një hapësirë e njohur ndryshe si mushkëritë e planetit, janë jetike për thithjen e dioksidit të karbonit dhe prodhimin e oksigjenit. Shqetësimet për pyjet e Amazonës filluan të rriten që kur Presidenti brazilian Jair Bolsonaro mori detyrën në janar.
Bolsonaro është akuzuar se ka favorizuar përkrahësit e tij në sektorët e drurit, minierave dhe bujqësisë. Ai është zotuar se do të lejojë hapjen e fermave bujqësore dhe do të japë më shumë licenca për industrinë e minierave.