VIDEO: Partizani e djeg gjithë natën, datëlindja e trajnerit festohet me trofe

19 Gusht 2019, 11:48Sport TEMA

Franco Lerda, trajneri i Partizanit, mbush sot 52 vjeç. Këtë moment të shënuar në jetën e tij, njeriu i stolit të kuq e ka festuar me trofe, në një ceremoni ngazëllyese, të organizuar nga klubi 16 herë kampion i Shqipërisë.

Staf teknik, drejtues dhe lojtarë janë mbledhur në kryeqytet, në një lokal të njohur, për të trokitur gotat me rastin e fitores së Superkupës së Shqipërisë, me rezultatin 4-2 ndaj Kukësit.

Direkt pas triumfit në “Elbasan Arena”, të kuqtë kanë marrë rrugën për në kryeytet, ku i janë shtruar këngës e valles, por edhe ndonjë birre të ftohtë apo pije energjike.

Nuk ka munguar as torta për trajnerin Lerda, si dhe kënga përkatëse me rastin e një ditëlindjeje, në gjuhën italiane. Jo pak i emocionuar, 52-vjeçari italian ka pranuar urimet e të pranishmëve, si dhe ka bërë “gëzuar” me të gjithë.

Nuk ka më bukur se dy gëzime në një mbrëmje si kjo (në kapërcyell të datave 18 dhe 19 gusht). Sezoni i ri nis me trofe, ndërkohë që dy të tjerë janë në lojë: kampionati dhe Kupa e Shqipërisë. Në të parin duhet mbrojtur kurora, në kompeticionin e dytë duhet bërë “sefte”, pas një “agjërimi” të gjatë, nga vitit 2004.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje