Sfidat e arsimit të lartë privat

26 Gusht 2019, 19:38Sociale TEMA

Nga Prof. Dr. Artan Shyti

Arsimi privat është një realitet tashmë i konsoliduar. Megjithëse në Shqipëri nuk është e lehtë të jesh “privat”, sidomos në arsim, përsëri ata që janë seriozë dhe që kanë hyrë në këtë sipërmarrje me ide të qarta e “këmbë në tokë”, ja kanë dalë të ofrojnë një alternativë dinjitoze dhe cilësore.

Nuk është e lehtë në Shqipëri ku mendësia etatiste që vazhdon të jetë mbizotëruese, e shikon çdo iniciativë private me dyshim, për të mos thënë edhe si “armiqësore”. Në më tepër se një rast, shteti ka pasur të drejtë të jetë dyshues ndaj iniciativave private në arsimin e lartë, sepse koha ka treguar që jo të gjithë kanë qenë e janë seriozë, madje edhe sot. Gjithsesi, për shkak të disave nuk mund e nuk duhen paragjykuar të gjithë.

Nga ana tjetër, problemet e arsimit privat janë po aq të dukshme edhe në arsimin publik dhe, ndoshta, te ky i fundit edhe më të mëdha. Jo më kot në listën e shkollave të larta të akredituara, universitetet publike janë në gjysmën e poshtme, ndërsa privatet në krye të kësaj liste.

Sfida më e rëndësishme e arsimit privat (dhe jo vetëm e tij), është cilësia e produktit të ofruar në funksion të sasisë së studentëve që ndjekin këtë sistem. Një universitet privat që hyn në treg pa u kujdesur për cilësinë, pa synuar që të konkurrojë ofertën ekzistuese me një cilësi më të lartë, jo vetëm që rrezikon investimin e kryer nga ai vetë, por dëmton të gjithë sipërmarrjen e këtij sektori.

Pikërisht garantimi i kësaj cilësie që kushtëzohet nga programet, stafi akademik, mjediset cilësore, etj., duhet të jetë objekt i vlerësimit të efikasitetit të një institucioni të tillë. Por, nëse ky aspekt lihet mënjanë dhe objektivi ekskluziv i institucionit mbetet numri sa më i madh i studentëve, të joshur më oferta e kompromise gjithfarë llojesh, atëherë rreziku që cilësia të bjerë është shumë i pranishëm.

Cilësia akademike është e domosdoshme kudo, por në sektorin privat edhe më shumë. Nuk mund të paguhet arsimimi jo cilësor dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të paguhet marrja e diplomës pa arsimim. Për fat të keq, shembuj negativë kemi pasur

e kemi. Dhe megjithëse është bërë shumë në eliminimin e dukurive skandaloze të dikurshme, përsëri vigjilenca duhet të jetë e madhe. Jo vetëm tek privatët…

Nëse një institucion privat i arsimit të lartë hyn dhe qëndron në treg duke nëpërkëmbur cilësinë e diplomës, seriozitetin e procesit akademik, duke “bërë tregti” me parimet e shenjta të arsimimit, atëherë, megjithëse vetë nuk do ta ketë të gjatë në këtë treg, për aq sa është, sjell një ndikim tejet negativ në gjithë këtë sektor.

Konkurrenca që nuk bazohet në cilësinë e procesit, në vlerat e stafeve, në prestigjin e diplomës, do të degjenerojë në konkurrencë çmimesh, tarifash, favoresh, dhe si e tillë do të shkatërrojë thelbin e arsimit, i cili është: gjithçka në funksion të cilësisë akademike.

Sasia që nëpërkëmb cilësinë, ofertat që e kthejnë diplomën në një mall pa vlerë, apo me vlerë të diskutueshme janë aspektet negative të arsimit privat në Shqipëri.

E vetmja e ardhme e sigurt e arsimit privat është cilësia akademike. Ajo është reklama më e mirë. Vetëm ajo mund të krijojë dhe të zhvillojë një treg serioz. Çdo shteg tjetër që “i bie shkurt”, çon në drejtim të gabuar dhe përfundon në “greminë”.

Ai që mendon se arsimi i lartë mund të bëhet nga kushdo e pa respektuar rregullsitë e standardet është i gabuar dhe do ta vuajë këtë gabim dhe pasojat e tij.

Ndaj ne në Universitetin Barleti nuk kemi bërë, nuk bëjmë e nuk do të bëjmë kompromis me cilësinë akademike. Tek ne gjithçka tjetër është në funksion të saj.

Një fjalë e urtë thotë “pak e saktë”!

Pikërisht si Barleti!

3 komente në “Sfidat e arsimit të lartë privat”

  1. tit vlora says:

    Artan, me gjithe respektin per ty dhe shkrimin, filloni njehere te paguani oret e mesimdhenies per nje periudhe 1 vjeçare te vitit ne vijim. Asnje nuk flet me veprime se i druhen mos pagesave. Ktu filloje seriozitetin e arsimit privat qe mos paragjykohet. Pastaj per nivelin.

  2. Messerschmidt says:

    Qe njerzit ne Tirane e mbare boten tju marrin seriozisht hiqni nga Fotot publike qe beni rracedhjerin e gjakdhjerin Veliaj si fillim !

  3. Andrea says:

    O medemek Prof, boll.na bone reklam univ privat. Jane te tera fiasko or byrazer, lavatrice. Or mik llogaria eshte e thjeshte: univ publik me mbeshtethen dhe financimin e shtetit dhe gjithe eksperiencen qe kane dhe pesp jane te vobeketa. Jo me privati qe medemek mbahet nga tsrifat e studenteve. Ik boll mashtruat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje