Në fillim të gushtit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë prezantoi një paketë ligjore si pjesë të ambicies për transformimin e sistemit hekurudhor në vend; sektor i zhytur prej dekadash në amortizim dhe humbje ekonomike.
Propozimet plotësojnë kuadrin nënligjor të Kodit Hekurudhor të Shqipërisë, i miratuar në vitin 2016 si detyrim i Planit Kombëtar të Integrimit Europian dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Në njërin prej 5 drafteve, Ministria propozon ndarjen e Hekurudhës Shqiptare dhe ngritjen nga hiri i saj i katër shoqërive aksionere, të cilat do të menaxhojnë më vete infrastrukturën, transportin e udhëtarëve, atë të mallrave si dhe mjetet lëvizëse aktuale.
Megjithatë, paketa ligjore e qeverisë nuk i jep zgjidhje dilemës shumëvjeçare nëse Shqipëria duhet apo jo të mbajë në këmbë gjigandin e ndryshkur hekurudhor, i cili zvarritet prej dekadash me humbje dhe i kushton taksapaguesve shqiptarë miliona euro për paga.
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një hetimi të Prokurorisë si dhe dy vendimeve të gjykatës tregojnë se shoqëria Hekurudha Shqiptare, HSH mbijeton prej vitit 2007 falë subvencionit të dhënë nga buxheti i shtetit – i devijuar në shkelje të dyshuar të ligjit si fond pagash për qindra punonjësit e vet.
Çdo vit, qeveria shqiptare i akordon shoqërisë HSH rreth 400 milionë lekë subvencion për rimbursimin e biletave të udhëtarëve dhe përgjatë 10 viteve llogaritet një vlerë prej më shumë se 36 milionë eurosh në total.
Vetëm për periudhën 2014-2017, KLSH evidenton se Hekurudha ka marrë 1.2 miliardë lekë [rreth 10 milionë euro] dhe i ka shpenzuar për paga dhe sigurime shoqërore në kundërshtim me disiplinën buxhetore dhe legjislacionin përkatës.
Auditi i KLSH-së zbuloi gjithashtu se ndërsa pretendon se është në kolaps ekonomik, Hekurudha kishte tejkalim të numrit të punonjësve, ndërsa akuzohet se ka shpërdorur para për pagesa të faturave “fantazmë” si dhe ka shmangur procedurat tenderuese në kundërshtim me ligjin.
Gjendja aktuale e Hekurudhës dhe perspektiva e saj gjejnë pak hapësirë në paketën ligjore të propozuar nga ekzekutivi. Në mungesë të planeve për zhvillim, Ministria e Infrastrukturës duket megjithatë e prirur të ruajë status quo-në, duke legjitimuar edhe “de jure” përdorimin e subvencionit si fond pagash.
“Në programin Buxhetor Afatmesëm 2020-2022 është parashikuar fondi 400,000,000 lekë për mbështetjen e Sektorit të Hekurudhës HSH. Aktualisht me këtë fond mbulohen shpenzimet për paga/sigurime shoqërore përkatësisht për punonjësit ekzistues të administratës që do të shpërndahen në katër shoqëritë e reja që dalin nga ristrukturimi,” thuhet në projektligjin “Për ndarjen e Hekurudhës Shqiptare”.
Ndërsa kompanitë e reja aksionere pritet të trashëgojnë asetet dhe punonjësit e shoqërisë e HSH, Ministria e Infrastrukturës nuk parashikon të shpenzojë asnjë lek shtesë nga buxheti i shtetit për projektin e saj të transformimit të transportit hekurudhor.
Sistemi hekurudhor në Shqipëri, simbol i lëvizjes së udhëtarëve gjatë sistemit komunist, menaxhohet prej vitit 2000 nga një shoqëri aksionere e quajtur Hekurudha Shqiptare në pronësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Në inventarin e saj numërohen 25 lokomotiva, 66 vagona udhëtarësh dhe 225 vagona mallrash, por sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Transportit ka një rënie drastike të transportit në të dyja kategoritë.
Gjatë vitit 2018 udhëtuan me tren nëpër Shqipëri rreth 76 mijë pasagjerë dhe 199 mijë ton mallra; shifra këto më shumë se të përgjysmuara nga viti 2014.(BIRN)
Qeverite shqiptare keto asete te ekonomise i mbajne per ti pervehtesuar per nje grusht leke.Po T,E C.I Vlores qe u ndertua me aq buje dhe vazhdon te glaberoj miliona cdo dite pa dhene asgje.Shikojme neper fshatra nderime shkollash qe jane ndertuar pa studime ku konsumohen parat e buxhetit pa u dhimbsur.Askujt nuk i intereson se ku ven parat e popullit ,mjaft te mbushin xhepat e tyre.