Dhori Kule jep alarmin: Mynyr Koni po kryen shkelje më të rënda pasi Meta e ktheu në detyrë, do nxjerrim faktet

28 Gusht 2019, 09:44Sociale TEMA

Rikthimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni në detyrë duket se ka rikthyer edhe shkeljet e detyrës.

Ishte dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule ai i cili gjatë ditës së djeshme bëri të ditur se masa administrative e pezullimit e marrë nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini dhe kërkesa për shkarkimin e Konit nuk kanë dhënë asnjë efekt.

Në një konferencë për mediat, teksa foli për listat e maturantëve fitues në universitete, dekani e ndali theksin edhe tek kjo çështje.

Sipas Kules, Mynyr Koni jo vetëm që nuk ka reflektuar, por pasi u rikthye në detyrë e ka shtuar dozën e shkeljeve.

Ai theksoi se abuzimet në Universitetin e Tiranës janë shtuar.

Madje Dhori Kule paralajmëroi se këto shkelje i ka të faktuara dhe do t’i bëjë publike së shpejti.

“Me rikthimin e tij në detyrë me dekret presidencial janë vënë re më shumë shkelje, abuzime më të rënda. Paligjshmëria është flagrante. Por të gjitha do të shfaqen, do të bëhen publike shumë shpejt”, deklaroi Dhori Kule.

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë paralajmëroi edhe presidentin e Republikës, Ilir Meta se për sa kohë që ky i fundit i ka dalë në mbrojtje rektorit të Universitetit të Tiranës, atëherë do të mbajë edhe përgjegjësi. Sipas Kules, të gjitha kostot e abuzimeve të Mynyr Konit do të duhet t’i mbajë përsipër presidenti.

“Ai tani ndjen se ka mburojë që ta mbrojë dhe prandaj e ka shtuar dozën e abuzimeve. E përsëris që shkeljet janë shumë të rënda.

Atij i duket se ka mbrojtjen e presidentit. Tani shkeljet do t’i faturohen atij se është ai që i ka dalë në mbrojtje duke e rikthyer në detyrë”, u shpreh Dhori Kule.

Mynyr Koni u kap në shkelje të rëndë gjatë një auditi që Ministria e Arsimit kreu në universitet dhe pas kësaj, Besa Shahini kërkoi shkarkimin e tij.

Por kjo kërkesë u refuzua nga presidenti Ilir Meta, i cili vendosi ta rikthejë në detyrë të pashqetësuar Konin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje