Amerika dhe tre burrat shqiptarë

4 Shtator 2019, 16:51Kulturë TEMA

Nga Andon Andoni 

Shpesh kam menduar se ngjarjet, situatat, bëmat dhe zhgjëmat e një grupi njerëzish, shoqërie, por edhe kombesh shkojnë dhe përsëriten si në ato rrathët ciklikë përgjatë historisë. Koha është ajo, që i ridimensionon dhe vendos se në cilin kah të saj do të mbeten “të inventarizuara”: në atë të zhvillimeve pozitive dhe progresit, apo në atë të pengimit dhe regresit të përkohshëm? Por ngjashmëritë, nganjëherë janë tronditëse si ngjashmëri.

 

Duke sjellë në vëmendje Amerikën dhe ndihmesën e saj të gjatë ndaj vendit tonë, po sjell për lexuesin një kohë historike të marrëdhënieve të saj me ne dhe një elite shqiptarësh, më saktë me tre personalitete si dikur më 1919 dhe sot pas njëqind vitesh, më 2019.

Në 2 shtator, 1919, tre burrat e mirënjohur në kontributin mëmëdhetar, për të njohur Shqipërinë e drobitur, si vend i pavarur të dalë nga Lufta e Parë Botërore, (edhe sot, në plot fusha të jetës, si për shembull në atë të emigrimit masiv, vendi ynë si i dalë nga luftërat duket); T. Erikson, miku i madh i Shqipërisë; Kostë Çekrezi, botonjës dhe përfaqësues i “Vatrës” pranë Qeverisë Amerikane dhe Kristo Dako, kryetar i Partisë Popullore, për herë të parë, në historinë e kombit priten në Senatin Amerikan për t’u dëgjuar[1]. Asnjëherë nuk ishte formuar një komitet apostafat për çështjen shqiptare, ndaj ky i shtatorit të 1919 ka hyrë në histori si dëgjesa e shqiptarëve përpara Senatit Amerikan (Komitetit të Politikës së Jashtme). Atë se ç’ka ndodhi me dëgjesën e tyre në Senat, do t’i shpjegojmë më poshtë sipas dokumenteve të kohës dhe situatave politike dhe gjeopolitikës që përfshinte edhe vendin tonë të vogël, por tani pas 100 vitesh, në mënyrë kaq të ngjashme, sërish tre burrat e politikës së sotme bëjnë përpjekje të kenë akses mbi një “dëgjesë” të tillë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili për hir të së vërtetës, ka mbajtur një qëndrim imponues të thukët, që më implementimin (ide, drafte, fonde dhe logjistike, burime njerëzore) e Reformës në Drejtësi si guri i themelit për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza gjithë dimensionesh e demokracisë dhe shtetit ligjor.

Dihet që me angazhimin ndaj Reformës në Drejtësi, prej më se tri vitesh, Amerika është ulur këmbëkryq në të mirë të shqiptarëve. Ndryshimi i vetëm me atë kohë të 1919-tës është se tashmë këtyre “Tre burrave të sotëm” është Amerika që po u qaset dhe jo ata asaj, (së paku në dukje) dhe “të treve”, në mënyra thuajse krejt të ndryshme.

Njërit, të gjatit, është duke i dhënë votëbesim e mbështetje të hapur, siç do donin të ndodhte para 100 viteve T. Eriksoni, Dako dhe Çekrezi!

Burrit të opozitës, (apo burrave siç përfshijnë disa edhe ish-kryetarin e saj të para do kohëve), Amerika ia ka mbyllur derën apo ia ka përplasur disa herë mbi fytyrë, duke e lënë të zhgënjyer dhe me kokë mënjanë, paçka deklaratave publike se “e kemi mik të madh dhe strategjik, Amerikën”.

Kjo përfaqësi ka mbetur e zhgënjyer. Elektorati i saj, po se po. Kauza “për zgjedhje të lira dhe të ndershme” të pavjedhura dhe të pafinancuara nga paratë e krimit u bë kaq e shpërlarë dhe bajate me “Rama ik” duke e kaluar në ekstremin e largimit me çdo kusht dhe çmim të burrit të parë, ç’ka nuk e besonin dhe nuk e besojnë kurrë edhe vetë ata që e artikulonin. Një kërkesë që, duke pasur parasysh, mbështetjen amerikane, gjermane dhe më gjerë, ndaj burrit ‘Të Gjatë’, do të ishte siç ndodhi, një vërë në ujë. Për analogji, po hedh më poshtë edhe kërkesat e Çekrezit (në rolin e opozitarit të dikurshëm) në Senat para 100 vitesh. Foli për zgjedhje edhe ai. Për të drejtën e votës…

Si një njeri i lirë dhe që besonte te demokracia e votës, ai iu drejtua senatit me këto fjalë:

“Ne duam që e drejta e votës (plebescite) të përhapet në Shqipëri në maksimumin e fuqisë. Njerëzit të jenë të lirë të flasin për veten. Ne jemi gati të jetojmë me verdiktin e tyre, pavarësisht nëse na favorizon ose jo në kauzën tonë. A mos po kërkojmë shumë? Ende Konferenca e Paqes nuk duket të jetë e gatshme të pranojë këtë të drejtë elementare të shqiptarëve… Fatkeqësisht, Shqipëria nuk është e mbështetur nga asnjë Fuqi e Madhe. Kjo është arsyeja që ne e kemi pritur me kaq mirënjohje lajmin e mundësisë së dëgjimit përpara këtij komiteti, i cili në sytë tanë, duket i paanshëm. Çfarë presim nga ju është të mbështesni të drejtën e votës (plebescite) në çdo territor shqiptar. …Zoti kryetar dhe anëtarë të nderuar! Tre milionë njerëz shqiptarë e vlerësojnë lirinë mbi çdo gjë tjetër dhe kanë luftuar për të ndër shekuj. Tani i kanë sytë nga ju, si mundësinë e fundit për t’u mundësuar atyre të ushtrojnë të drejtën elementare të vetëshprehjes, që u takon qenieve humane”.

 A nuk i kanë edhe sot e gjithë ditën shqiptarët sytë nga Amerika për t’iu mbrojtur të drejtën e votës dhe lirisë? Kur, si para 100 vitesh, Evropa “ende nuk paska qenë fort e gatshme për një mbështetje të tillë ndaj nesh”?!….

 Gazeta “Albania” për pritjen e T. Erikson, K. Çekrezit dhe K. Dakos në Senatin Amerikan

Por le të kthehemi edhe njëherë te Senati Amerikan në atë fillim shtatori 1919.

Eriksoni ia kushtoi fjalën e tij paraqitjes së shqiptarëve, ashtu siç i kishte njohur:

“Te shqiptarët gjen virtyte, të cilat do ishin të dëshirueshme për shumë popuj të përparuar. Propaganda sistematike i ka paraqitur ata si armiq të qytetërimit dhe plaçkitës, por kjo është një gënjeshtër… Ata janë inteligjentë, fisnikë, punëtorë, mikpritës… besnikë deri në vdekje. Të tillë popull kam njohur unë dhe jam krenar që sot po e përfaqësoj këtu”[2].

Jehona e 2 shtatorit 1919, kur delegatët shqiptarë paraqitën mendimet e tyre përpara Komitetit për politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, u përhap si valët e detit tek të gjithë shqiptarët. Të tre liderët: Erikson, Çekrezi dhe Dako shikoheshin me admirim dhe respekt të veçantë brenda dhe jashtë Amerikës. (Thua të kenë admirim edhe sot shqiptarët ndaj tri burrave tanë?!) Megjithatë, më e rëndësishmja mbetej deklarata e Eriksonit, duke pasur parasysh se ai ishte misionar amerikan në Shqipëri. Fjalët e tij: “Edhe unë jam krenar që po i përfaqësoj këtu shqiptarët”[3] u bënë lapidar për çdo zemër shqiptare.

Burri i tretë i sotëm duket se është në lojën e kungulleshkës, “e ka kush e ka” dhe më së shumti bën plotësime. Dhe deklaratat e tij, në emër të Kushtetutës, të quajtura arnime nga pala tjetër dhe që s’pinë ujë askund, sot për sot, vetëm sa qëndrojnë si plotëza foljorë, sa për t’u regjistruar! Nuk do më vinte mirë ta përqasja me Dakon, por ngjashmëria është precize.

“Dako bëri një deklaratë plotësuese, e cila u regjistrua në procesverbalin e mbledhjes së Senatit”.

A ka sot, pas njëqind vitesh, peshën e duhur Amerika dhe misionarët e saj në fuqizimin e demokracisë shqiptare, të troshitur në këto tridhjetë vite tranzicioni?

Pyetja është kaq e thjeshtë dhe kaq inspiruese saqë çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit, mbetet me sytë nga Amerika.

100 vite me parë, kushte nuk ishin dhe aq të favorshme, pasi sipas Çekrezit, i raportonte Delegacionit Qeveritar në Paris se “në Senat nuk kishte pasur interes për çështjen tonë[4]”. Madje, ai arrinte në përfundimin se, “mund edhe t’i shkaktohej dëm çështjes, duke u nisur gjithnjë nga pozicioni që mbante atë kohë Senati i SHBA-ve, meqë aktiviteti i tij ishte kundër presidentit Willson, kur ndërkohë ndihma dhe mbështetja ndaj Shqipërisë mund të pritej vetëm prej Qeverisë amerikane”. Presidenti Willson, në këtë kohë kishte humbur shumicën në Kongres, ndaj “çështja jonë mund të kthehet në një çështje partish dhe në vend që të vinim vetulla, do të nxirrnim sytë”.

Sot gjithçka duket në favorin tonë, me mbështetjen amerikane. Mbetet të kemi sytë vetëm te tre burrat tanë dhe sjellja e tyre. Sa do të jenë ata të zotë të shkelin në udhën e çelur para 100 vitesh, në raport më Amerikën, me Evropën, me demokracinë dhe me vetë popullin shqiptar të lodhur dhe të drobitur nga udha e gjatë e tranzicionit… Le të shpresojmë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje