Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se do preferonte të vdiste në kanal sesa t’i kërkonte Bashkimit Evropian shtyrjen e datës për largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi parlamenti votoi një projektligj të laburistëve që bllokon një largim të Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor.
Duke thënë se e urrente të merrej me Brexit, ai i ka akuzuar deputetët që votuan projektligjin duke thënë se me këtë veprim ata e kanë dëmtuar rëndë pozicionin e Britanisë kundër BE-së.
Të enjten, Johnson, gjithashtu, ka bërë me dije se do të kërkonte sërish të hënën zhvillimin e zgjedhjeve të reja, një kërkesë që, gjthashtu, iu refuzua nga parlamenti një ditë më parë.
Sipas tij, kjo “është mënyra e vetme për të lëvizur gjërat për Brexit”.
Të enjten, kryeministri Johnson u përball me një tjetër lajm jo pozitiv. Vëllai i tij, Jo Johnson, njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i ministrit për biznesin dhe atij të deputetit, për shkak të situatës së krijuar për Brexit.
Kryeministri Johnson nuk ka sqaruar nëse do të jepte dorëheqje, në rast se Brexiti shtyhet përtej 31 tetorit.