Lideri për shumë vjet i Zimbabves, Robert Mugabe, vdiq në moshën 95 vjeç. Kjo u njoftua nga Presidenti Emmerson Mnangagwa në Twitter. Mugabe kurohej në një klinikë në Singapor që nga prilli.
“Me trishtim të madh njoftoj vdekjen e babait themelues të Zimbabves dhe ish-Presidentit, Komandantit Robert Mugabe”, shkroi pasardhësi i Mugabes, Emmerson Mnangagwa në Twitter. Presidenti e vlerësoi Mugaben si një “ikonë të pavarësisë” dhe si “panafrikan” që i kushtoi jetën e tij çlirimit të popullit të tij.
Mugabe e udhëhoqi në vitin 1980 Rodezinë në pavarësi nga pushteti kolonial i Britanisë së Madhe. Ai u bë kryeministër në 1980, para se të bëhej president në vitin 1987, duke sunduar në mënyrë gjithnjë e më autokratike. Kundërshtarët e fajësuan atë për një keqmenaxhim prej dekadash.
Me reformën e tokës, me të cilën, ndër të tjera, ai shpronësoi mijëra fermerë të bardhë dhe i dëboi, ai e zhyti vendin në kaos ekonomik. Sundimi i tij u karakterizua edhe nga shkelje serioze të të drejtave të njeriut kundër anëtarëve të opozitës. Në nëntor 2017, pas gjithsej 37 vjetësh në pushtet, diktatorin e rrëzoi ushtria e tij.
Më parë, në vend kishte pasur protesta kundër mjerimit ekonomik, për të cilin Mugabe fajësonte sanksionet perëndimore. Pasardhësi i tij Mnangagwa tha të të enjten në një forum ekonomik Forum Ekonomik në Cape Town se sot duhet të luftojë me një ekonomi plotësisht të rrënuar që duhet të rindërtohet.