Qeveria e re italiane: Sfidat e qeverisë “Conte 2” dhe fati i Salvinit

6 Shtator 2019, 17:49Bota TEMA

Ende pa marrë votëbesimin në Parlament, qeveria e re italiane ndeshet me një sërë sfidash. Së pari, ajo duhet të afrojë Italinë me normat dhe standardet europiane të migracionit, duke u dhënë fund politikave diskriminuese të ish-ministrit të Brendshëm, Matteo Salvini. Ndaj këtij të fundit janë hapur disa çështje penale. Ndërkohë qeveria e re po kritikohet për ministren e Bujqësisë. Ajo ka vetëm shkollën e mesme.

Qeveria e re italiane ka marrë detyrën në sfondin e disa çështjeve gjyqësore të ngritura ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Matteo Salvini.

Prokuroria ka hapur çështjen penale në ngarkim të Salvinit për rastin e drejtueses së një anijeje shpëtimi, gjermanes Carola Rackete.

Ajo injoroi urdhrin e Salvinit për ta mbajtur anijen e shpëtimit jashtë ujërave italiane. Më pas ajo u ndalua nga autoritetet, por gjykata e liroi.

Vendin e Salvinit në qeveri e ka zënë një profesioniste e pavarur. Ajo është Luciana Lamorgese, një punonjëse e vjetër e administratës dhe specialiste e imigracionit.

Prej saj pritet afrimi i Italisë me normat dhe standardet europiane të migracionit, duke u dhënë fund politikave diskriminuese të Salvinit.

Qeveria e re ka 10 ministra nga partia populiste Lëvizja 5 Yjet dhe nëntë nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, që kryesohet nga kryeministri i pavarur, Giuseppe Conte.

Qeveria e re me një moshë mesatare 47-vjeçare, ende pa marrë votëbesimin në të dy dhomat e Parlamentit është ndeshur edhe me kritika e sulme raciste.

Një pjesë e tyre janë drejtuar ndaj ministres së Bujqësisë, Teresa Bellanova.

E njohur si një luftëtare e epur e çështjeve sindikaliste dhe me përvojë të gjatë në administratën shtetërore, Bellanova kritikohet pasi ka vetëm arsimin e mesëm.

Në mbrojtje të saj ka dalë vetë Partia Demokratike që e ka propozuar. Në fakt Bellanova ka qenë nënsekretare e Punës në qeverinë Renzi, por dhe senatore që prej vitit 2018.(oranews)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje