Në mediat turke, po qarkullojnë çdo ditë emra klubesh të interesuara për shërbimet e Vedat Muriqit dhe natyrisht që klubet më të mëdha mbeten Napoli, Atletiko, Totenhem e Mançester Junajtid.
Megjithatë, vetë futbollisti duket se nuk ka informacion për këto oferta ose të paktën, kështu e ka pranuar për mediat.
Në një prononcim për mediat turke, Muriqi u shpreh se nuk e di nëse realisht ka oferta duke shtuar se këto ditë do të takohet me menaxherin e tij. Meritat për paraqitjet e tij, sipas Muriqit i kanë edhe shokët e skuadrës pasi sukseset nuk mund t’i ketë i vetëm.
“Po bëj paraqitje të suksesshme por jo vetëm nga unë, sepse sukseset nuk mund t’i kesh i vetëm. Sukseset nuk bëhen nga “unë” por nga “ne”. Si te Kosova, ashtu edhe te Fenerbahçe po luftojmë të gjithë së bashku për suksese.
Shokët e skuadrës më ndihmojnë për të shënuar gola. Nuk e di nëse ka oferta për mua ose ndoshta menaxheri ka. Unë sapo kam ardhur te Fenerbahçe dhe duka të jem i suksesshëm e të bëjmë një kampionat të madh pasi jemi vetëm në ditët e para të kampionatit. Tani, jam i përqendruar te skuadra dhe më vonë, do të takohem edhe me menaxherin”, tha Muriqi.