Ministria e Drejtësisë ka organizuar një takim me të rinjtë e “Institutit të veçantë të Kavajës” në ambientet e Biblotekës Kombëtare ku u fol për librin dhe rëndësinë e të lexuarit.
Të pranishëm në aktivitet ishin ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti pedagogu Erion Kristo dhe shkrimtari Loer Kume.
Gjonaj ka zgjedhur të publikojë në rrjetin social Facebook disa nga momentet e aktivitetit ku krah tyre ka shkruar se qëllimi nuk është vetëm libri dhe rëndësia e të lexuarit, por edhe e ardhmja dhe fokusi që secili prej të rinjve do të ndjekë pasi të dalë nga ky institut.
“Jam e kënaqur që paketa jonë rehabilituese dhe riintegruese e hartuar për të miturit e dënuar, vijon të japë fryte çdo ditë. Pavarësisht gabimit që kanë kryer në jetë, ata meritojnë të qëndrojnë pranë shoqërisë për të dhënë reflektim dhe për të marrë faljen e munguar.
Së fundmi, me mbështetjen edhe të ministres së Kulturës znj.Elva Margariti, zgjodhëm të dialogojmë gjerësisht së bashku në Bibliotekën Kombëtare për librat, magjinë e shkrimeve dhe procesin e çmueshëm të leximit. Më erdhi mirë që shumë prej tyre kishin lidhje të veçanta me poezinë apo tregimet e shkurtra, duke na rrëfyer disa prej tyre.
Gjithashtu, falënderoj z.Erion Kristo dhe z. Loer Kume të cilët, i dhanë frymën e tyre letrare bisedës së gjatë mbi letrat. Si ministre Drejtësie, jam angazhuar plotësisht për t’i ofruar mbështetje edukative dhe sociale deri në rehabilitimin e tyre të plotë, pasi që në krye të punës sime kam iniciuar dhe inkurajuar zbatimin në mënyrë efikase të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit”, nënvizon Gjonaj.
Ndërkohë, nga ana tjetër ministrja e Kulturës Margariti u shpreh:
“Së bashku me Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe dy miqtë tanë, shkrimtarin Loer Kume, fitues të Çmimit “Kadare” në Letërsi dhe përkthyesin dhe pedagogun Erion Kristo, kaluam një paradite të veçantë me të rinjtë e Institutit të veçantë të Kavajës.
Nuk mund të gjendej një ambient më i mirë se Biblioteka Kombëtare, për të folur jo thjesht për librin, për rëndësinë e të lexuarit, por edhe për të ardhmen, për fokusin që secili prej këtyre të rinjve duhet të ketë në jetën e vet, pasi të dalin nga ky institut. E impresionuar nga njohja e tyre mbi letërsinë. Njihnin Eluard-in, Hygonë, Dumas…
Faleminderit Etlda për çdo përpjekje që ke bërë për t’u ardhur në ndihmë këtyre të rinjve; faleminderit Erion dhe Loer, që biseduat me ta si me miqtë tuaj dhe ndatë eksperiencat si “çuna lagjesh” të dikurshëm, që i vutë vetes një qëllim, për t’u bërë të denjë për shoqërinë.
Faleminderit edhe për librat që dhuruat për bibliotekën e institutit.
Mirënjohje për stafin e Bibliotekës Kombëtare, që na bënë të ndihemi si në shtëpi.
Si nënë dhe si ministre, do të doja të bënim më shumë për këta të rinj, që ata të mund të gjejnë veten e tyre në shoqëri. Dhe kultura është pa dyshim rruga e duhur”, nënvizon Margariti.