Tirana-Partizani, një derbi, shumë të panjohura

24 Shtator 2019, 19:36Sport TEMA

Gol, lojë, derbi, titull. Me një fitore në derbin e fundit të sezonit të kaluar, Partizani nuk vrau 1 por plot 4 zogj. 12 Maj 2019, pas çerek shekulli të kuqtë u rikthyer me duart tek titulli kampion dhe këtë e bënë në mënyrën më spektakolare të mundshme, pas fitores 2-1 në superduelin e kryeqytetit.

Kanë rrjedhur jo pak ujëra që nga ajo datë pasi gara evropiane e të kuqve dhe ndryshimet e mëdha të Tiranës në merkato, i kanë transformuar jo pak dy skuadrat.

Derbi i parë sezonal e vendos Tiranën përballë disa barrierave të mëdha të karakterit psikologjik pasi skuadra që aktualisht drejtohet nga Ardian Mema nuk fiton në një derbi që prej më shumë se 5 vjetësh, ndërsa shuplaka që mori këtë fundjavë djeg ende.

Humbja me Kukësin i ridimensionon bardheblutë që ndryshe nga sezoni i kaluar, kanë në dispozicion një stol të besueshëm dhe emra të respektueshëm për të propozuar në përplasjen e parë të kryeqytetit. Idriz Batha për herë të parë sfidon të kuqtë si ish në një derbi.

Në kampin tjetër, debutuesi absolute është Franco Lerda, njeriu që do të tërheqë vëmendjen më të madhe pasi ky mund të rezultojë edhe derbi i fundit për italianin.

Klubi i ka dhënë një kredi afatshkurtër me terma shtrëngues dhe trajneri nga përtej Adriatikut duhet të rikthejë skuadrën te fitorja, në të kundërt stoli i tij rrezikohet jo pak.

Barazimi me Bylisin por më shumë se kaq, skuadra ende e pakonsoliduar duket se po shterojnë durimin e drejtuesve të klubit kampion që mund të humbasë liderin e mesfushës, Bruno Telushi dhe nuk ka ende një asset të besueshëm në sulm ku Brown-Solomon apo Ekuban mbeten në balotazh për formacionin titullar.

Në krahun tjetër, Tirana rikthehet me një stadium në kapacitet të plotë pas gjatë sezonit të kaluar në ndeshjet e shtëpisë, pjesa më e zjarrtë e tifozerisë vendosi ta braktiste ekipin për shkak të fërkimeve me presidentin Refik Halili, ndërsa trajneri Ardian Mema do të ketë në dispozicion skuadrën e plotë dhe zgjedhje me bollëk.

Grent Halili, njeriu i momentit në kampin bardheblu prezantohet me 3 gola ndërsa Tirana shpreson ta nisë nga 20 minutat e fundit të Elbasanit.

Një derbi që përtej spektaklit në shkallë mund të prodhojë edhe emocione në fushë, këtë sezon përballen dy skuadra pothuajse tërësisht të ridimensionuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje