Donald Trump publikon transkriptin e telefonatës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas njoftimit për hetime në Kongres

25 Shtator 2019, 21:06Bota TEMA

Presidenti amerikan Donald Trump publikoi transkriptin e telefonatës mes tij dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelensky, në përpjekje për të hedhur poshtë pretendimet e demokratëve se ka ushtruar presion dhe ka premtuar shpërblime ndaj Ukrainës nëse hetonte kandidatin për President Joe Biden.

Por edhe pse në telefonatë nuk shprehet qartë ky synim i Trump dhe në pamje të parë nuk ka asnjë bazë për të kërkuar shkarkimin e tij, disa fjali në bisedën mes dy liderëve tregojnë çfarë mendon vërtet Trump për kolegët e tij europianë, por edhe shpejtësinë me të cilën komediani ukrainas është shndërruar në një politikan të mirëfilltë.

Në përpjekje për ta bindur që të bashkëpunojë, Trump i thotë Zelensky-t se Shtetet e Bashkuara kanë bërë aq shumë për Ukrainën ndërsa vendet europiane nuk kanë bërë asgjë. “Gjermania nuk bën thuajse asgjë për ju. Vetëm flasin. Kur u takova me Angela Merkel ajo foli shumë për Ukrainën, por nuk bën asgjë. Shumë vende të tjera europiane janë njëlloj”, thotë Trump. “Keni 1000% të drejtë”, i përgjigjet Zelensky.

Duke i premtuar hetime të plota për aludimet se prokurori i çështjes ku ishte i përfshirë djali i ish-Zv.Presidentit Biden kishte pasur presione për ta mbyllur atë, Zelensky i thotë Trump: “Duke qenë se ne kemi fituar shumicën absolute në Parlament, Prokurori i Përgjithshëm i ardhshëm do të jetë 100% njeriu im, kandidati im. Ai ose ajo do ta hetojë çështjen”.

Zelensky shfaqet në telefonatë si shumë i zellshëm për t’i bërë përshtypje Presidentit amerikan, duke i thënë se kur ka vizituar Nju Jorkun ka fjetur në Kullën Trump, ndërsa në fund e fton Turmp për një vizitë në Ukrainë. “Besoj se në 1 shtator do të jeni në Poloni. Nga aty mund të jetë një ide shumë e mirë për të udhëtuar drejt Ukrainës. Mund të marrim avionin tim, ose mund të marrim avionin tuaj, që me siguri është më i mirë se i imi”, thotë Zelensky.

Trump i kërkon “një nder” Zelensky-t që të hetojë mbi Joe Biden dhe të punojë drejtpërdrejt me avokatin e tij personal Rudy Giuliani. Megjithatë, në telefonatë nuk përmendet asnjë “shpërblim” në ndihma për Ukrainën për këtë. Fillimisht, një burim brenda shërbimeve inteligjente zbuloi për mediat se në këtë telefonatë kishte shkelje nga ana e Presidentit Trump dhe kjo bëri që demokratët të nisnin procedurat për shkarkimin e tij.

Në telefonatë, Trump përmend me emër rivalin demokrat Biden, kërkon një hetim për kompaninë që lidhet me djalin e tij Hunter dhe parashikon se ekonomia e Ukrainës do të ecë gjithnjë e më mirë, por nuk lidhje specifike mes hetimeve dhe ndihmës nga ana e SHBA nuk ka.

Vetë Presidenti e quajti këtë përpjekje të demokratëve për ta shkarkuar si “luftë politike”. “Nuk kishte presion, nga mënyra se si ishte interpretuar para publikimit, do të duhet të ishte telefonatë nga ferri”, tha Trump.

Por, kreu i Komisionit të Sigurisë së Brendshme, Adam Schiff, e krahasoi telefonatën me një “zhvatje mafiozësh”. Ndërsa senatori republikan Mitt Romney tha se ishte tepër shqetësuese. Nga ana tjetër, aleati i Trump, Lindsey Graham, u shpreh se do të ishte çmenduri shkarkimi i Presidentit për këtë telefonatë.

1 komente në “Donald Trump publikon transkriptin e telefonatës me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, pas njoftimit për hetime në Kongres”

  1. american16al says:

    Democratet po tmerrohen se Trump do te fitoje, ata nuk kane asnje program real per americanet vecse perralla me para qe bien nga qielli. Ideja socialiste apo me keq komuniste eshte terrorizem ideollogjik qe sjell shkaterrimin e nje shteti pa lufte por e detyron ate qe te shkaterroje vehtveten. Nuk ka nevoje per shembuj por vetem nje mendje te kthellet dhe te ftohte per ta kuptuar, kjo propogande eshte vetem mashtrim nga njerez imoral genjeshtare qe vuajne per pushtet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje