Familjet shqiptare ‘hedhin’ më pak lekë në arsim. Sipas Anketës së Buxhetit Familjar të publikuar nga Instat, uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor në vitin 2018, e ka shënuar grupi ‘Arsim’.
Gjatë këtij viti, shpenzimet për këtë grup konsumi janë ulur me afro 20%, krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, buxheti familjar mujor për arsim ka rezultuar mesatarisht 2 mijë e 300 lekë, ndërkohë që në vitin 2017, shpenzimet mujore për këtë grup konsumi ishin mesatarisht 2 mijë e 868 lekë.
Por, ndërkohë që shpenzimet familjare janë ulur ndjeshëm për arsim, familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë për mobilim, pajisje shtëpiake dhe për mirëmbajtjet e zakonshme të banesës.
Sipas Instat, në vitin 2018 shpenzimet mesatare për konsum mujor për këtë grup konsumi janë rritur me afro 26%, krahasuar me vitin 2017. Nëse në vitin 2017, një familje shpenzonte mesatarisht 3 mijë e 505 lekë në muaj për pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtjen e banesës, në vitin 2019, shpenzimet mujore për këto të fundit, janë rritur me 904 lekë, duke arritur në 4 mijë e 409 lekë.
Po ashtu, sipas Instat, në 2018 rezulton se familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë për të komunikuar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “shërbime telefonike”, duke u diferencuar me afro 11%, krahasuar me vitin 2017.
Po ashtu, shpenzimet familjare kanë ndjerë një rritje të konsiderueshme edhe për grupin e konsumit “Të tjera mallra dhe shërbime”, ku futen produktet dhe shërbimet për kujdesin personal. Në 2017, një familje ka shpenzuar mesatarisht 4 mijë e 480 lekë, ndërkohë që në 2018, kujdesi personal ka kushtuar mesatarisht 5 mijë e 202 lekë, me një rritje afro 16%.
Referuar Instat, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një njësi ekonomike familjare të përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, janë 75 mijë e 935 lekë. Këto shpenzime janë rritur me 3.5, në krahasim me vitin 2017.(SCAN)