Ilir Meta mbajti postin, humbi fabulën

28 Shtator 2019, 11:44Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

“Më kapën në baçen e komshiut, por nuk kisha hyrë pa leje. Vetëm sa kisha tejkaluar gardhin e baçes time”. Kjo është linja që po përdorin këto orë në Presidencë dhe rreth saj (kupto në opozitë dhe mediat aleate), pas daljes së raportit të Komisionit të Venecias, për ta kthyer karikaturën e anullimit dhe shtyrjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, në një histori suksesi. Dhe në një bazë ligjore të mjaftueshme për Ilir Metën, per të mos dhënë dorëheqjen.

Presidenti i Shqipërisë, sipas raportit të Venecias, ka gabuar kur ka anulluar zgjedhjet që kishte shpallur fillimisht, ka vepruar në mungesë të situatave të jashtëzakonshme, kur zgjedhjet mund të shtyhen, ka shpërfillur konsensusin politik dhe vijuar me kokë të vet, drejt një procedurë që përbën “tejkalim të kompetencave të veta kushtetuese”. Pra, kapërcim të sinoreve brenda të cilave duhet të ushtrojë detyrën si kryetar shteti.

Formulimi i Komisionit se këto shkelje, sipas tij, nuk janë të tilla që të çojnë në shkarkimin e Ilir Metës, mund ta ketë shpëtuar formalisht mandatin e presidentit. Pasi e kushtëzoi të ardhmen e hetimit parlamentar të Metës me opinionin e Venecias, kryeministri do ta ketë më të vështirë të avancojë me projektin e shkarkimit, pasi opinioni doli në konkluzionet e mësipërme.

Por fati personal i presidentit ishte në të vërtetë një aksesor në krizën politike të verës që po mbyllet. Pakkush priste që amullia në parlamentin shqiptar, presioni i opozitës në rrugë, mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe hyrja në lojë e Venecias, të krijonte kushtet për furtunën perfekte, që do të merrte me vete Ilir Metën. Megjithëse ky president do të duhej shkarkuar qoftë edhe vetëm për shkeljen flagrante të dhjetorit të shkuar, kur mori përsipër të fusë duart në listën e ministrave për t’u shkarkuar dhe t’u emëruar.

Nga ana tjetër, gondola veneciane nuk ka arritur shpëtojë pjesën më të rëndësishme të asaj që Ilir Meta ka të shtrenjtë në krizën aktuale: fabulën politike me të cilën luftoi për muaj me rradhë. Provohet sot nga arbitra të paanshëm, se 30 qershori nuk duhej shtyrë, se zgjedhjet e “mynxyrshme” me një parti nuk janë shkas i mjaftueshëm për të anulluar procesin, se Kreu i shtetit shkeli kompetencat duke anulluar zgjedhjet dhe se nuk pyeti askënd për datën e re të zgjedhjeve.

Ka rënë e gjithë teorema logjike që Ilir Meta (e bashkë me të edhe opozita), u munduan të ndërtojë, duke vënë emrin dhe fytyrën e vet në rreshtin e parë të luftës kundër zgjedhjeve lokale. Teksa bëhet gati të rehatohet në poltronin presidencial, ka një detyrim publik të thotë diçka për këto shkelje që ia gjeti Komisioni i Venecias. Ashtu siç ka detyrimin të na thotë se çfarë duhet të bëjmë ne zgjedhësit, në datën 13 tetor të këtij viti!

Si çdo krizë shqiptare, që është e ngatërruar, e keqlexuar, keqinterpretuar dhe e manipuluar deri në fyt nga lojrat e pista që prodhon bulevardi qëndror i Tiranës, edhe kjo e shkarkimit të presidentit me shumë gjasë do të endet pa busull në detin e sherreve dhe debateve shterpë. Jemi të zotët vetëm të krijojmë dhe mbajmë gjallë kriza, jo të gjejmë zgjidhje.

Në këtë zallamahi tipike shqiptare, raporti i fundit i Komisionit të Venecias na thotë se Ilir Meta ka mbajtur postin, por ka humbur fabulën politike. Zgjidhni e merrni cila nga të dyja është më e rëndë…

5 komente në “Ilir Meta mbajti postin, humbi fabulën”

  1. Ben says:

    S’ka problem. Likja del neser ne 5 te mengjezit ne konference shtypi,dhe shan nderkombetaret.Mos t’ju rreje mendja se jep doreheqjen.Ky edhe kur ti rradha per tu arrestu do beje kakerdhija.

  2. limi says:

    Keno konja. Kona ham e Rama bam.

  3. Jimmy Trendelina says:

    Nero, edhe ti e interpreton içik simas qejfit dhe interesit, kur thu e kapen ne bahcen e komshiut. Te kalosh gardhin e bahces tate nuk domethene domosdoshmerisht se ke dale ne bahcen e komshiut se mund ta kesh shpine ne fund te rruges dhe kalon gardhin tat e del ne rruge qe nuk osht e asnjonit.

  4. Bureto says:

    Komisioni Venecias ende nuk ka dhënë raportin përfundimtar, atë që do japë në 11 Tetor. Po pavarësisht kësaj piketat rreth opinionit të saj përgjithësisht nuk do ndryshojnë, përjashtuar ndonjë detaj. Në atë që është dërguar, ajo që ka rëndësi është se, është e shkruar e bardha në të zexë, që Meta ka shkelur Kushtetutën, atë që ai nuk e pranon edhe paskëtaj! Tani diskutimi është i rëndë apo jo i rëndë akti i tij, dhe nëse është i rëndë, duke konsideruar mënyrën diplomatike të të thënit të gjërave në këto raste tepër të mprehta, Venecia tha se gjykimin dhe vendimin përfundimtar për shkarkim e ka në dorë organi përfaqësues i popullit, pra parlamenti dhe në fund do t’i vërë vulën Gjykata Kushtetuese kur ajo të krijohet. Deri atëhere Meta moralisht është i mbaruar dhe le të marrë rrogën. Mendimi im, gjithsesi, është që ai do të shkarkohet, nëse deri atëhere, po qe burrë, siç vetë ka deklaruar, nuk e ka dhënë dorëheqjen.

  5. Arber iliri says:

    Per shkarkimin vendosin organet shqiptare, dokumenti i venecia i heq metes mbrojtjen ligjore per marrezine qe beri qe desh me rezu qeverine dhe me shku ne lufte civile.Largimi i tij detyre e kuvendit.Nese nuk e beni e coni vendin perseri ne remuje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje