Riadi duhet të kuptojë se siguria nuk blihet, deklaroi kreu i diplomacisë iraniane në një intervistë të publikuar sot, në të cilën ai thekson se tensionet në rajon do të ndërpriten me fundin e luftës në Jemen.
“Para së gjithash, Arabia Saudite duhet të pranojë idenë se siguria nuk blihet”, theksoi Mohammad Javad Zarif në këtë intervistë të dhënë për agjencinë zyrtare të lajmeve “Irna”, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Sauditët po përpiqen të blejnë sigurinë duke krijuar tensione dhe duke hapur rrugën për ndërhyrje të huaja në rajon”, shtoi ai duke iu referuar pranisë ushtarake perëndimore në Gjirin Persik.
Sipas Zarif, mbretëria saudite ka paguar deri tani armë, miqësi, mbështetje nga vendet e tjera, por duhet të heqë dorë nga iluzioni se mund të blejë sigurinë.
Vende fqinje, Arabia Saudite dhe Republika Islamike e Iranit janë angazhuar në një luftë ndikimi rajonal dhe kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike prej më shumë se tre vitesh.
Riadi, por gjithashtu Uashingtoni, Berlini, Londra dhe Parisi akuzojnë Iranin si përgjegjës për sulmet në rrugë ajrore që kanë shkatërruar më 14 shtator infrastrukturat e naftës në Arabinë Saudite dhe kanë detyruar mbretërinë të ulë ndjeshëm prodhimin.