Manchester United nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në sfidën e një nate më parë ndaj AZ Alkmaar. “Djajtë e Kuq” mbi të gjithë nuk e goditën asnjë herë portën e holandezëve.
Gjithsesi, ajo që ka tërbuar akoma më shumë tifozët dhe drejtuesit e United ka qenë deklarata e trajnerit Solskjaer, i cili pas ndeshjes u shpreh se ishte një pikë me vlera ndaj një kundërshtari që kishte mposhtur edhe Feyenoordin në transfertë 0-3.
Sipas trajnerit të “Red Devils”, duket se një ekip me histori si Manchester United duhet të krahasohet me ekipe si Alkmaar dhe të kënaqet me faktin që mori një pikë ndaj tyre, pavarësisht se nuk goditi në asnjë rast portën.
“Është një pikë me vlerë jashtë fushe ndaj një kundërshtari të mirë dhe të fortë. Ata mposhtën Feyenoordin 0-3 në transfertë, kështu që ishte një pikë me vlera ndaj një kundërshtari të vështirë”, u shpreh Solskjaer.
Owen shpërthen ndaj Solskjaer: E dobësoi Manchester United me qëllim
Kur jeni mësuar të fitoni, ndoshta jo gjithmonë, por shpesh, edhe një barazim ju duket i pakapërdishëm. Prandaj, tifozët e Manchester United mund të duken të “pangopshëm”.
Përveç barazimit 0-0 kundër AZ Alkmaar, në ndeshjen e dytë të grupit të “Europa League”, kjo ishte paraqitja e fundit e një serie shfaqjesh të nivelit shumë të ulët.
“Djajtë e Kuq”, për ta thënë me fjalët e Berbatov, nuk trembin më askënd dhe asnjë kundërshtar.
Të gjithë guxojnë, sepse e dinë se mund të marrin rezultat kundër një skuadre, që në dekadat e mëparshme e bëri botën të dridhej.
Micheal Owen e vë gishtin mbi plagë:
“Manchester United është aktualisht një ekip i rangut të mesëm. Unë nuk mendoj se do të përfundojë në gjashtë më të mirët e Premier League këtë sezon.
Kjo është skuadra më e keqe e dekadave të fundit, që nga koha kur Sir Alex Ferguson u ul në pankinën e “Old Trafford”. Është një situatë që vazhdon prej vitesh. Madje, gjërat vazhdojnë të përkeqësohen”.
Po faji, i kujt është? Sigurisht, Sir Alex është i pazëvendësueshëm, por ardhja e Solskjaer rrezikon të krijojë probleme të tjera në klub. Edhe për disa zgjedhje të merkatos, që nuk e bindin Owen:
“Një gjë që do të doja ta kuptoja është nëse me të vërtetë, Ole Gunnar Solskjaer e dobësoi skuadrën e tij me qëllim.
Nëse vendos të luash pa futbollistë si Lukaku, Herrera, Darmian, Sanchez, Smalling… Unë mendoj se kjo do të thotë se po bën hapa pas me vetëdije të plotë.
Nuk e kuptoj si mund të ecësh para, duke larguar lojtarët më me peshë…”
Një akuzë e rëndë ndaj trajnerit norvegjez, sepse lë të kuptohet që në “Old Trafford” ka një mëkat më të madh sesa të mos fitosh: të mos dëshirosh të provosh.