VIDEO/ Fëmijë me tre prindër, a jemi gati?

5 Tetor 2019, 10:30Sociale TEMA

Ardhja në jetë e një fëmije është momenti më i bukur në jetën e një çifti. Por jo të gjithë e kanë këtë mundësi.

Të përballur me pamundësinë për të pasur pasardhës dhe humbjen e shpresës, pas disa vitesh përpjekje, çiftet u drejtohen mjekëve dhe klinikave të specializuara, për atë që njihet si riprodhimi i asistuar.

Infertiliteti në Shqipëri ka shënuar rritje vitet e fundit dhe kjo e ka bërë këtë shërbim më të kërkuar.

Përparimi i shkencave mjekësore ka bërë të mundur të tejkalohen pengesat e natyrës.

E përfshirë në termin bioteknologji, kjo mundësi e re përmbledh aplikimin e parimeve shkencore dhe teknologjike mbi organizmat e gjallë, pjesët e organizmave, produktet dhe modelet, për të alternuar materialet e gjalla ose jo të gjalla, për prodhimin e dijeve, të mirave ose shërbimeve.

Riprodhimi i asistuar, apo ndryshe ngjizja në laborator, prej shumë vitesh u jep mundësinë të kenë pasardhës atyre çifteve që në mënyrë të natyrshme e kanë të pamundur.

Në Shqipëri, ky shërbim ofrohet vetëm në klinikat private dhe çmimet nuk janë të përballueshme për të gjithë, duke pasur parasysh nivelin ekonomik.

Kjo e bën të nevojshme ndërhyrjen e shtetit, në mënyrë që mundësia për të krijuar familje të mos jetë një privilegj vetëm i atyre që kanë mundësi t’i përballojnë financiarisht kostot e procedurave.

Dhurimi i materialit gjenetik është një nga teknikat e riprodhimit të asistuar.

Praktikisht, një procedurë e tillë aplikohet kur njëri nga partnerët, për arsye të ndryshme, e ka të pamundur të ngjizë një fëmijë.

Në këtë rast, ai kërkon ndihmën e një dhuruesi, materiali gjenetik i të cilit do të përdoret në laborator për ngjizjen artificiale.

Një praktikë e njohur në Perëndim, dhurimi i spermës ose vezëve aplikohet prej disa vitesh edhe në Shqipëri.

Nëse zgjedh të kesh një fëmijë në këtë mënyrë, natyrisht duhet të jesh shumë selektiv kur është fjala te dhuruesi. Zakonisht zgjidhen individë të rinj në moshë, të shëndetshëm, fizikisht të paraqitshëm dhe të arsimuar mirë.

Në Shtetet e Bashkuara, femrat mund të dhurojnë vezët e tyre kundrejt pagesave që shkojnë deri në qindra mijëra dollarë.

Ato kontaktohen nga marrësit në mënyrë të drejtpërdrejtë apo edhe nëpërmjet agjencive që operojnë në këtë fushë.

Në Shqipëri, dhurimi i vezëve ose i spermës rregullohet me ligj.

Teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar në Shqipëri rregullohen përmes dy ligjeve:  ligji për shëndetin riprodhues i vitit 2002 dhe ligji për Transplantet i vitit 2011.

Ministria e Shëndetësisë sqaron se në bazë të asaj që përcakton ligji “Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në Republikën e Shqipërisë”, materiali gjenetik mund të ruhet në qendrat e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) dhe në rast shkeljesh parashikohen sanksione, të cilat nëse përsëriten, shkojnë deri në kallëzim penal.

Struktura përgjegjëse për inspektimin është Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Por nëse ligji rregullon ruajtjen e materialit gjenetik, sa e garanton ai shmangien e përfitimit financiar në marrëdhënien dhurues-marrës.

Procedura të tilla, që hyjnë në kategorinë e transplanteve, në bazë të ligjit përkatës duhet të përjashtojnë kategorikisht përfitimin financiar. Praktika të tilla dhurimi bëhen zakonisht brenda gjakut.

Në rastin e vezëve, femrat zgjedhin përgjithësisht motrën si dhuruese.

Por në pamundësi të kësaj, për një sërë arsyesh, dhe në kushtet e dëshirës së madhe për të pasur një fëmijë, shumë prej këtyre femrave mund të jenë të gatshme të paguajnë.

A shiten vezët edhe në Shqipëri? Detyrimisht procedura përfshin një vlerë financiare që i paguhet dhurueses.

Dhurimi si praktikë vullnetare nuk është i përhapur. Kjo sidomos në rastin e vezëve.

Por përtej këtij kompensimi për kostot e procedurës, më e pakta për një dhuruese – duke ditur se një procedurë e tillë nuk është e lehtë dhe mund të ketë edhe pasoja – a mund të flasim për një marrëveshje të pastër që përfshin pagesën që i jepet palës dhuruese?

Kur shkon përtej familjes, kjo praktikë lë vend për shpërblim financiar dhe rrjedhimisht edhe shkelje të ligjit.

Zhvillimi i bioteknologjisë në Shqipëri dhe kostot e ulëta në raport me vende të tjera të Europës janë bërë shkak që shumë të huaj të vijnë në vendin tonë për praktika të tilla.

Ligji që “fut ujë”

Gjaku im, një shprehje që ne e përdorim për të përcaktuar marrëdhënien prind-fëmijë, zbehet nga zhvillimi i teknikave të riprodhimit të asistuar.

Marrëdhënia e bazuar në lidhjen biologjike prind-fëmijë, e formalizuar në ushtrimin e të drejtës prindërore, gjendet kështu e sfiduar nga një tjetër raport, jo më biologjik.

Zhvillimi i teknikave riprodhuese ka bërë që, shumica e shteteve evropiane të aplikojnë forma të reja të përcaktimit të atësisë dhe amësisë.

Kjo për të shmangur në të ardhmen pretendimet e palëve mbi atësinë apo amësinë e fëmijës dhe për të respektuar një të drejtë që fëmija e fiton që në lindje: të dijë kush janë prindërit e tij biologjikë.

Në vitin 2002, Shqipëria ka miratuar ligjin “Për Shëndetin Riprodhues”.

Dispozitat e tij sanksionojnë mundësinë e aksesit dhe përdorimit të teknikave të riprodhimit të asistuar. Për rrjedhojë janë të shumta pikëpyetjet që ngrihen shkak të ndjeshmërisë fetare, morale, shoqërore dhe ligjore mbi këtë çështje.

Por pavarësisht kësaj, në kohën e miratimit të këtij ligji, në Shqipëri nuk ka pasur një debat etik apo ligjor.

Megjithatë, për Ministrinë e Shëndetësisë, ligji është i plotë.

Por për mjekët, ai ka nevojë për rishikim.

Ligji “Për shëndetin riprodhues, i ndryshuar” parashikon marrjen e pëlqimit me shkrim për çdo cikël të teknikave të riprodhimit të asistuar nga individët e interesuar. Kjo bëhet me qëllim që të përcaktohen qartë të drejtat dhe kufizimet e pjesëmarrësve në aplikimin e këtyre teknikave.

Ajo që duhet të ketë prioritet është respektimi i dy të drejtave: asaj të prindërve për të pasur fëmijë dhe të drejtat, interesat dhe mirëqenia e fëmijës.

Në rastin e dhuruesve, për mjekët, akti në vetvete nënkupton heqjen dorë nga pretendimi për fëmijën në çdo kohë.

Duke qenë se riprodhimi i asistuar në Shqipëri është një teknikë mjekësore relativisht e re, debate të tilla janë të pritshme shumë shpejt. Situata që sot janë hipotetike, në një të ardhme të afërt mund të bëhen një realitet social dhe ligjor.

Ajo që shpesh e quajmë thirrja e gjakut është e vështirë të mbërthehet brenda një kuadri ligjor. Dhuruesi në një moment të dytë mund të pretendojnë atësinë ose amësinë e fëmijës.

Në këtë pikë, nevoja për ndryshime ligjore ngrihet nga ekspertët.

Duke iu referuar pasojave që prodhon ligji në rastet e dhuruesve, ekspertët konkludojnë se “Nuk mund të respektohet e drejta e të parëve duke shkelur parimet dhe të drejtat e fëmijëve, sepse teknikat do të përkeqësonin jetët njerëzore shumë më shumë sesa do të kënaqnin prindërit në pasjen e fëmijëve”.

Sipas ekspertëve, ligji ka mangësi edhe në raport me vetë fëmijën.

“Lidhur me të drejtën e fëmijës për t’u njohur me historinë e tij dhe nëse është e mundur me identitetin e prindërve biologjikë, LSHR nuk shprehet. Ndërsa, ligji “Për transplantin e indeve, qelizave dhe organeve në Republikën e Shqipërisë”, neni /c parashikon ruajtjen e anonimatit si të dhuruesit, ashtu edhe të marrësit. Në mungesë të një rregullimi specifik për këtë problem, zgjidhja do t’i mbetet praktikës ligjore”, thuhet në një botim të kohëve të fundit nga ekspertë të fushës.

Për më tepër, kjo qasje ligjore mjaft liberale mund të prodhojë edhe pasoja të tjera, pasi ligji nuk parashikon si kusht që këtyre teknikave në vendin tonë t’u nënshtrohen vetëm shtetasit shqiptarë.

Nga njëra anë, për shkak të legjislacionit tepër liberal në drejtim të teknikave të riprodhimit të asistuar, Shqipëria mund të shndërrohet në të ardhmen në një destinacion të preferuar të “turizmit ndërkombëtar të fertilitetit” për bashkëshortët me vendqëndrim në shtetet ku surrogacia është e ndaluar (p.sh. Itali, Francë), me qëllim shmangien e kufizimeve që ekzistojnë në shtetet e tyre.

Legjislacioni shqiptar lejon mundësinë e dhurimit të qelizave riprodhuese femërore si dhe mundësinë e zbatimit të të gjitha teknikave të riprodhimit të asistuar, përfshirë edhe amësinë surrogative.

Për më tepër, LSHR nuk parashikon si kusht vendbanimin në Republikën e Shqipërisë të subjekteve që u nënshtrohen teknikave të riprodhimit të asistuar, duke e lënë teknikisht të hapur mundësinë për të gjithë subjektet, pavarësisht shtetësisë apo vendqëndrimit të tyre të zakonshëm për të përfituar nga teknikat e riprodhimit të asistuar që ofron sistemi ynë shëndetësor.

Përshtatja e ligjeve me zhvillimin e bioteknologjisë është një debat që është bërë në Perëndim, madje në shumë vende vijon ende.

Kisha Katolike i ka deklaruar teknikat e reja të riprodhimit artificial moralisht të papranueshme, pasi ato ndajnë nga akti seksual riprodhimin dhe lindjen, elementë që sipas Kishës janë ngushtësisht të lidhur me njëri-tjetrin.

“Ngjizja e një fëmije duhet të përfshijë bashkimin shpirtëror dhe dashurinë fizike të prindërve. Fertilizimi jashtë trupit është i privuar nga kuptimi dhe vlerat e shprehura në gjuhën e trupit dhe në bashkimin fizik të personave”.

Shoqëritë moderne i kanë lënë pas prej shumë vitesh qëndrimet si ai i kishës në lidhje me këto çështje, por shumë prej tyre ende nuk i kanë dhënë kuadrin e duhur rregullues dhe vlerat riprodhimit njerëzor me teknikat e reja.

Në këtë aspekt, edhe vendi ynë ka një rrugë të gjatë përpara! / TEMA TV /

1 komente në “VIDEO/ Fëmijë me tre prindër, a jemi gati?”

  1. Detari says:

    Tani qe jeni bere 100% araboturq dhe martoheni me 5 gra pse jo?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje