Gjonaj-magjistratëve të rinj: Keni në dorë "shpatën" për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia

7 Tetor 2019, 09:52Politika TEMA

Ministrja e Drejtësisë Etila Gjonaj, gjatë fjalës së saj të mbajtur para magjistrantëve të rinj që sapo janë diplomuar, u ka thënë atyre se ata kanë në dorë shpatën dhe çekiçin, për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, dhe çekiçin për t’i dhënë të drejtën atij që i takon

“Ju keni një mision shumë të vështirë, por jo të pamundur, rikthimin e besimit të publikut te drejtësia. Ju keni në dorë shpatën, për të ndarë drejtësinë nga padrejtësia, dhe çekiçin për t’i dhënë të drejtën atij që i takon. Jam besimplotë se ju do dini të tregoni vlerat tuaja të vërteta, duke i dhënë një perspektivë evropiane drejtësisë sonë

Ky vit ka një risi, kjo ceremoni zhvillohet në shtëpinë tuaj të re, që me mbështetjen e qeverisë u bë e mundur shumë shpejt për të pasur salla akademike të denja, që do ndikojnë në formimin tuaj.

Shkollimi i magjistratëve në këtë godinë do ketë ndikimin e vet. Po futeni në një sistem drejtësie, që jep më shumë pavarësi dhe një status dinjitoz. 

Reforma e bën rrugëtimin tuaj profesional, që do varet nga kompetenca dhe cilësia e dhënies së vendimit dhe jo më nga lidhjet me pushtetin.

Sistemi i ri i drejtësisë i jep vend të veçantë integritetit dhe etikës së magjistratit, që për herë të parë është një etikë kushtetuese. Formimi akademik është një aspekt shumë i rëndësishëm.

 Integriteti i magjistratit është ai që do bëjë ndryshimin rrënjësor, në pasjen e një sistemi të pakorruptuar, të paanshëm. Duhet të punojmë të gjithë që ky element të jetë i ngulitur në mendjen e çdo magjistrati. 

Ju do shërbeni në një sistem të ri, që do iu garantojë mbështetje institucionale dhe mundësi më të mirë financiare, duke u bazuar vetëm tek aftësitë profesionale. 

Ju gjithashtu mund të shfrytëzoni më mirë këtë pushtet që iu është dhënë. Ju keni fatin historik që të bëni që drejtësia në Shqipëri të përjetojë një kthesë të madhe”, deklaroi ministrja. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje